Ndjehem sikur nuk kam pasur fëmijëri
Sistemi duhet t'i ndihmojë fëmijët ta tejkalojnë frikën dhe traumën - historia e një vajze tetëmbëdhjetë vjeçare për përvojën e saj me institucionet

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Më duket sikur fare nuk kam pasur fëmijëri. Nuk kam luajtur, nuk kam pasur lodra, luaja me baltën në oborr. Nuk kam pasur kohë të mësoja sepse më duhej të pastroja, të gatuaja, të lajë që kur isha shumë e vogël. Nëna ime mungonte, ndërsa nëse babai im do të kishte qenë prind, gjithçka do të kishte qenë ndryshe.
Shpeshherë doja që të kishte një person të rritur, që do të më trajtonte më mirë. Kur isha tetë vjeç, njëherë u dogja keq duke gatuar. Vetë shkova në spital. Mbaj mend në klasën e 4-të, më pëlqente shumë anglishtja dhe duhej ta mësonim një këngë. Pasi fillova të këndoja me fëmijët e tjerë, mësuesja na ndaloi dhe më tha mua të mos këndoja, se po ua prishja këngën. Pas një kohe, shkolla më çregjistroi, sepse nuk mund të shkoja. Më duhej të filloja të punoja.
Në shtëpi, babai im më rrihte, nëse nuk arrija të bëjë diçka. Edhe sot e kësaj dite nuk mund ta kuptoj pse askush nuk e kuptonte se kjo ishte arsyeja që unë dhe vëllai im shpesh iknim nga shtëpia. Ne rrinim te një shok i vëllait tim, ndërsa babai më paraqiste si të zhdukur dhe më pas vinte me policinë që të na kthente tek ai.
Na thanë që të vinim të gjithë bashkë në shërbimin social. Aty punonjësja sociale më pyeti nëse doja të shkoja në strehëz për fëmijë, mirëpo unë nuk doja sepse kisha shumë frikë. Ajo më tha se nuk do të më dërgojnë në strehëz për fëmijë, nëse qëndroj me babanë dhe nuk iki nga shtëpia. Më tha që nëse do të iki përsëri, herën tjetër as nuk do të më pyeste. Dy javët e para me babanë tim ishin në rregull. Por alkooli ndikoi shumë dhe për shkurt kohë gjithçka u kthye sipas avazit të vjetër, ai na rrahu dhe madje shau nënën time që tashmë kishte ndërruar jetë.
Më thirrën sërish në shërbimin social. Isha shumë e hutuar dhe e frikësuar kur më thanë se do të më çonin menjëherë në strehëz për fëmijë. Vëllai im filloi të dridhej dhe të qante dhe vetëm bërtiste nuk mund ta merrni atë nga unë. Qamë bashkë me vëllain tim, por megjithatë u detyrova të futem në furgon.
As nuk e dija se ku po shkoja, askush nuk më shpjegoi asgjë. E lanë vëllain tim me babanë. Nuk na lanë të shiheshim për 3 muaj, më thanë se ashtu duhej vepruar. Ata gjithashtu më thanë se për 3 muaj nuk do të mund të dal askund vetëm - kjo ishte për shkak se duhej të adaptohesha, por edhe arsye se kishin frikë që mund të ikja.
Një kohë mendoja se thjesht ishte vetëm një ëndërr, nuk e besoja se gjendesha në strehëz për fëmijë. Nga njëra anë, nuk doja të isha në një strehëz, edhe pse aty isha më mirë. Doja vetëm një ditëlindje, të shëtisja në park me të afërmit e mi dhe me vëllain tim. Më regjistruan përsëri në shkollë dhe fillova nga e para t’i kaloja provimet për gjithçka. Më bënë të aftë t’i ndjek mësimet, gjë që ishte më mirë për mua pasi më njihnin mësuesit. Në strehëz mësuesit më ndihmuan shumë për ta zotëruar materialin.
Nuk kam pasur gjithmonë mbështetjen e punonjësve social, kur kam pasur më shumë nevojë. Para se të largohesha, askush nuk u ul të fliste me mua, të më përgatiste për dalje, të më ndihmonte të gjeja një punë. Kisha ndjesinë se kërkonin të më hiqnin qafe. Nuk mbaj mend të më lavdërojë njeri, kisha humbur vitet e shkollës, mirëpo po bëhesha më e mirë në mësime. Si çdo fëmijë, edhe unë doja vëmendje, por nuk më ofrohej.
Unë ia dola vetë, gjeta apartament dhe punë, por ka fëmijë që nuk ia dalin dot. Thjesht duhet të të ndihmojnë që të fillosh nga ndonjë pikë, në mënyrë që të mund të vazhdosh vetë më tej. Tani shihemi më vëllain dhe kushëririn tim. Mirëpo ende nuk kam shumë besim te njerëzit dhe jam mjaft e pasigurt. Megjithatë jam përpjekur, shkruaj edhe mesazhe pozitive dhe disa këshilla të tjera që më kanë dhënë, por gjithsesi nuk më ka ndihmuar edhe aq sa duhet. Ende kur i shoh fëmijët me prindërit, e kthej kokën në anën tjetër. Kam vendosur që nuk do të kem fëmijë derisa të jem e sigurt se mund t’u siguroj atyre një fëmijëri të mirëfilltë. Gjithashtu dua të filloj të mësoj anglisht dhe të shkoj në universitet për t’u bërë psikologe ose punonjëse sociale që t’i ndihmoj fëmijët si unë, që të mos u ndodh e njëjta gjë.
Tregimi është pjesë e fushatës “Unë jam më shumë se ajo që ka ndodhur” e cila zbatohet në kuadër të programit “Drejt(ësi) për fëmijët - BE për drejtësi për të miturit dhe fëmijët” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga UNICEF për mbështetjen e përpjekjeve reformuese të qeverisë për të siguruar që sistemi i drejtësisë t’i mbrojë të drejtat e të gjithë fëmijëve që bien në kontakt me ligjin.