Çfarë duhet të dini për “sharenting” [shpërndarja e përmbajtjeve mbi fëmijët tuaj]?

Këshilla nga ekspertët për mbrojtjen e privatësisë së fëmijës suaj në epokën digjitale.

UNICEF
Young children holding a phone
UNICEF
11 Shtator 2024

Prindërimi në epokën digjitale nuk është detyrë e lehtë. Mediat sociale, telefonat inteligjentë dhe teknologjitë e tjera po përparojnë me ritme më të shpejta nga sa po rriten fëmijët tanë dhe ndonjëherë nuk e kemi të qartë se si t'i përdorim në mënyrë të sigurt; edhe kur kemi qëllime të mira.

Shumë prindër dhe kujdestarë shpërndajnë fotot e fëmijëve dhe adoleshentëve të tyre sepse duan që miqtë dhe familjarët e tyre të jenë pjesë e momenteve më të lumtura të jetës së tyre. Megjithatë, është me rëndësi të tregoni kujdes ndaj rreziqeve që sjell shpërndarja e përmbajtjeve mbi fëmijët tuaj në internet ose “sharenting”.

Folëm me eksperten e “sharenting” Stacey Steinberg, për mënyrën se si mund të mbroni privatësinë e fëmijës suaj në internet duke respektuar pikëpamjet e tyre dhe duke u mësuar vlerat e pëlqimit.

Çfarë është “sharenting”?

Stacey Steinberg: Unë e përkufizoj “sharenting” si ajo çka prindërit bëjnë kur flasin për fëmijët e tyre jashtë rrethit familjar: Një postim në media sociale me një fotografi, një postim blogu për fëmijën e tyre, një video në një platformë dërgimi mesazhesh si WhatsApp-i etj. 

Kur shpërndajmë gjëra në internet për fëmijët tanë pa i përfshirë ata në procesin e vendimmarrjes, po humbasim mundësinë e çmuar për t'u dhënë shembullin dhe për t'u mësuar fëmijëve tanë konceptin e pëlqimit.

Çfarë është e rëndësishme të dinë prindërit dhe kujdestarët kur mendojnë të shpërndajnë përmbajtje mbi fëmijët e tyre në internet?

Duhet të marrim parasysh dy gjera kryesore sa i përket shpërndarjes së përmbajtjeve mbi fëmijët tanë.

E para është lëndimi real që fëmijët mund të përjetojnë kur prindërit shpërndajnë materiale në internet. Për shembull, ka të rritur që mund të duan të ndërveprojnë ose të lëndojnë fëmijët e dikujt si pasojë e përmbajtjeve që mund të kenë parë në internet. Në disa vende, ka agjentë të dhënash që krijojnë dosje digjitale mbi fëmijët tanë mbështetur në informacionin që shpërndajmë; mbase duke parashikuar se çfarë do të thoshin ose do të bënin fëmijët tanë, apo sëmundje që ata mund të kenë në të ardhmen në bazë të informacioneve që shpërndajmë.

Edhe fotografitë e rreme janë shumë shqetësuese – ato janë kërcënim pasi mund të përdoren për qëllime të paligjshme ose dashakeqe, që mund të shkaktojnë dëme, ose dikush mund të krijojë një meme që mund të bëhet virale dhe ta paraqesë fëmijën negativisht. Për fat të mirë duket se për momentin këto ngjarje nuk janë shumë të zakonshme, por nuk e dimë se çfarë sjell e ardhmja ose se si kjo gjë mund të ndryshojë me përparimin e teknologjive, si inteligjenca artificiale.

E dyta është se kur shpërndajmë gjëra në internet për fëmijët tanë pa i përfshirë ata në procesin e vendimmarrjes, po humbasim mundësinë e çmuar për t'u dhënë shembullin dhe për t'u mësuar fëmijëve tanë konceptin e pëlqimit dhe për t'u treguar se e vlerësojmë privatësinë.

Kur fëmijët tanë janë në një moshë që mund t'i përdorin vetë mediat sociale, shpresojmë se do ta respektojnë privatësinë tonë dhe nuk do të shpërndajnë fotografitë tona, që nuk duam të shpërndahen. Gjithashtu, duam të respektojnë privatësinë e bashkëmoshatarëve të tyre dhe të mos postojnë fotografi të fëmijëve ose të rriturve të tjerë pa pëlqimin e tyre.

Si ndihen fëmijët për “sharenting”?

Pavarësisht se sa të rritur jemi, na pëlqen të kemi autonomi. Të gjithë i çmojmë fotografitë tona individuale, qofshin ato nga mosha katër ose pesë vjeç, kur donim të vishnim fustanin ngjyrë rozë e jo vjollcë, apo kur kemi qenë 12 ose 13 vjeç dhe donim ose nuk donim të na shihnin kapur për dore me gjyshen. Këto mund të jenë gjëra të vogla për të rriturit, por kanë shumë vlerë për fëmijët tanë. Fëmijët kanë ndjesi të mëdha dhe duhet t'u lëmë hapësirë për t'i shprehur ato. Fëmijët e vegjël nuk mund të japin pëlqim të informuar mbi shpërndarjen. Duhet të marrim parasysh se si do të ndiheshin nëse do të kishim mundësi të bënim biseda më të thella me ta dhe nëse do të mundnin të shpreheshin.

Gjithashtu, nëse shpërndajmë diçka shumë pranë një aktiviteti dhe ia tregojmë fëmijës imazhet apo videot që kemi regjistruar, kam pak frikë se kjo gjë mund të sjellë rikrijimin e fëmijërisë. Pra, duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm lidhur me çfarë shpërndajmë. Kur jemi me fëmijët tanë, duhet t'i lëmë pajisjet digjitale në mënyrë që të shijojmë momentin dhe të mos jemi duke parë kryefaqen. Kështu u mundësojmë fëmijëve të krijojnë kujtime përtej imazheve dhe videove që kemi regjistruar në pajisjet tona.

Si mund ta mbrojnë prindërit privatësinë e fëmijëve të tyre në një botë digjitale?

Ajo që prindërit mund të bëjnë, është të shmangin shpërndarjen e informacioneve personale për fëmijët e tyre, si historitë apo fotografitë e sikletshme, edhe nëse u duken për të qeshur. Është e rëndësishme të përpiqeni të kuptoni pikëpamjen e fëmijës suaj. Gjithashtu, prindërit nuk duhet të shpërndajnë fotografi të fëmijëve të tyre lakuriq, sepse fatkeqësisht ka persona të ligj, që mund t'i përdorin ato fotografi për qëllime dashakeqe.

Për më tepër, prindërit mund të flasin me fëmijët e tyre lidhur me gjërat që shpërndajnë dhe procesin që ndjekin për të vendosur nëse diçka nuk është e përshtatshme për t'u shpërndarë. Kur jemi duke zgjidhur një problemë matematikore nuk duam thjesht të përdorim makinën llogaritëse për të na dhënë përgjigjen; duam të tregojmë punën tonë. Kjo është një mundësi e mirë për t'u treguar fëmijëve se si mendojmë për ato që shpërndajmë.

Megjithatë, është e rëndësishme të mbajmë parasysh se prindërit nuk mund ta bëjnë vetëm këtë gjë. E gjithë kjo mbrojtje dhe krijimi i hapësirave më të sigurta për familjet u takon edhe politikëbërësve dhe platformave digjitale. Nuk është e drejtë të presim që prindërit të kuptojnë se si funksionojnë platformat dhe teknologjia, veçanërisht me ndryshimet e shpejta që po pësojnë.

Si mund t'u kërkojnë prindërit të tjerëve të mos postojnë fotografi të fëmijëve të tyre?

Bëni biseda të sinqerta me miqtë dhe të afërmit sa i përket preferencave tuaja për shpërndarjet, por kini parasysh se shpërndarja e informacionit mbi fëmijët në mediat sociale është diçka e re dhe jo të gjithë i kanë dhënë vëmendje të barabartë çështjes. Nisini këto biseda me mendimin se duke komunikuar më shumë, jo më pak, do të ndihmoni që dëshirat tuaja të merren parasysh nga të tjerët në jetët e fëmijëve tuaj.

Sa i përket shkollave dhe organizatave të tjera, mund të pyesni nëse kanë politika për shpërndarjet në media sociale. Nëse nuk kanë, prindërit mund të ofrojnë ndihmën e tyre për të krijuar një të tillë, duke kuptuar se edhe prindër të tjerë në organizatë ose shkollë mund të duan të kontrollojnë qarkullimin e imazheve ose informacioneve mbi fëmijët e tyre.

Si mund të shpërndajnë prindërit dhe kujdestarët fotografitë dhe videot e fëmijëve të tyre në mënyrë të sigurt?

Shpërndarja nuk mund të jetë asnjëherë 100 për qind e sigurt. Gjithmonë çështja është si t'i ekuilibrosh rreziqet dhe ato që prindërit i perceptojnë si përfitime.

Sa i përket familjeve që planifikojnë të shpërndajnë përmbajtje mbi fëmijët e tyre në internet, është e rëndësishme të marrin parasysh audiencën me të cilën po i shpërndajnë (cilat janë konfigurimet tuaja të privatësisë në profilet tuaja në mediat sociale, sa mirë i njihni njerëzit ose personat që keni shtuar si miq apo ndjekës etj.), sa informacion shpërndajnë [si vendndodhje dhe elemente të identifikueshme siç janë logot e shkollave] dhe nëse informacioni mund të jetë ose jo i sikletshëm apo i dëmshëm për fëmijët e tyre tani ose në të ardhmen.

Ne kapemi pas idesë se fëmijët janë pjesë e identitetit tonë, por në fund të fundit fëmijët tanë kanë ndjenjat e tyre. Të shpërndajmë për veten tonë është një gjë, ndërkohë të shpërndajmë për familjarët tanë është tjetër gjë.

Fëmijët tanë janë gjenerata e parë që po rriten duke u shpërndarë përmbajtje rreth tyre. Jemi gjenerata e parë e prindërve që po i rrisim fëmijët mes mediave sociale, gjë që është e vështirë.

Çfarë mund të bëni nëse keni postuar shumë për fëmijët tuaj dhe tani po e mendoni sërish?

Merrni frymë thellë! Pjesa më e madhe e prindërve, që shpërndajnë shumë, nuk kanë qëllime dashakeqe. Shpesh, kur prindërit shpërndajnë, nuk e vlerësojnë rëndësinë e gjurmëve digjitale të fëmijës së tyre.

Nëse një prind po rimendon se si dhe sa të shpërndajë, është mirë që si fillim të shohë se çfarë ka shpërndarë në të shkuarën dhe ta fshijë nëse mundet. [Në disa platforma, mund të kërkoni heqjen e një imazhi nëse nuk mund ta bëni vetë.]

Gjithashtu, prindërit mund të fillojnë t'i përfshijnë fëmijët rreth moshës 9-10 vjeç në procesin e lundrimit në kryefaqet e mediave sociale dhe fshirjes së gjërave që nuk lidhen më me ta. Këtë gjë, pra të lundroni dhe të shihni se çfarë keni shpërndarë dhe mbase të fshini informacionet e vjetra, duhet ta bëni rregullisht çdo disa muaj.

Mendoj se fëmijët e vlerësojnë që ne i përfshijmë në këtë proces lundrimi. Nuk është e lehtë. Fëmijët tanë janë gjenerata e parë që po rriten duke u shpërndarë përmbajtje rreth tyre. Jemi gjenerata e parë e prindërve që po i rrisim fëmijët mes mediave sociale, gjë që është e vështirë.


Stacey Steinberg është nënë, profesoreshë e së drejtës dhe drejtoreshë e Qendrës për Fëmijët dhe Familjet në Universitetin e Floridas. Ajo është autore e librit më të shitur të prindërimit “Growing up shared: How parents can share smarter on social media and what you can do to keep your family safe in a no privacy world.” [Të rritesh mes shpërndarjesh: Si mund të shpërndajnë prindërit më me zgjuarsi në mediat sociale dhe çfarë mund të bëni për ta mbrojtur familjen tuaj në një botë pa privatësi.]