Eli, një histori frymëzuese nga Kurbini
BE për Kujdesin Social
- English
- Shqip
Eli*, një djalë 9 vjeçar nga Mamurrasi, është një simbol i përkushtimit dhe zhvillimit të vazhdueshëm. Si një fëmijë me aftësi të kufizuara, ai përballet çdo ditë me sfida që kërkojnë vëmendje dhe përkujdesje të veçantë. Mënyra se si ai është zhvilluar dhe iu ka bërë ballë sfidave, e bën këtë histori tregues të rëndësisë së përfshirjes sociale dhe mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Eli jeton së bashku me nënën e babain e tij, si dhe ka një vëlla më të vogël, i cili gjithashtu merr shërbime pranë qendrës së shërbimeve komunitare “Zëri i Fëmijëve” në Mamurras, Kurbin. Kjo qendër është ngritur në kuadër të mbështetjes së Bashkimit Evropian, përmes programit “BE për Kujdesin Social”.
Nëna e djalit luan një rol thelbësor në jetën e tij, duke i qëndruar gjithmonë pranë me përkujdesje dhe përkushtim të vazhdueshëm. Ajo është përpjekur të sigurojë për të një mjedis të qëndrueshëm dhe mbështetës, duke ndikuar pozitivisht në mirëqenien e tij emocionale dhe sociale. Eli gëzon një marrëdhënie shumë të afërt dhe të ngrohtë me nënën dhe vëllain e tij të vogël, çka e ndihmon të ndihet i sigurt dhe i mbështetur në përditshmëri. Mirëpo, Eli shfaqte një lloj shkëputjeje dhe mospërfshirjeje me bashkëmoshatarët, apo pjesëmarrje të mangët në veprimtari shoqërore.
Prej kur është bërë pjesë e qendrës “Zëri i Fëmijëve”, ai e frekuenton atë rregullisht çdo ditë, duke u angazhuar në veprimtari të ndryshme. Nga vëzhgimet e stafit dhe punonjëses sociale, vihet re se përfshirja e tij në to ka patur një ndikim shumë pozitiv në zhvillimin e aftësive të tij sociale dhe në ndërveprimin me bashkëmoshatarët, duke u bërë gradualisht pjesë aktive e jetës së përditshme në qendër.
Stafi i qendrës ka ndjekur një qasje të organizuar dhe gjithëpërfshirëse, duke e përfshirë Elin në aktivitete që nxisin komunikimin, bashkëpunimin dhe integrimin e tij në grup. Një aspekt shumë i rëndësishëm është edhe pranimi dhe mbështetja që ai merr çdo ditë nga fëmijët e tjerë dhe stafi, të cilët kontribuojnë në krijimin e një atmosfere të ngrohtë dhe mikpritëse.
Gjatë kësaj kohe, Eli ka treguar ecuri mjaft të kënaqshme në përfshirjen në veprimtari, duke marrë pjesë me dëshirë dhe duke ndërvepruar gjithnjë e më lehtë me fëmijët e tjerë. Ky angazhim ka ndikuar pozitivisht në zhvillimin e tij social dhe emocional. Njëkohësisht, ai është përfshirë në mënyrë aktive në realizimin e detyrave shkollore pranë qendrës, duke ndërtuar gradualisht një rutinë të qëndrueshme dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Veprimtaritë e organizuara kanë ndihmuar gjithashtu në forcimin e aftësive të tij komunikuese dhe në rritjen e vetëbesimit.
Që në fillim, ka ekzistuar një bashkëpunim i mirë dhe i vazhdueshëm ndërdisiplinor mes shkollës, stafit të Njësisë për Vlerësimin e Nevojave dhe Referimit, pranë Bashkisë Kurbin dhe qendrës, me qëllim mbështetjen e Elit në ndjekjen e rregullt të shkollës, përmbushjen e detyrave dhe përfshirjen në aktivitete argëtuese dhe zhvilluese.
Falë kësaj mbështetjeje të koordinuar dhe përkushtimit të vazhdueshëm, Eli sot paraqitet më i sigurt në vetvete, më i hapur dhe më i përfshirë në përditshmëri. Rasti i tij është një shembull i rëndësisë së bashkëpunimit ndërmjet familjes, institucioneve dhe qendrës, në funksion të zhvillimit dhe mirëqenies së fëmijës.
Ky projekt zbatohet nga Shoqata Together for Life dhe Bashkia Kurbin, në kuadër të skemës së nëngranteve të BE për Kujdesin Social. Ky program financohet nga Bashkimi Evropian, zbatohet nga UNICEF Shqipëri dhe World Vision Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
*Emri i personit është ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e tyre.