Vetëm me gjyshen ndihesha bukur dhe e lumtur
Sistemi duhet ta kuptojë dhe rikuperojë traumën që e ka përjetuar fëmija në konflikt me ligjin – historia e një djali shtatëmbëdhjetë vjeçar në konflikt me ligjin

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Ndonjëherë ulem në dhomën time dhe më vjen të qaj. Ndihem keq për të gjitha këto gjëra që i kam bërë. Ndjej edhe zemërim edhe turp. Jam i shqetësuar për të ardhmen time se mos vallë do ta kem të njëjtin fat si babai dhe vëllai im.
Nuk mbaj mend shumë nga fëmijëria ime e hershme... Nuk di si të kujtohem. Para syve më shfaqen vetëm zënkat e familjarëve të mi dhe mavijosjet në fytyrë. Nuk e mbaj mend ndonjë ndodhi të mirë nga shtëpia... vetëm probleme dhe zënka. Nëna dhe babai im ishin vazhdimisht në një lloj grindjeje. Unë përpiqesha t’i ndaloja të mos grindeshin, e të mos ziheshin, por në përgjithësi askush nuk më dëgjonte për asgjë.
Nëse ndokush kujdesej për mua, ajo ishte gjyshja ime. Ajo më donte shumë dhe përpiqej të më largonte nga shtëpia. Kur isha shumë i vogël, ajo më shëtiste shpesh në park ose më dërgonte te luhatëset. Vetëm me gjyshen ndihesha bukur dhe i lumtur. Kur ktheheshim në shtëpi, ajo më përgatiste diçka të këndshme për të ngrënë.
Mirëpo nga shtëpia, në realitet, nuk mbaj mend ndonjë ngjarje të bukur. E di vetëm se kur babai im nuk ishte në shtëpi për një kohë të gjatë, kjo nënkuptonte se ai ishte në burg. Dhe kështu fillova të eci nga rruga e gabuar drejt rrugës së keqe. Me fëmijët nga shkolla u futëm në shoqëri të keqe dhe filluam të bënim probleme të mëdha. Në atë periudhë, babai dhe vëllai im i madh ishin në burg.
Kur isha 11 vjeç, nëna ime më dërgoi në strehëz për fëmijë. Më tha se do të jesh këtu përkohësisht, por me rëndësi është të mësosh, të jesh i mirë dhe të mos bësh probleme. Kjo është biseda e fundit që kemi bërë. Pastaj arritëm në strehëz, nëna ime nënshkroi që unë të qëndroja dhe u largua. Ajo që di është se ajo e ka marrë me vete motrën time më të vogël dhe asgjë më tepër. Që atëherë nuk di asgjë për ta. Përpiqem ta mirëkuptoj, me sa duket e ka pasur të vështirë të përballet me mua dhe problemet e mia. Nuk kam asnjë kontakt me të afërmit e nënës sime. Sinqerisht, mendoj se ata janë të hidhëruar me mua, por megjithatë nuk e di...
Pas ca kohësh, u transferova nga strehëz e parë në një tjetër. Kur dola nga strehëza, gjëja e parë që kam bërë ishte t’i kërkoja shokët e mi nga shkolla. Dhe vazhduam në të njëjtin avaz. Vjedhje, grabitje. Futeshim nëpër shtëpi të njerëzve. Shpejt dhe lehtë fitonim shumë para, dhe kjo na pëlqente. Përveç grabitjeve, ne u kemi marrë para njerëzve në rrugë, madje edhe personave zyrtarë. Ne zgjidhnim rrugë të errëta, mblidhnim një ekip, 5-6 persona dhe e sulmonim njeriun për t’ia marrë paratë.
Para se të vija këtu, për një kohë kam qenë në SH.K. Ohër. Mora një njoftim nga gjykata për t’u paraqitur atje. Kushtet nuk ishin si këtu, ishte më shumë si burg. Ha ushqim, ec për gjysmë ore dhe pastaj të mbyllin në një dhomë. Pas ca kohësh më transferuan këtu, në strehëzën për fëmijë.
Këtu mësojmë. Unë jam maturant, mësoj 10 lëndë. Më pëlqen më së shumti të vizatoj dhe të shkruaj. Pastaj kemi kohë edhe për aktivitete sportive, andaj luajmë futboll dhe basketboll.
Jam penduar për atë që kam bërë, nuk ka gjasa të përsëritet më. Edhe pse ndonjëherë shqetësohem për të ardhmen, kur të largohem nga ky vend do të përpiqem të krijoj një jetë të re për veten time, të punoj ligjërisht, të krijoj një familje. Nuk dua të më shohin si kriminel. Dua të mbaroj shkollën dhe të kem një jetë normale. Ajo që nuk kam pasur si fëmijë – dua të jem prind që bën një punë të denjë.
Tregimi është pjesë e fushatës “Unë jam më shumë se ajo që ka ndodhur” e cila zbatohet në kuadër të programit “Drejt(ësi) për fëmijët - BE për drejtësi për të miturit dhe fëmijët” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga UNICEF për mbështetjen e përpjekjeve reformuese të qeverisë për të siguruar që sistemi i drejtësisë t’i mbrojë të drejtat e të gjithë fëmijëve që bien në kontakt me ligjin.