Përtej klikimeve

Rinia, siguria online dhe ndërtimi i një interneti më të sigurt për të gjithë.

Esti Piranej
girl smiling in a conference surrounded by people in the background
UNICEF
25 Qershor 2026

Nuk e mbaj mend saktësisht momentin kur interneti u bë pjesë e jetës sime sepse, në një farë mënyre, ai ka qenë gjithmonë aty. Ka një moment të vogël që më ka mbetur në mendje,hera e parë që kuptova se një ide që postova online mund të arrinte tek njerëz që nuk i njihja fare. Ishte një ndjesi e çuditshme pak frikë, por shumë emocion. Që nga ai moment, interneti nuk ishte më thjesht një vend për të kaluar kohën. U bë një hapësirë ku mund të shprehesh, të ndikosh, të lidhesh. Si një e re sot, një pjesë e jetës sime zhvillohet aty. Mësoj online, komunikoj online, bashkëpunoj online. Kam ndërtuar ide, kam marrë pjesë në iniciativa, kam ndjerë mbështetje nga njerëz që nuk i kam takuar kurrë fizikisht. Interneti më ka dhënë mundësi që ndoshta më parë do të dukeshin të largëta.

girl smiling in a conference surrounded by people in the background

Por, bashkë me këto mundësi, vjen edhe një përgjegjësi e cila është të kuptosh këtë hapësirë, ta përdorësh me kujdes dhe të mos humbasësh veten brenda saj.

Koha që kalojmë online shpesh kalon pa u ndjerë. Ndërsa një pjesë e saj na zhvillon dhe na lidh me të tjerët, një pjesë tjetër mund të na lodhë, të na ndikojë emocionalisht apo të na bëjë të krahasojmë veten me të tjerët përsa i përket stilit të veshjes, pushimeve që bëjmë, vendeve që frekuentojnë, teknologjinë më të fundit që përdorin etj  mënyra këto që nuk na ndihmojnë por na ndikojnë dhe emocionalisht kur nuk janë mundësitë për tia plotësuar vetes këto kushte. Por sfida e vërtetë e “jetës online” është të gjejmë balancën.

Në Shqipëri, kjo sfidë bëhet edhe më reale. Fëmijët dhe të rinjtë po hyjnë gjithnjë e më herët në botën digjitale, shpesh pa udhëzimin e duhur. Ata kanë akses në informacion dhe mundësi, por njëkohësisht përballen me rreziqe si bullizmi online, humbja e privatësisë, përmbajtjet e dëmshme dhe dezinformimi.

Dhe pikërisht këtu bëhet thelbësore të dëgjojmë zërin e tyre.

Të dhënat nga U-Report tregojnë një realitet interesant, vetëm një përqindje shumë e vogël e të rinjve ndihen gjithmonë të dëgjuar kur merren vendime për platformat që përdorin. Kjo tregon një distancë mes tyre dhe mes politikëbërësit që ndërtojnë apo rregullojnë këto hapësira.

Megjithatë, të rinjtë nuk janë pasivë. Përkundrazi, ne jemi aktivë, të informuar dhe shpesh-herë kritikë. Shumica prej nesh e përdorim teknologjinë si Inteligjenca Artificiale rregullisht dhe nuk e marrim informacionin si të mirëqenë por kërkojmë më shumë informacion duke e verifikuar. Kjo është një tregues që brezi ynë po kërkon të kuptojë, jo vetëm të konsumojë informacionin e marrë.

Ajo që mbetet në qendër të përvojës online është diçka shumë njerëzore e cila është lidhja me të tjerët. Komunikimi me miqtë dhe familjen është arsyeja kryesore pse të rinjtë janë online. Kjo tregon se, pavarësisht teknologjisë, ne ende vazhdojmë të kërkojmë afërsinë me njerëzit tanë të dashur.

girl smiling with documents in her hands

Siguria dhe privatësia vinë si një kërkesë e qartë bashkë me komunikimin. Ne si të rinjë duam të ndihemi të mbrojtur, të kemi kontroll mbi të dhënat tona personale dhe të duam që të krijohet një një sistem që na mbështet dhe luan rolin e rregullatorit më politika të caktuara lidhur me jetën online. Ne kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe një jetë online të sigurtë.

Në të njëjtën kohë, varësia nga ekranet, presioni social, ndjesia e izolimit sjell shqetësime për ndikimin emocional në jetën tonë të përditshme. Këto janë sfida reale që tregojnë se jeta online nuk është vetëm teknologji, por edhe përvojë njerëzore.

Personalisht, një nga momentet që më ka mbetur më shumë në mendje lidhet me një përvojë timen gjatë angazhimit në aktivitete rinore. Një ditë, teksa po përgatisja materiale për një aktivitet online, mora një mesazh një link që dukej krejtësisht i besueshëm. Në pamje të parë nuk kishte asgjë të dyshimtë dhe instinkti im i parë ishte ta hapja menjëherë. Megjithatë, vendosa të kontrolloja burimin dhe kuptova se bëhej fjalë për një përpjekje për të marrë të dhënat e mia personale. Ishte një situatë e thjeshtë, por më bëri të kuptoj sa lehtë mund të mashtrohet dikush nëse nuk është i informuar, gjë të cilën e ndava me miqtë e mi që të jenë të vëmendshëm dhe të kenë kujdes në rast se një link i tillë do tu shkojë dhe tyre në telefonat e tyre dhe ta raportojnë atë.

Pas kësaj eksperience, fillova t’i kushtoj edhe më shumë rëndësi sigurisë online dhe ta ndaj këtë mesazh me të rinjtë që takoj përmes aktiviteteve që zhvillohen nga Unicef, plotësimin e pyetësorëve rreth sigurisë online që zhvillohen në U-Report si dhe nismave të tjera rinore. Kam kuptuar se shumë prej nesh përdorin internetin çdo ditë, por jo gjithmonë dimë si të mbrojmë veten.

Kjo është arsyeja pse edukimi për përdorimin e sigurt të internetit është kaq i rëndësishëm. Sepse një brez i informuar është një brez i fuqizuar. Dhe një brez i fuqizuar mund të ndërtojë një hapësirë online më të sigurtë dhe më respektues ndaj lirisë së tjetrit për të gjithë.                                                                                                         

Në fund, jeta online nuk është e ndarë nga jeta reale e përditshme. Ajo është vazhdimi i saj. Çdo koment që shkruajmë, çdo foto apo informacion që shpërndajmë dhe çdo zgjedhje që bëjmë online ndikon tek ne, familjarët tanë dhe tek të tjerët. Prandaj, “jeta online, rrjetet sociale” që duam nuk ndërtohet vetëm nga kompanitë e teknologjisë apo institucionet ai duhet të ndërtohet duke u konsultuar me në të rinjtë. Dhe ndoshta hapi i parë për ta bërë atë më të sigurt është të jemi përdorues më të vetëdijshëm, më kritikë dhe më të përgjegjshëm. Sepse jeta online është pasqyra e shoqërisë që po krijojmë.