Kurrë nuk kam pasur shtëpi timen
Sistemi duhet t’i ndihmojë fëmijët të rriten në një familje të sigurt plot dashuri - historia e një djali shtatëmbëdhjetë vjeçar në konflikt me ligjin

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Nuk i mbaj mend shumë nënën dhe babanë tim, më vjen si në mjegull. Ndonjëherë them nëna ime, por e kam fjalën për gjyshen time, ose them babai im, por e kam fjalën për xhaxhain tim, sepse pas vdekjes së prindërve, ata u kujdesën për mua. Unë isha vetëm tre vjeç kur i humba prindërit e mi.
Derisa jam rritur, kam jetuar me xhaxhain dhe familjen e tij. Ai ishte i varfër dhe nuk mund të na jepte shumë, kështu që secili merej me brengën e vet. As për të ngrënë së bashku nuk grumbulloheshim. Gjëja më e mirë që e mbaj mend janë luhatëset dhe Luna Parku, rrëshqitnim, hipnim në karroca dhe hanim luledielli. Unë isha më i vogël dhe nuk dija t’i haja farat si duhet, andaj i haja ashtu të tëra pa lëvozhgë.
Kur erdhi koha për të shkuar në shkollë, e di që më dërgonin gjyshja dhe gjyshi, ndërsa unë ikja nga orët e mësimit. Më gjenin në park, e dinin që po rrija atje, më merrnin dhe më kthenin në shkollë me mësuesen. Nuk mund ta shpjegoj as pse kam ikur, vetëm kujtoj se kisha frikë nga diçka gjatë gjithë kohës.
Kur rritesha, rruga më tërhiqte gjithnjë e më shumë, sepse në realitet nuk kam pasur kurrë shtëpinë time. Kam qenë shumë i ri, kur për herë të parë e kam provuar marihuanën. Ishte një gabim i madh, por ashtu siç bënin shokët, bëja edhe unë.
Më pas, hymë në shoqërinë të grupeve kriminale më të mëdhenj dhe mësuam një zanat prej tyre, fillimisht i shikonim duke vjedhur, pastaj ata na mësuan neve si të vjedhim. Isha vetëm 8 vjeç kur fillova. Ne kryesisht vidhnim flori. Mësuam se kur të vjedhësh, duhet të dish të afrohesh nga pas, ngadalë dhe të kesh kujdes që të mos biesh në sy, pastaj tërhiqesh me kujdes, e këput zinxhirin dhe vrapon që mos të të kapin. Kemi hyrë edhe nëpër shtëpi për të vjedhur ari dhe para.
Më vonë filluam të vidhnim makina. Ne e vidhnim një makinë dhe e çonim në park, ata e merrnin makinën dhe e dërgonin tjetërkund. Neve na jepnin para për punën e kryer. Ne punonim, ata na paguanin, por edhe na mësuan se para kanë turistët. Ne nuk kishim shkollë, nuk e kuptonim se çfarë flisnin turistët, por e dinim se edhe pse nuk i kuptonim, megjithatë duhej t’ua mësyjmë atyre.
Në moshën 10-vjeçare na çuan për herë të parë në strehëz për fëmijë. Fillimisht në një strehëz, pastaj në një tjetër, mirëpo ika nga të dyja. Shpesh flinim jashtë në rrugë, në ndonjë stol. Në atë periudhë kam pasur shpesh kriza. Gjëja e fundit që vodha ishte mishi nga kasapi, sepse nuk kisha çfarë të haja.
Në 17 vitet e jetës sime kam kaluar gjithçka. Nuk e di sa do të qëndroj në strehëzën për fëmijë dhe nëse do të më vendosin diku tjetër, por kur të dal nuk dua të jem në rrugë. Kur je në qiell të hapur, fle me një sy çelë, pasi frika dhe stresi mbretërojnë në çdo hap.
Këtu, në strehëz, mësojmë, kalojmë kohë bashkë, luajmë basketboll, futboll, pingpong. Po ashtu shikojmë edhe filma. Nuk mund të rri përgjithmonë këtu, e di që një ditë do të iki prej këtu. Jam punëtor dhe nuk kam frike nga puna. Supozoj dhe uroj ta vazhdoj atë që e ka bërë babai, ta marr vulën, që të mund të pres dru. Nuk fitohet shumë prej saj, por edhe nëse është pak, me rëndësi është që të jetë e imja.
Tregimi është pjesë e fushatës “Unë jam më shumë se ajo që ka ndodhur” e cila zbatohet në kuadër të programit “Drejt(ësi) për fëmijët - BE për drejtësi për të miturit dhe fëmijët” të financuar nga Bashkimi Evropian dhe bashkë-financuar nga UNICEF për mbështetjen e përpjekjeve reformuese të qeverisë për të siguruar që sistemi i drejtësisë t’i mbrojë të drejtat e të gjithë fëmijëve që bien në kontakt me ligjin.