Një nënë që nuk dorëzohet kurrë
Një histori guximi dhe ndryshimi
Jeta e Evës* ka qenë një rrëfim këmbënguljeje, i formësuar nga sprova të forta dhe një vendosmëri për të mos u dorëzuar. E lindur në braktisje dhe dhunë, fëmijëria e saj ishte larg ideales. Mungesa e stabilitetit dhe mbështetjes e detyroi të marrë mbi supe përgjegjësi përtej moshës së saj. Martesa në moshë të hershme solli vështirësitë e veta, e pasuar nga divorci, ndarje dhe largim nga disa prej fëmijëve të saj. Këto ngjarje lanë plagë të thella emocionale, por nuk e përcaktuan atë. Përkundrazi, në çdo hap, çdo sfidë e nxiti vendosmërinë e Evës për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe familjen e saj.
Eva është nënë e gjashtë fëmijëve dhe pret të shtatin. Gjendja e saj financiare mbetet e vështirë, por instinkti i saj mëmësor për të mbrojtur familjen qëndron mbi gjithçka. Ajo dëshiron t’u ofrojë fëmijëve të saj një jetë të lirë nga vështirësitë që ka përjetuar vetë – një fëmijëri me siguri dhe stabilitet, si dhe mundësi për të ecur përpara.
Gjithçka ndryshoi kur rrugëtimi i Evës mori një kthesë pas pjesëmarrjes në një ndërhyrje të mbështetur nga UNICEF në Bashkinë e Korçës.
Përmes programit “Shërbime Mbështetëse për Fëmijët dhe Familjet në Nevojë”, ajo mori ndihmën dhe udhëzimin që do të ndryshonin përgjithmonë rrjedhën e jetës së saj. Ajo ndoqi kurse prindërimi që i ofruan njohuri praktike dhe i forcuan besimin në aftësitë për të dashur dhe rritur fëmijët. Terapia psikologjike i dha një hapësirë për të përpunuar dhimbjen dhe për të ndërtuar forcën e saj emocionale. “Por nuk mbaroi me kaq,” thotë ajo. Duke kuptuar nevojën për të pasur të ardhura të vetat, Eva ndërmori një hap të rëndësishëm dhe u regjistrua në një kurs profesional për kujdesin ndaj fëmijëve.
“Me ndihmën e programit, gjeta një punë, e cila i dha familjes sime njëfarë stabiliteti financiar,” thotë Eva me lehtësim.
Ky stabilitet ishte diçka e re për të dhe i dha mundësinë të fokusohej tek ndërtimi i asaj që dëshiron për fëmijët e saj në afatgjatë.
Rrugëtimi i Evës është një mësim se si mbështetja dhe burimet e synuara mund të transformojnë jetën e një individi apo të një familjeje në krizë. Kombinimi i mbështetjes psikosociale, mbrojtjes sociale dhe fuqizimit ekonomik ishte thelbësor për të thyer ciklin e pasigurisë. Projekti, i zbatuar nga NISMA ARISIS në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së “Fuqizimi dhe Mbrojtja gjatë gjithë jetës në Shqipëri (LEAP)”, tregon se kur mbështetja e duhur jepet në kohën e duhur, familjet jo vetëm që mbijetojnë, por ndërtojnë edhe një fillim të ri.
*Emri është ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin e përfituesit të shërbimeve.