10 mënyra për të krijuar zakone të shëndetshme digjitale në shtëpi
Këshilla nga ekspertët për përmirësimin e marrëdhënies së familjarëve tuaj me teknologjinë – dhe me njëri tjetrin.
Nuk është e lehtë t’i rritësh fëmijët në epokën digjitale. Mund të jetë e vështirë të ndjekësh ritmin e teknologjive në zhvillim dhe të kuptosh se si t’i balancosh rreziqet dhe mundësitë që ofrohen. Ne folëm me Dr. Jacqueline Nesi, eksperte e kontrolleve prindërore, lidhur me këshillat e saj kryesore për krijimin e një marrëdhënieje të shëndetshme me teknologjinë në familje.
Komunikoni herët dhe shpesh për rolin e teknologjisë në jetën tuaj familjare.
1. Pyetini fëmijët tuaj për pajisjet e tyre, njësoj siç do t’i pyesnit për çdo veprimtari tjetër ku angazhohen. Mësoni se çfarë u pëlqen e çfarë nuk u pëlqen te këto pajisje, sa shpesh i përdorin dhe çfarë funksionon për ta.
2. Bisedoni për risqet e përdorimit të teknologjisë. Flisni me fëmijët tuaj haptas për shqetësimet që mund të keni, si pajisjet që pengojnë aktivitetet e tjera, shqetësimet për përmbajtjet që mund të shohin ose gjërat që mund të bëjnë në internet.
Është e rëndësishme t’u themi fëmijëve tanë qartazi (dhe shpesh) se duam që të na tregojnë për vështirësitë që mund te hasin në internet. Mund të provoni t’u thoni kështu: “Mund të jetë e vështirë të përballesh me çdo situatë që ndodh ne internet. Mund të ketë gjëra që do të të mërzisin ose do të të ngatërrojnë dhe dua që kur të përballesh me këto gjera, të më tregosh në mënyrë që t’i zgjidhim së bashku.”
Gjithashtu, duhet të bëjmë kujdes me mënyrën se si u përgjigjemi fëmijëve tanë kur na i tregojnë këto problematika. Si prindër, mund të na duket e çuditshme, madje edhe e frikshme kur fëmijët na tregojnë për diçka që kanë hasur në internet. Është tunduese të duam të përfshihemi dhe t’u tregojmë menjëherë se ku kanë gabuar, ose t’u marrim pajisjen për t’i mbrojtur. Megjithatë, një përgjigje e mirë ndaj këtyre situatave mund të ishte: “Të falënderoj që ma tregove”. Pas kësaj, do të ketë më shumë gjasa që fëmija të na shprehet kur të përballet sërish me vështirësi në internet.
3. Vëreni problematikat e vërteta Është e rëndësishme që të mos ia lini fajin teknologjisë për çdo gjë. Ndonjëherë ka gjëra të tjera që ndikojnë në mënyrën se si fëmijët i përdorin pajisjet e tyre. Për shembull, nëse një adoleshent po shpenzon shumë kohë në rrjete sociale duke rifreskuar kryefaqen, mund të jetë koha të bëni një bisedë për atë çka po ndodh në të vërtetë. Mund të jetë i shqetësuar për atë që njerëzit mendojnë për të, ose mund të mos ketë vetëbesim në shkollë apo me bashkëmoshatarët.
Caktoni kufij të përshtatshëm për familjen tuaj.
4. Vendosni rregulla “po” ose “jo”. Rregullat “po” janë gjëra që fëmija juaj mund t’i bëjë. Si dëshironi që të sillet në internet? Çfarë do të thotë të jesh qytetar i mirë digjital? Si është përdorimi “i shëndetshëm” i teknologjisë në familjen tuaj? Nga ana tjetër, rregullat “jo” janë gjëra, të cilat nuk doni që fëmija t’i bëjë (si bullizimi i të tjerëve) ose gjera që nuk duhet t’i bëjë në internet për arsye sigurie (si dhënia e informacioneve personale).
Flisni me fëmijët tuaj, tregojuni se gabimet ndodhin dhe se nuk ka problem, pasi ata janë ende duke mësuar dhe duke u praktikuar për qytetarinë digjitale. Për disa familje mund të jetë e dobishme t’u sigurojnë fëmijëve se nuk do të jenë “në telashe” nëse do të tregohen të sinqertë dhe do të tregojnë vështirësitë që kanë.
5. Krijoni hapësira pa teknologji. Një kufi që mund të krijoni në familjen tuaj është të caktoni orare gjatë ditës ose vende pa teknologji. Gjithashtu, mund të krijoni një ambient ose “vend ruajtjeje” për të vendosur pajisjet tuaja gjatë orarit pa teknologji. Një praktikë e dobishme është të siguroheni se pajisjet nuk janë në dhomën e gjumit gjatë orëve të caktuara të natës. Pajisjet mund të bëhen pengesë për gjumin, i cili është tepër i rëndësishëm.
6. Caktoni pritshmëritë për përmbajtjet. Është e rëndësishme të siguroheni se përmbajtjet që fëmijët tuaj aksesojnë në internet janë të përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tyre. Kërkojuni fëmijëve të vegjël ose adoleshentëve t’ju marrin leje përpara se të shkarkojnë aplikacione të reja ose të regjistrohen në platforma të reja. Gjithashtu, mund të merrni parasysh përdorimin e kontrolleve prindërore të disponueshme për ju [si kufizimet për kohën e shpenzuar përpara ekranit, blerjet në aplikacione, filtrimin e përmbajtjes etj.].
Kushtojini vëmendje përdorimit të pajisjeve nga fëmijët tuaj.
7. Eksplorojeni teknologjinë së bashku. Provoni të bashkëpërdorni dhe të bashkëshihni me fëmijët e të gjitha moshave. Pra, shihni ose përdoreni teknologjinë së bashku me fëmijët tuaj. Për shembull, mund të shihni një program me ta dhe të flisni rreth tij. Fëmijëve më të rritur mund t’u kërkoni t’ju tregojnë se çfarë bëjnë në internet – çfarë interesash kanë, çfarë aplikacionesh u pëlqen të përdorin etj.
8. Kuptoni se kur duhet të bëni një hap pas. Në disa raste mund të doni të monitoroni se çfarë bën fëmija juaj në pajisjen e vet, por duhet t’ia thoni këtë gjë paraprakisht. Kjo është e rëndësishme, sidomos për fëmijët më të vegjël, ose ata që sapo kanë filluar të përdorin një pajisje (si telefoni) për herë të parë. Teksa fëmijët rriten dhe kanë më shumë përvojë me pajisjet e tyre, mund t’u jepni më shumë pavarësi, sipas moshës dhe fazës. Është gjithnjë thelbësore të keni një ide të përgjithshme për gjërat që ata bëjnë në internet.
Tregojuni fëmijëve tuaj sjellje të shëndetshme.
9. Veproni si një skuadër Është e rëndësishme që si prindër të jemi të kujdesshëm për mënyrën se si (dhe sa shpesh) i përdorim pajisjet tona – gjë që është e vështirë! Megjithatë, krijimi i zakoneve të shëndetshme së bashku me fëmijët tuaj është një mundësi e mirë për të dalë jashtë dinamikës “unë kundër teje” ku prindërit përfshihen shpesh dhe për të punuar drejt krijimit të dinamikës “ne, së bashku, kundër vështirësive të teknologjisë”.
10. Bëjini gjërat argëtuese! Ka aq shumë mënyra për ta përdorur teknologjinë për të luajtur më lehtë ose për mundësi argëtimi me fëmijët tuaj. Për shembull, mund të përdorni një aplikacion ose të luani një lojë me ta. Gjithashtu, mund të shihni video për ide lojërash ose të eksploroni pasionet dhe interesat — çdo gjë, që nga gatimi, e deri te sportet e muzika.
Jacqueline Nesi, PhD, është Profesore Asistente e Departamentit të Psikiatrisë dhe Sjelljes së Njeriut në Universitetin Brown. Ajo kryen kërkime për rolin e mediave sociale në shëndetin mendor dhe zhvillimin e adoleshentëve. Ajo është nënë dhe autore e buletinit javor Techno Sapiens, dhe bashkë autore e Tech Without Stress, një kurs për t’i ndihmuar prindërit me rritjen e fëmijëve në epokën digjitale.