Zhvillimi i potencialit të çdo nxënësi përmes projektit Eduten
Zbuloni si shkolla “100 Vjetori” në Kamëz po përdor me sukses këtë platformë
Disa ditë më parë, vizituam shkollën 9-vjeçare “100 vjetori” në Kamëz, një periferi e Tiranës, ku nxënësit po ripërcaktojnë mënyrën se si mësohet matematika. Falë platformës Eduten, e prezantuar së fundmi nga UNICEF, matematika ka kaluar nga një lëndë shpesh frikësuese në një përvojë tërheqëse dhe argëtuese. Mësuesja e matematikës, Fatbardha, tregoi me entuziazëm se si funksionon programi dhe si ka ndezur një pasion të ri për të mësuar tek nxënësit.
Egli, është një prej nxënësve që e ka përjetuar këtë ndryshim. Ai është 10 vjeç dhe gjithmonë e ka pëlqyer matematikën, por nuk e kishte imagjinuar kurrë që mund të ishte kaq zbavitëse. Me qasjen e Eduten të bazuar në lojë, ai jo vetëm që mëson më shpejt, por edhe e shijon çdo moment. Madje ushtrohet edhe në shtëpi. Ndërsa ëndërron të bëhet futbollist, ai e sheh arkitekturën si një alternativë për të ardhmen.
Po ashtu është edhe Gresi, gjithashtu 10 vjeçe, e cila ka fituar një nivel të ri pavarësie në mësime. Tani ajo mund të ndihmojë vëllain ose motrën më të vogël me detyrat e shtëpisë dhe prindërit nuk kanë më nevojë të kalojnë orë të tëra duke e ndihmuar. Ëndrra e Gresit? Të bëhet mjeke. Me vetëbesimin e ri që ka fituar, ajo është në rrugën e duhur për ta arritur.
Drejtoresha e shkollës, Maide Uka, e cila i ka kushtuar 30 vite arsimit, është po aq entuziaste për programin. Ajo e sheh Eduten si një mënyrë për ta bërë të mësuarit efektiv dhe të këndshëm. Megjithatë, ajo pranon sfidat: nevojën për më shumë laptopë (shkolla aktualisht ka vetëm 16) dhe trajnim shtesë teknologjik për mësuesit, në mënyrë që ta përqafojnë plotësisht këtë qasje novatore.
Platforma e sapo prezantuar Eduten po i ndihmon mësuesit të realizojnë ëndrrën për ta bërë matematikën të thjeshtë dhe argëtuese për çdo nxënës në shkollë. “Si me çdo gjë të re, ka sfida përpara, si tejkalimi i frikës fillestare nga teknologjia dhe kufizimet e burimeve. Por ndikimi është i padiskutueshëm, Eduten po ndërton vetëbesim, po nxit dashurinë për të mësuar dhe po tregon se arsimi mund të jetë njëkohësisht inovativ dhe gjithëpërfshirës,” thotë drejtoresha e shkollës.
Pas vizitës dhe vëzhgimit të progresit të fëmijëve, Murat Sahin, Përfaqësues i UNICEF-it, inkurajoi mësuesit të përqafojnë inovacionin dhe të mësojnë nga praktikat më të mira në mbarë botën, duke theksuar:
“Kur jemi të hapur ndaj teknikave të reja, ne çlirojmë zgjidhje të fuqishme. Duke mësuar nga ajo që funksionon globalisht dhe duke e përshtatur lokalisht, ne mund të transformojmë klasat. UNICEF mbetet i përkushtuar për të mbështetur Ministrinë e Arsimit, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë mjetet që i nevojiten për të pasur sukses.”
E zbatuar në partneritet me Ministrinë e Arsimit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, Agjencinë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Qendrën Globale të Inovacionit në Mësim të UNICEF-it, kjo nismë është në përputhje me Strategjinë Kombëtare të Arsimit 2021–2026, duke kontribuar në avancimin e kompetencave digjitale dhe praktikave gjithëpërfshirëse në mësimdhënie.