E di që ka më shumë gjëra pozitive në të cilat jam i mirë

Historia e një djali tetëmbëdhjetë vjeçar të vendosur në Institucionin Korrektues në Tetovë

Adolescent boy facing back looking at gray lockers
UNICEF/North Macedonia/2022

Unë jam fëmijë i vetëm, nuk kam vëllezër ose motra. Nëna dhe babai janë përpjekur shumë për mua, por megjithatë unë u rrita në një familje jo të qëndrueshme. 

Kur prindërit e mi fillonin me zënkat e tyre, ndaheshin për pak kohë dhe më pas qetësoheshin përsëri. Nëna ime përmendte shpesh se donte të divorcohej nga babai im dhe se do të largohej, por në fund qëndronin bashkë për shkakun tim. Kur u ndanë për mua më nuk kishte rëndësi nëse do të rrija me nënën ose me babanë, isha disi njësoj i afërt me të dy, por u ndjeva keq që ata do të ndaheshin. Në fakt kur nuk ishin bashkë ishte më e vështirë për mua. 

Unë kam harruar shumë gjëra nga fëmijëria ime e hershme. Ajo që mbaj mend është se tezja ime më bleu një karrocë me rrota dhe doja shumë ta vozisja. Mirëpo një ditë e lashë në rrugë dhe nëna ime u inatos dhe e theu. Kur ma thyenin ndonjë lodër, zemërohesha tepër shumë. 

Gjëja tjetër që më kujtohet është se shkuam në Mal të Zi dhe atje e fillova shkollën. Babai im tashmë punonte atje, kështu që pas një kohe unë dhe nëna ime u bashkuam me të. Në fillim kaloja shumë mirë në shkollë, isha nxënës i shkëlqyeshëm, por rreth moshës 13 apo 14 vjeçare u futa në shoqëri të keqe dhe fillova të bëj marrëzira. Ishim pesë, gjashtë shokë... Fillimisht provon një cigare, pastaj provo këtë, atë dhe kështu ia huqa, dola nga binarët. 

Nuk e di pse fillova të vjedh. Tani e di që ishte një gabim i madh. Kishim bërë më shumë vjedhje, kryesisht vjedhje të lehta, e vidhnim ndonjë makinë për ta vozitur, pastaj e linim, nuk i shisnim, më shumë e kishim për zbavitje. Nuk e kemi menduar shumë. Ndjeheshim të bezdisur dhe e bënim atë për zbavitje. Tani e di  - ishte marrëzi. Më vjen keq për atë që e kam bërë. 

Në atë periudhë u sëmur edhe nëna ime, babai punonte shumë, ndërsa grindjet e tyre ishin të përditshme. Faktori financiar ishte vetëm një nga arsyet, por thënë thjesht nuk kalonin mirë mes vete. E kisha të vështirë ta përballoja, më duhej të dilja nga ajo situatë, andaj u ktheva në njërën anë, ata u kthyen në anën tjetrën. Nga e gjithë kjo situatë nuk munda të ndalesha dhe të mendoja se çfarë po bëja, çfarë do të ndodhte pas një, dy apo tre vitesh. Nuk e mora seriozisht këtë, thjesht largohesha nga shtëpia, vetëm për ta kaluar ditën. 

Edhe kur ishim në Mal të Zi, Qendra për Punë Sociale më vendosi një masë mbikëqyrjeje të përforcuar nga një punonjës social. Më duhej të telefonoja qendrën e inspektimit çdo dy javë. Isha në klasën e shtatë kur u kthyem në shtëpi. Punonjësi im social u lidh me Qendrën për Punë Sociale në vendlindjen time dhe ata i transferuan masat nga njëri vend në tjetrin. Më caktuan një punonjës social dhe duhej të vazhdoja të paraqitesha. Punonjësi im i ri social më kishte thënë se duhet të respektoj këtë masë, se për ndryshe do të vijojë referimi në një institucion korrektues. Nuk e di pse nuk iu përmbajtja kësaj mase. Nuk e mora seriozisht dhe vazhdova në të njëjtën rrugë. 

Qendra më paralajmëroi disa herë, por meqë nuk po mbushesha me mend, më shqiptuan  masën për t’u paraqitur në qendrën korrektuese në Ohër. Atje kam qenë për një kohë të shkurtër, pasi ky institucion ku jam tani ende nuk ishte hapur. Kam qenë në karantinë për 16 ditë për shkak të situatës me Kovid. Më futën në një qeli me katër mure hekuri, pa dritare dhe 22 shufra hekuri, që i numëroja çdo ditë derisa prisja të dilja.  

Pas karantinës, më transferuan në një dhomë, në një grup me fëmijë të tjerë. Aty kam qenë vetëm tre ditë, pastaj na kanë transferuar në Shtëpinë Korrektuese në Tetovë. Këtu mësojmë me arsimtarët, kam 10 lëndë dhe shkolla po më shkon mirë. Luajmë edhe sporte, kryesisht futboll dhe basketboll. Jashtë aktiviteteve shkollore kujdesemi edhe për oborrin dhe kopshtin. Mbjellim pemë, lule, por edhe patate e qepë. Në kohën e lirë ua shkurtoj flokët fëmijëve në strehëz.  

Një shok, këtu në strehëzën për fëmijë, më dëgjoi duke kënduar sipas stilit të lirë në dhomën time, këndoja dhe bëja rap vetë, andaj më sugjeroi ta bënim një këngë. Na siguruan një dhomë dhe një laptop dhe gjithçka që na nevojitet. Për neve ishte shumë me rëndësi që ata kishin besim, ndërsa ne po përpiqeshim të bënim diçka të mirë. Kompozimi është i joni dhe tekstin e kemi shkruar bashkë. E dini, repi duhet të ketë rimë. Kënga u bë e mirë, u bë hit në strehëzën tonë. Kënga ka të bëjë me jetën në strehëz për fëmijë  - ne e bëmë atë për ta manifestuar mirënjohjen tonë për mbështetjen që marrim nga edukatorët dhe policët. 

Ashtu siç rritem, e shikoj jetën pak më ndryshe dhe mendoj për pasojat. Pyes veten se si do të kishte qenë jeta ime nëse do të isha mbështetur kur isha më i ri - a do të kisha shkuar në këtë rrugë. Gjërat janë ashtu siç janë, por kam mësuar se duhet të bëhem përgjegjës për të ardhmen time. 

Kam mësuar t’i vlerësoj gjërat, por më e rëndësishmja, është se kam mësuar ta vlerësoj veten. Së fundmi pata mundësinë të jem pjesë e projekteve së bashku me të rinj tjerë jashtë strehëzës dhe kjo më ndihmoi të përfshihem pak më shumë në shoqëri. Kam marrë pjesë në disa seminare dhe, më e rëndësishmja, kam takuar shumë miq të rinj. 

Kam mësuar të besoj në veten time dhe e di se ka disa gjëra të tjera në të cilat jam i mirë. Do të më duhet ende shumë mbështetje, por kam shpresë për të ardhmen time.  

 


Tregimi është pjesë e fushatës “Unë jam më shumë se ajo që ka ndodhur” e cila zbatohet në kuadër të programit “Drejt(ësi) për fëmijët - BE për drejtësi për të miturit dhe fëmijët” të financuar nga  Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga UNICEF për mbështetjen e përpjekjeve reformuese të qeverisë për të siguruar që sistemi i drejtësisë t’i mbrojë të drejtat e të gjithë fëmijëve që bien në kontakt me ligjin.