Ne mund të ndryshojmë jetë
Roli i psikologut të shkollës në zbatimin e modelit të paralajmërimit të hershëm dhe ndikimi i tij në jetën e nxënësve në risk.
Në këtë intervistë domethënëse, Kladiola reflekton mbi rrugëtimin e saj nga një studente kurioze në Tiranë në një profesioniste me përvojë të gjatë në komunitetin arsimor të Vlorës. Ajo ndan histori nxënësish që kanë zbuluar zërin e tyre, flet për dinamikat në zhvillim të bashkëpunimit mes mësuesve dhe prindërve, dhe paraqet një vizion frymëzues për të ardhmen e mbështetjes psikologjike në Shqipëri.
“Nuk ndryshojmë vetëm jetë,” thotë ajo. “Ne i shpëtojmë ato.”
Kladiola, na trego pak për veten tënde. Pse vendose të bëheshe psikologe? Cili ishte rrugëtimi yt? Nga kush e kishe mbështetjen më të madhe?
Punoj si psikologe prej 17 vitesh. Kam filluar punën si psikologe shkollore që në moshën 23-vjeçare, e sapodiplomuar, në arsimin e mesëm profesional në Vlorë. Jam diplomuar për Psikologji në Universitetin e Tiranës. Kam kryer Masterin Shkencor në Pedagogjinë e Specializuar Sociale në Universitetin e Vlorës dhe Masterin Profesional për Këshillim Psikologjik në Universitetin e Tiranës.
Vendimin për të studiuar Psikologji e kam marrë në vitin e katërt të shkollës së mesme, kur njoha më nga afër këtë fushë. Gjithmonë kam dashur të kuptoj sjelljet, mendimet dhe emocionet e njerëzve. Kisha kuriozitet për qenien njerëzore dhe një shtysë të brendshme për të qenë pranë njerëzve, për t’i kuptuar dhe ndihmuar.
Që atëherë, në rrugëtimin tim, psikologjia ka qenë gjithmonë e pranishme: në punë, në studime, në lexime e shkrime dhe në qasjen time ndaj jetës dhe njerëzve. Në atë kohë, psikologjia dhe roli i psikologut shkollor ishin një risi në vendin tonë, pak të kuptuara dhe pak të mbështetura. Megjithatë, gjatë gjithë kohës kam pasur mbështetjen e prindërve të mi, të cilët besuan në zgjedhjen time. Më pas, pedagogët e mi kanë qenë shembuj dhe modele frymëzimi për mua, si dhe vetë puna me njerëzit.
Kur shoh që mund të kuptoj përtej asaj që duket dhe të ndihmoj vërtet, kjo më bën të besoj se ia ka vlejtur dhe vazhdon të vlejë, pavarësisht vështirësive.
Si psikologe shkolle e trajnuar për modelin e Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm të braktisjes shkollore në shkollat e Arsimit dhe Formimit Profesional në Shqipëri në dy shkolla profesionale dhe për komponentët e të nxënit socio-emocional, cili ka qenë momenti kryesor kur keni parë qartë se ky model po bënte diferencë reale në jetën e një nxënësi në rrezik braktisjeje? A keni ndonjë shembull apo histori?
Ka pasur disa raste suksesi të nxënësve që janë vlerësuar me risk për të braktisur shkollën. Kam parë reflektime reale, të cilat edhe mua më kanë surprizuar.
Në një prej aktiviteteve psiko-emocionale të zhvilluara, një nxënëse ndau një reflektim të thellë dhe të plotë mbi impaktin që ndërhyrjet dhe trajtimi nga stafi kishin pasur tek ajo. Nxënësja në fjalë kishte shumë faktorë risku: situatë familjare dhe ekonomiko-sociale të vështirë, si dhe një qasje problematike ndaj shkollës.
Vëmendja e kushtuar ndaj saj, bisedat në takimet individuale dhe përfshirja në grupe dhe aktivitete patën një ndikim shumë pozitiv. Ajo qesh më shumë, keqkupton më pak, është e pranishme në orët mësimore, gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar dhe për të dhënë kontribut për klasën apo shkollën.
Çfarë kam vënë re është se ka reflektuar mbi veten dhe ka zhvilluar një sens kritik pozitiv ndaj vetes dhe shoqërisë. Është më e gatshme të komunikojë mendimet e saj, të shprehet më tepër dhe të pranojë këshilla.
Trajnimet dhe mentorimi mujor synonin forcimin e qasjes “me bazë shkolle”. Si ka ndryshuar roli juaj si psikologe në bashkëpunimin me mësuesit, drejtuesit dhe prindërit pas implementimit të strategjive të këtij modeli? Po me nxënësit?
Roli i psikologut është qartësuar dhe forcuar më tej, duke i dhënë rëndësinë e duhur në raport me të gjithë aktorët brenda dhe jashtë shkollës. Marrëdhënia me mësuesit, si menaxherë të rastit, është bërë më e domosdoshme, si për vlerësimin e rastit ashtu edhe për vendosjen e strategjive të ndërhyrjes për secilin nxënës.
Drejtuesit, mësuesit dhe prindërit janë më të ndërgjegjësuar për rëndësinë dhe efektin e rolit të psikologut. Ata kërkojnë më shumë bashkëpunim me psikologun e shkollës, për t’u konsultuar dhe këshilluar, si dhe për të marrë orientime apo vlerësime për ecurinë e rasteve.
Kjo qasje e re i ka dhënë rëndësinë e duhur psikologut në shkollë dhe kjo është një gjë shumë pozitive edhe për të ardhmen. Edhe me nxënësit, marrëdhënia është bërë më e strukturuar, më e qëndrueshme dhe më e orientuar drejt rezultateve konkrete.
Ndërhyrjet socio-emocionale pjesë të këtij modeli synojnë jo vetëm parandalimin e braktisjes, por edhe rikthimin e motivimit të nxënësit në risk braktisjeje. Cilat janë shenjat e para që ju tregojnë se një nxënës po rifiton besimin dhe lidhjen me shkollën?
Motivimi është ndër gjërat e para që vlerësoj në një rast braktisjeje. Nxënësit në risk janë pothuajse gjithmonë pak të motivuar. Mund t’i motivosh së jashtmi, por më e vështirë është t’i motivosh së brendshmi.
Gjatë aktiviteteve me ta, përpiqem që secilin ta motivoj nga brenda, duke ditur paraprakisht çfarë duan, çfarë interesash, talentesh apo hobish kanë, si e kalojnë kohën e lirë, çfarë u pëlqen dhe çfarë jo.
Kjo më jep mundësi t’i drejtohem secilit individualisht dhe t’i kushtoj vëmendje si person, duke evidentuar pikat e forta, duke i vlerësuar ato dhe duke i përdorur për arritje konkrete. Përpiqem që potencialin individual ta harmonizoj në një arritje të përbashkët, në mënyrë që secili të japë më të mirën brenda grupit dhe të arrijë të bëjë diçka të bukur dhe të suksesshme. Kështu, suksesi është i secilit, por edhe i të gjithëve njëkohësisht.
Aktivitetet dhe takimet në grup përpiqem t’i ndërtoj mbi këtë filozofi, në mënyrë që nxënësit të zhvillojnë paralelisht aftësitë personale dhe ato sociale. Ndodh që ata zbulojnë ngjashmëri mes njëri-tjetrit, kuptojnë se mund të kenë menduar gabim, apo se një situatë mund të ketë shumë këndvështrime dhe “ngjyra”. Zbulojnë veten dhe tjetrin, dhe kjo i gëzon, pasi janë kureshtarë, duan të njohin, të njihen dhe të jenë pjesë.
Duke qenë se modeli tashmë është institucionalizuar nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, si e shihni të ardhmen e këtij modeli në shkollat profesionale dhe çfarë mesazhi do t’u jepnit kolegëve që ende nuk e kanë zbatuar këtë qasje?
Uroj që kjo qasje të zbatohet institucionalisht në çdo shkollë, sepse është tepër e nevojshme dhe efektive për të rinjtë. Arrin të përmbushë shumë aspekte në të njëjtën kohë dhe përfshin të gjithë aktorët brenda dhe jashtë shkollës.
Është e qartë dhe mjaft ndihmuese për stafin shkollor, familjen dhe shoqërinë, por sidomos për secilin nxënës. Ky model mund të parandalojë shumë mirë, por edhe të trajtojë apo të mbrojë përmes ndërhyrjes së duhur nga ana e shkollës.
Mendoj se shkolla, si institucion, ka nevojë për modele të tilla, të cilat duhet jo vetëm të adaptohen, por të bëhen praktikë themelore për parandalimin dhe trajtimin e fenomeneve që prekin të rinjtë. Nëse bëhet pjesë organike e institucionit, ky model mund të ndihmojë shumë dhe të rezultojë vërtet një sukses.
Gjej rastin të përshëndes të gjithë kolegët e mi dhe t’u them se përdorimi i këtij modeli i ndihmon në punën e tyre dhe i bën më të suksesshëm në trajtimin e rasteve. Nëpërmjet bashkëpunimit me të gjithë aktorët, puna jonë mund të parandalojë shumë dhe të ketë sukses.
Ne mund të përmirësojmë jetë.
Ne mund të ndryshojmë jetë.
Ne mund të shpëtojmë jetë.