Aty ku fillon e ardhmja

Shkollat, teknologjia dhe të rinjtë në Peqin

Amelia Cani, Adolescent Advisory Board (AAB)
amelia standing on a chair holding a notebook in her hands
UNICEF Albania/2026/Amelia_Cani
07 Shtator 2026

Jam nxënëse në gjimnazin “Mustafa Kemal Ataturk” në Peqin dhe jam gjithashtu pjesë e Bordit Këshillimor të Adoleshentëve të UNICEF-it. Në këtë rol, dëgjoj zërin e të rinjve të tjerë dhe ngre zërin për çështjet që ndikojnë në arsimimin tonë. Në këtë artikull dua të tregoj se si është në të vërtetë shkolla për ne – çfarë na pëlqen, cilat janë vështirësitë me të cilat përballemi dhe çfarë mendojmë se mund ta bëjë përvojën tonë shkollore më të mirë.

Shkollat e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me notat. Ato ndikojnë në mënyrën se si mendojmë, sa të sigurt ndihemi në veten tonë dhe sa të përgatitur jemi për jetën pas përfundimit të shkollës. Në një botë ku kompjuterët dhe inteligjenca artificiale janë tashmë pjesë e përditshmërisë, nuk mund t'i zhvillojmë këto aftësi pa pasur bazat e nevojshme, si laboratorët e informatikës.

Në Peqin, mundësitë janë përgjithësisht më të kufizuara krahasuar me qytetet më të mëdha. Pikërisht për këtë arsye, investimi në shkollat tona është kaq i rëndësishëm – jo si një luks, por si diçka që çdo nxënës e meriton.

Amelia working on a laptop in her class in front of a screen projector

Çfarë u mungon shkollave tona

Shkolla duhet të jetë një vend ku mësojmë dhe zhvillohemi, por shpesh ndërtesat tona shkollore e bëjnë këtë më të vështirë nga sa duhet. Disa prej tyre janë të vjetra dhe kanë nevojë për riparime. Ngrohja nuk funksionon gjithmonë siç duhet gjatë dimrit. Gjithashtu, na mungojnë hapësirat për punë në grup dhe për aktivitete pas mësimit.

Mangësia më e madhe është mungesa e laboratorëve. Shumica e shkollave në Peqin, përfshirë edhe shkollën time, nuk kanë laboratorë. Shkencat mbeten kryesisht në nivelin teorik; ne lexojmë për eksperimentet në vend që t'i zhvillojmë ato vetë.

Më kujtohet një orë mësimi kur mësuesi ynë i kimisë përdori disa sende të thjeshta që gjenden në çdo shtëpi për të demonstruar një eksperiment. Nuk ishte diçka e sofistikuar, por më ndihmoi ta kuptoja mësimin në një mënyrë që vetëm leximi nuk do të mund ta bënte. Momente të tilla tregojnë se çfarë mund të arrijmë edhe me pak pajisje, por ato nuk duhet të mbeten përjashtim.

Amelia presenting something on the projector in her classroom

Të mësuarit pa mjetet e duhura

Klasat e përshtatshme dhe pajisjet funksionale e bëjnë më të lehtë si për mësuesit të japin mësim, ashtu edhe për ne të mësojmë. Kur këto mungojnë, është më e vështirë të përqendrohemi dhe disa lëndë mbeten abstrakte, në vend që t'i mësojmë përmes praktikës.

Nxënësit në Tiranë ose Durrës shpesh kanë laboratorë informatike, akses në internet dhe hapësira ku mund të zhvillojnë projekte. Në Peqin, zakonisht nuk i kemi këto mundësi. Megjithatë, nxënësit dhe mësuesit këtu gjejnë mënyra për t'ia dalë. Por ia vlen të shtrojmë një pyetje: sa më shumë do të mund të arrinim nëse do të kishim mjetet e duhura?

A group of young students in classroom

Inteligjenca artificiale: një mjet që nuk përdoret shumë

Inteligjenca artificiale (IA) po ndryshon tashmë mënyrën se si të rinjtë mësojnë, edhe në disa zona të Shqipërisë. Sipas U-Report Albania, 31 për qind e të rinjve përdorin IA për të mësuar gjëra të reja, ndërsa 25 për qind e përdorin për t'i ndihmuar në detyrat e shkollës.

Megjithatë, në shkollën time, IA përmendet shumë rrallë. Shumë mësues dhe nxënës nuk kanë akses të qëndrueshëm në internet ose pajisje të përshtatshme, e aq më pak trajnim për mënyrën se si t'i përdorin ato në mënyrë efektive. Pa infrastrukturën bazë të nevojshme, edhe teknologjia më e dobishme mbetet e paarritshme.

Edhe inteligjenca artificiale ka anët e saj negative, për shembull, rreziku që të mbështetemi tepër tek ajo në vend që të mendojmë në mënyrë të pavarur. Por të mësosh ta përdorësh atë me përgjegjësi fillon duke pasur realisht akses në të.