UNICEF Shqipëri bën thirrje për veprime urgjente për lehtësimin e rrezikut të dhunës kundër fëmijëve gjatë emergjencës së COVID-19

09 Prill 2020
cwd
UNICEF/Albania

TIRANË, 9 prill 2020 - UNICEF Shqipëri përsërit me forcë deklaratën e drejtuesve të organizatave për të drejtat e fëmijës dhe mbrojtjen e fëmijëve të bërë më datë 8 prill 2020 dhe i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë, si dhe të gjitha institucioneve të sektorit publik dhe jo publik, që të trajtojnë urgjentisht masat e mbrojtjes së fëmijëve me qëllim mbrojtjen e mirëqenies së mijëra fëmijëve që mund të jenë të ekspozuar ndaj dhunës, shfrytëzimit, trafikimit dhe abuzimit seksual gjatë situatës së emergjencës të krijuar nga COVID-19.

“Në Shqipëri, ashtu si edhe thuajse kudo gjetkë në Evropë dhe në botë, masat e vetëizolimit dhe ndërprerja e ofrimit të shërbimeve të mbrojtjes së fëmijës rëndojnë  fëmijët që jetojnë në varfëri, në streha të përkohshme, në institucione të kujdesit rezidencial, në të ashtuquajturat “qendra zhvillimore” për fëmijët me aftësi të kufizuara, në burgje dhe në qendra të ndalimit të migrimit dhe në ambiente të tjera të mbyllura, sepse rastet e dhunës, abuzimit seksual dhe shfrytëzimit të fëmijëve kanë gjasa të shtohen dhe të mos zbulohen.

Mbyllja në shtëpi dhe në ambiente të tjera ka sjellë një barrë të madhe edhe për prindërit dhe dhënësit e kujdesit, jetesa e të cilëve ka ndaluar në vend dhe po kujdesen për fëmijët, për të moshuarit dhe për familjen, ndërkohë që mundohen të sigurojnë ekonominë familjare. Për më tepër, situata e krijuar nga COVID-19 ka ndikuar konsiderueshëm shëndetin mendor dhe mirëqenien psikologjike të përgjithshme të të gjithëve, duke sjell kështu edhe rreziqe të tjera.

Humbja e të ardhurave familjare bazë po ndikon në mënyrë jo proporcionale fëmijët më të cenueshëm, duke i bërë ata pre më të thjeshtë për punën e detyruar, skllavërinë familjare, shfrytëzimin seksual dhe situata të tjera negative, të cilat kanë gjasa të shkaktojnë efekte afatgjata dhe trauma.

Të dhënat që vijnë nga institucionet ndërkombëtare të zbatimit të ligjit dhe mbikëqyrësit tregojnë se që prej nisjes së pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, ka pasur një rritje të shpejtë të numrit të krimeve kibernetike, si përgatitja e qëllimshme seksuale në internet, transmetimi i drejtpërdrejtë i abuzimit seksual të fëmijës në internet dhe prodhimi dhe shpërndarja e materialeve të abuzimit seksual të fëmijës.

Situata është alarmante dhe kërkon mobilizim të menjëhershëm të të gjitha burimeve të disponueshme, vullnetit politik, ekspertizës ekzistuese teknike dhe kontributit të çdonjërit në vend që është përgjegjës për mirëqenien e fëmijëve tanë dhe të atyre që ofrojnë kujdes dhe mund të ofrojnë mbështetje vullnetare.

Në këtë kontekst, UNICEF-i propozon se 5 fushat kryesore më poshtë duhet të përforcohen menjëherë:

  • Fuqia punëtore e sistemit të mbrojtjes së fëmijës dhe shoqërore duhet të konsiderohet si fuqi punëtore themelore gjatë emergjencës së shkaktuar nga COVID-19; ata kanë nevojë për burime dhe pajisje të mjaftueshme, përkrah profesionistëve të zbatimit të ligjit dhe shëndetësisë, në mënyrë që të jenë të gatshëm dhe menjëherë të disponueshëm për fëmijët që janë në rrezik, me qëllim ofrimin e shërbimeve të mbrojtjes pavarësisht kufizimeve nga karantina.
  • Linja kombëtare për ndihmën e fëmijës 116 111 dhe shërbime të tjera këshillimi psikologjik në distancë (në internet apo përmes telefonit) duhet të mbështeten me qëllim që të funksionojnë 24 orë në ditë 7 ditë në javë pa ndërprerje.  
  • Strehat e përkohshme për viktimat e abuzimit dhe ato që janë në rrezik të menjëhershëm dhe të lartë, do të kenë një rol jetëshpëtues dhe si rrjedhojë duhet të identifikohen në të gjithë vendin dhe duhet të ofrojnë ambientet e nevojshme të karantinës për të ardhurit e rinj, nëse dhe kur kjo është e nevojshme;
  • Angazhimi i fuqisë punëtore para-profesionale duhet të nxitet dhe lehtësohet për të ndihmuar profesionistët në detyrë (punonjësit e mbrojtjes së fëmijës dhe punonjësit socialë) me përforcime shtesë, përndryshe sistemi aktual i mbrojtjes mund të rrezikojë kolapsin nën kërkesën dhe sfidat e mëdha. Roli i OJF-ve për të drejtat e fëmijës dhe mbrojtjen e fëmijës është jetik dhe vendimtar nëse puna e tyre bashkërendohet dhe kanalizohet me qëllimin e duhur, dhe Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes ta humbë këtë mundësi.
  • Vetë fëmijët duhet të fuqizohen të marrin pjesë aktive për t’iu përgjigjur kësaj krize, përfshirë edhe përmes nismave moshatar me moshatar në internet dhe duke përdorur teknologjinë. Në këtë mënyrë shumëfishojmë potencialin që vetë fëmijët kanë për të trajtuar këtë pandemi të paprecedentë.

UNICEF Shqipëri po ofron tashmë mbështetje teknike dhe financiare për organet shtetërore dhe jo shtetërore lidhur me të 5-ta fushat kryesore dhe ne synojmë ta vijojmë këtë mbështetje për sa kohë është e nevojshme.Por, kjo është thirrje për të gjithë, sepse sfidat janë shumë të mëdha dhe asnjë organ  nuk i përballon dot vetëm. Jemi të gjithë bashkë në këtë situatë, për çdo fëmijë!”

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook