Bullizmi kibernetik: Çfarë është dhe si mund të ndalohet
Çfarë duhet të dinë adoleshentët rreth bullizmit kibernetik.
Kemi bërë bashkë specialistë të UNICEF-it, ekspertë ndërkombëtarë të bullizmit kibernetik dhe mbrojtjes së fëmijës, si dhe kemi bashkëpunuar me platformat Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe X për t'u dhënë përgjigje disa prej pyetjeve më të shpeshta rreth bullizmit kibernetik dhe për të ndarë këshilla mbi mënyrat e trajtimit të tij.
Çfarë është bullizmi kibernetik?
Bullizmi kibernetik është bullizmi i kryer nëpërmjet përdorimit të teknologjive digjitale. Ai mund të haset në mediat sociale, në platformat e mesazheve, platformat e lojërave dhe telefonat celularë. Bullizmi është një sjellje e përsëritur, që synon frikësimin, zemërimin ose turpërimin e personave të shënjestruar. Shembujt përfshijnë:
- përhapjen e gënjeshtrave ose ndarjen e fotografive turpëruese të dikujt në media sociale
- dërgimin e mesazheve, imazheve ose videove lënduese, abuzive ose kërcënuese nëpërmjet platformave të mesazheve
- imitimin e dikujt dhe dërgimin e mesazheve dashakeqe ndaj të tjerëve në emër të personit të imituar ose nëpërmjet llogarive të rreme.
Bullizmi ballë për ballë dhe ai kibernetik mund të kryhen paralelisht. Megjithatë, bullizmi kibernetik lë pas një gjurmë digjitale, që mund të shërbejë si provë e dobishme për t'i dhënë fund abuzimit.
Nëse keni shqetësime për sigurinë tuaj ose ju ka ndodhur diçka në internet, mund të kërkoni ndihmë duke telefonuar numrin kombëtar të ndihmës. Nëse në vendin tuaj nuk ka numër telefonik ndihme, ju lutemi të flisni menjëherë me një të rritur të besuar ose të kërkoni mbështetje profesionale prej ekspertëve të trajnuar dhe me përvojë.
1. A jam duke u bullizuar në internet? Si mund t'i dalloni shakatë nga bullizimi?
UNICEF:
Të gjithë shokët/shoqet bëjnë shaka ndërmjet tyre, por ndonjëherë është e vështirë të kuptohet nëse dikush po bën thjesht shaka apo po përpiqet t'ju lëndojë, veçanërisht në internet. Ndonjëherë, ata mund ta anashkalojnë duke thënë "po bëja shaka" ose "mos e merr kaq seriozisht".
Por nëse ndiheni i/e lënduar ose mendoni se të tjerët po ju vënë në lojë, atëherë shakaja është tepruar. Nëse shakaja vazhdon edhe pasi i keni kërkuar personit të ndalojë dhe ende ndiheni i/e mërzitur, atëherë mund të bëhet fjalë për bullizëm.
Në rastin kur bullizmi kryhet në internet, mund të tërheqë vëmendjen e padëshiruar të personave të ndryshëm, duke përfshirë të panjohurit. Pavarësisht se ku ndodh, nëse nuk ju pëlqen, nuk ka arsye që ta duroni.
Sido që të jetë, nëse ju bën të ndiheni keq dhe nuk ndalon, atëherë duhet të kërkoni ndihmë. Ndalimi i bullizmit kibernetik nuk ka të bëjë vetëm me ballafaqimin e bullizuesve, por edhe me të kuptuarit se të gjithë meritojnë respekt, qoftë në internet apo në jetën reale.
2. Cilat janë efektet e bullizmit kibernetik?
UNICEF:
Kur bullizmi ndodh në internet, mund t'ju bëjë të ndiheni se po sulmoheni ngado, edhe brenda në shtëpinë tuaj. Mund t'ju duket se nuk ka një rrugëdalje. Efektet mund të jenë afatgjata dhe të kenë ndikime të ndryshme:
- Mendërisht - ndjenja mërzie, turpi, sikur jeni budalla/budallaqe, madje dhe ndjenja frike ose zemërimi
- Emocionalisht - ndjenja turpërimi ose humbje interesi për gjërat që ju pëlqejnë
- Fizikisht - lodhje (mungesë gjumi), ose shfaqje simptomash, si dhimbje barku ose koke
Ndjesia e talljes ose ngacmimit prej të tjerëve mund ta pengojë personin që të tregojë ose të përpiqet ta zgjidhë problemin. Në raste ekstreme, bullizmi kibernetik mund ta shtyjë dikë deri në dhënien fund të jetës.
Bullizmi kibernetik mund të ketë ndikime të ndryshme. Por këto ndikime mund të tejkalohen dhe personi mund të rifitojë besimin te vetja dhe të përmirësojë gjendjen shëndetësore.
3. Si mund ta ndikojë bullizmi kibernetik shëndetin tim mendor?
UNICEF:
Kur përjetoni bullizëm kibernetik, ju mund të ndieni turp, nervozizëm, ankth dhe pasiguri për mënyrën se si personat flasin ose mendojnë për ju. Kjo mund të bëjë që të tërhiqeni prej miqve dhe familjes, të mendoni dhe flisni negativisht për veten, të ndiheni në faj për veprimet që keni ose nuk keni kryer, ose të ndiheni sikur po gjykoheni negativisht. Ndjenja e vetmisë, mbingarkesës dhe dhimbjet e shpeshta të kokës, barkut dhe të përzierat janë gjithashtu shenja të zakonshme.
Mund t'ju humbasë motivimi për të bërë gjërat që zakonisht ju pëlqejnë dhe mund të ndiheni i/e izoluar nga personat që doni dhe te të cilët keni besim. Kjo mund të nxisë ndjenjat dhe mendimet negative, që mund të kenë një ndikim të padëshiruar te shëndeti mendor dhe mirëqenia juaj.
Shmangia e shkollës është një tjetër pasojë e zakonshme e bullizmit kibernetik dhe mund të ndikojë te shëndeti mendor i të rinjve, duke i shtyrë drejt përdorimit të substancave, si alkooli dhe droga, ose shfaqjes së sjelljeve të dhunshme për të përballuar dhimbjen e tyre psikologjike dhe fizike. Hapi i parë për të kërkuar ndihmë është t'i tregoni një shoku/shoqeje, pjesëtari familjeje ose këshilluesi shkollor.
Efektet e bullizmit kibernetik te shëndeti mendor mund të jenë të ndryshme në varësi të formave nëpërmjet të cilave ndodh. Për shembull, bullizimi nëpërmjet mesazheve ose fotove dhe videove në platformat e mediave sociale është parë se ka efekte shumë të dëmshme për adoleshentët.
4. Me kë duhet të flas nëse po bullizohem në internet? Përse është i rëndësishëm raportimi?
UNICEF:
Nëse mendoni se po bullizoheni, hapi i parë është të kërkoni ndihmë prej një personi të besuar, si prindërit tuaj, një pjesëtar i familjes ose një i rritur tjetër i besuar.
Në shkollë, ju mund të flisni me një këshillues, mësuesin e fizkulturës ose mësuesin tuaj të preferuar, qoftë në internet ose ballë për ballë.
Nëse nuk ndiheni rehat të flisni me dikë që njihni, kontaktoni linjën kombëtare të telefonit për fëmijë, për të folur me një këshillues profesionist.
Nëse bullizmi po ndodh në një platformë sociale, merrni në konsideratë ta bllokoni bullizuesin dhe ta raportoni sjelljen formalisht në platformë. Shoqëritë e mediave sociale kanë detyrimin të garantojnë sigurinë e përdoruesve të tyre.
Në mënyrë që bullizimi të ndalojë, ai duhet të identifikohet dhe raportimi i tij është thelbësor.
Mbledhja e provave, si mesazhet me tekst ose fotografitë e postimeve në mediat sociale, mund të jetë e dobishme për të vërtetuar se çfarë po ndodh.
Në mënyrë që bullizimi të ndalojë, ai duhet të identifikohet dhe raportimi i tij është thelbësor. Gjithashtu, një hap tjetër i dobishëm mund të jetë që bullizuesit t'i bëhet me dije se sjellja që po kryen është e papranueshme.
Nëse jeni në rrezik të menjëhershëm, atëherë duhet të kontaktoni policinë ose shërbimet e emergjencës në vendin tuaj.
5. Po përjetoj bullizim kibernetik, por kam frikë t'u tregoj prindërve. Si mund t'ua them?
UNICEF:
Nëse po përjetoni bullizim kibernetik, të folurit me një të rritur të besuar, dikë me të cilin ndieni siguri të flisni, është një ndër hapat e parë më të rëndësishëm që mund të ndërmerrni.
Të folurit me prindërit nuk është e lehtë për këdo. Megjithatë, ka disa veprime që mund të lehtësojnë diskutimin. Zgjidhni një moment të përshtatshëm për të folur, kur e dini që do të keni vëmendjen e tyre të plotë. Shpjegojuni seriozitetin e problemit për ju. Mbani parasysh se ata mund të mos e njohin teknologjinë aq mirë sa ju, ndaj mund t'ju duhet t'ua shpjegoni se çfarë po ndodh, në mënyrë që ta kuptojnë.
Ndoshta nuk do të kenë përgjigje të menjëhershme për ju, por gjasat janë që do të duan t'ju ndihmojnë dhe mund të gjeni një zgjidhje bashkë me ta. Dy mendje janë gjithmonë më mirë sesa një! Nëse ende keni pasiguri se si duhet të veproni, merrni parasysh të flisni me persona të tjerë të besuar. Shpeshherë, numri i personave që ju duan të mirën dhe janë të gatshëm t'ju ndihmojnë është më i madh nga sa mendoni!
6. Si mund t'i ndihmoj shokët/shoqet që të raportojnë një rast bullizmi kibernetik, veçanërisht nëse nuk dëshirojnë ta raportojnë?
UNICEF:
Kushdo mund të bjerë pre e bullizmit kibernetik. Nëse mësoni se po i ndodh një personi të njohur, përpiquni të ofroni mbështetje.
Është e rëndësishme që ta dëgjoni shokun/shoqen tuaj. Përse nuk ka dëshirë ta raportojë bullizmin kibernetik? Çfarë ndjenjash po përjeton? Bëjeni me dije se nuk ka nevojë ta raportojë formalisht, por se është shumë e rëndësishme të flasë me dikë që mund ta ndihmojë.
Kushdo mund të bjerë pre e bullizmit kibernetik.
Mos harroni, shoku/shoqja juaj mund të ndihet i/e brishtë. Tregoni dashamirësi. Ndihmojeni të mendojë se çfarë mund të thotë dhe se kujt mund t'ia thotë. Ofrojini që ta shoqëroni nëse vendos ta raportojë. Më e rëndësishmja, rikujtojini se do t'i qëndroni pranë dhe se dëshironi ta ndihmoni.
Nëse shoku/shoqja juaj vijon të refuzojë që ta raportojë incidentin, atëherë ofrojini mbështetje për të gjetur një të rritur të besuar, që mund ta ndihmojë me situatën. Mos harroni se, në situata të caktuara, pasojat e bullizmit kibernetik mund të jenë kërcënuese për jetën.
Duke mos bërë asgjë, ata do të mendojnë se të gjithë janë kundër tyre ose që askush nuk do t’ia dijë për ta. Fjalët tuaja mund të bëjnë diferencën.
7. Si mund ta ndalojmë bullizmin kibernetik pa hequr dorë nga përdorimi i internetit?
UNICEF:
Përdorimi i internetit ka përfitime të shumta. Megjithatë, si shumë gjëra në jetë, ai vjen me rreziqe ndaj të cilave duhet të mbroheni.
Nëse po përjetoni bullizëm kibernetik, mund t'ju nevojitet të fshini disa aplikacione ose të mos e përdorni internetin për një periudhë të caktuar, që t'i jepni vetes kohë të rikuperoheni. Por mospërdorimi i internetit nuk është një zgjidhje afatgjatë. Ju nuk keni bërë asnjë gabim, kështu që pse duhet të cenoheni? Mospërdorimi i internetit mund t'u përcjellë bullizuesve mesazhin e gabuar, duke nxitur sjelljen e tyre të papranueshme.
Duhet të jemi të kujdesshëm për gjërat që ndajmë ose themi që mund të lëndojnë të tjerët.
Të gjithë duam që bullizmi kibernetik të ndalojë, dhe kjo është një ndër arsyet se përse raportimi i bullizmit kibernetik është kaq i rëndësishëm. Por krijimi i internetit që dëshirojmë shkon përtej identifikimit të bullizmit. Duhet të jemi të kujdesshëm për gjërat që ndajmë ose themi që mund të lëndojnë të tjerët. Duhet të tregohemi dashamirës ndaj njëri-tjetrit në internet dhe në jetën reale. E kemi vetë në dorë!
8. Si ta parandaloj përdorimin e informacioneve të mia personale për të më manipuluar ose poshtëruar në mediat sociale?
UNICEF:
Mendohuni dy herë përpara se të postoni ose ndani diçka në platformat digjitale, pasi mund të jetë përgjithmonë në internet dhe mund të përdoret për t'ju lënduar në të ardhmen. Mos ndani të dhëna personale, si adresa, numri i telefonit ose emri i shkollës suaj.
Mësoni rreth cilësimeve të privatësisë së aplikacioneve tuaja të preferuara të mediave sociale. Në vijim renditen disa nga veprimet që mund të ndërmerrni në shumicën e këtyre aplikacioneve:
- Mund të përcaktoni se kush mund ta shohë profilin tuaj, t'ju dërgojë mesazhe të drejtpërdrejta ose të komentojë në postimet tuaja duke ndryshuar cilësimet e privatësisë së llogarisë suaj.
- Mund të raportoni komentet, mesazhet, fotot dhe videot lënduese dhe të kërkoni që të hiqen.
- Përveç 'heqjes nga lista e miqve', ju mund t'i bllokoni të tjerët për t'i penguar që të shohin profilin tuaj ose që t'ju kontaktojnë.
- Gjithashtu, ju mund të zgjidhni që komentet e personave të caktuar t'u shfaqen vetëm atyre, pa i bllokuar.
- Mund të fshini postimet në profilin tuaj ose t'i fshihni nga persona të caktuar.
Në shumicën e mediave tuaja sociale të preferuara, të tjerët nuk njoftohen nëse i bllokoni, kufizoni apo raportoni.
9. A është i ndëshkueshëm bullizmi kibernetik?
UNICEF:
Shumica e shkollave e marrin bullizmin seriozisht dhe marrin masa ndaj tij. Nëse jeni duke përjetuar bullizëm kibernetik nga nxënësit e tjerë, raportojeni në shkollë.
Personat që janë viktima të çfarëdolloj forme dhune, duke përfshirë bullizmin dhe bullizmin kibernetik, kanë të drejtë të kërkojnë drejtësi dhe ta vendosin autorin përpara përgjegjësisë.
Ligjet kundër bullizmit, veçanërisht bullizmit kibernetik, janë relativisht të reja dhe nuk janë të pranishme në çdo vend. Kjo është arsyeja se përse disa vende mbështeten te ligje të tjera të ndërlidhura, si ligjet kundër ngacmimit, për të ndëshkuar bullizuesit kibernetikë.
Në vendet që kanë ligje të posaçme për bullizmin kibernetik, sjellja në internet që shkakton qëllimisht shqetësim emocional serioz konsiderohet si veprimtari kriminale. Në disa prej këtyre vendeve, viktimat e bullizmit kibernetik mund të kërkojnë mbrojtje, të ndalojnë komunikimin nga një person i caktuar dhe të kufizojnë në mënyrë të përkohshme ose të përhershme përdorimin e pajisjeve elektronike të përdorura nga personi për bullizim kibernetik.
Megjithatë, është e rëndësishme që të mbani parasysh se ndëshkimi nuk është gjithmonë mënyra më efektive për të ndryshuar sjelljen e bullizuesve. Në disa raste, fokusimi te riparimi i dëmit dhe përmirësimi i marrëdhënies mund të jetë një qasje më e mirë.
10. Shoqëritë e teknologjisë nuk duket se shfaqin shqetësim për bullizmin dhe ngacmimin në internet. A mbajnë përgjegjësi ato?
UNICEF:
Shoqëritë e teknologjisë po i kushtojnë një vëmendje gjithnjë e më të madhe çështjes së bullizmit në internet.
Shumica prej tyre po përfshin mënyra për trajtimin e bullizmit kibernetik dhe për t'i mbrojtur më mirë përdoruesit me instrumente, udhëzime dhe mënyra të reja për raportimin e abuzimit në internet.
Por, sigurisht, që nevojitet më shumë punë. Shumë të rinj përjetojnë bullizim kibernetik çdo ditë. Disa prej tyre përballen me forma ekstreme të abuzimit në internet. Disa i kanë dhënë fund jetës si pasojë e tij.
Shoqëritë e teknologjisë kanë përgjegjësi t'i mbrojnë përdoruesit e tyre, veçanërisht fëmijët dhe të rinjtë.
Është detyrimi i të gjithëve ne që t'i vendosim përpara përgjegjësisë kur ndodhin probleme të tilla.
11. A ekzistojnë instrumente kundër bullizmit në internet për fëmijët ose të rinjtë?
UNICEF:
Secila platformë sociale ofron instrumente të ndryshme (shihni ato të disponueshme në vijim), që ju lejojnë të kufizoni se kush mund të komentojë ose shohë postimet tuaja ose se kush mund të lidhet me ju automatikisht si shok/shoqe, dhe të raportoni rastet e bullizimit. Shumica prej tyre përfshin hapa të thjeshtë për të bllokuar, fshehur ose raportuar bullizmin kibernetik. Ju sugjerojmë që të njiheni me to.
Shoqëritë e mediave sociale ofrojnë edhe instrumente edukuese dhe udhëzime për fëmijët, prindërit dhe mësuesit sa u përket rreziqeve dhe mënyrave të garantimit të sigurisë në internet.
Gjithashtu, vija e parë e mbrojtjes nga bullizmi kibernetik mund të jeni vetë ju. Mendoni për hapësirat ku ndodh bullizmi kibernetik në komunitetin tuaj dhe mënyrat se si mund të ndihmoni, duke folur, duke ballafaquar bullizuesit, duke raportuar te të rritur të besuar ose duke ndërgjegjësuar lidhur me këtë problematikë. Edhe një gjest i thjeshtë dashamirësie mund të ketë shumë vlerë.
Vija e parë e mbrojtjes kundër bullizmit kibernetik mund të jeni vetë ju.
Nëse keni shqetësime për sigurinë tuaj ose ju ka ndodhur diçka në internet, flisni menjëherë me një të rritur të besuar. Shumë vende kanë ngritur linja telefonike ndihme të posaçme, që mund t'i telefononi pa pagesë dhe të flisni me dikë në mënyrë anonime.