Vetëkujdesi për prindërit
Ne i pyesim ekspertët e shëndetit mendor që kanë fëmijë për mënyrën se si kujdesen për mirëqenien e tyre.

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Prindërimi është i vështirë. Është një punë me orar të plotë, andaj shumë prindër e shohin veten duke i dhënë përparësi mirëqenies së familjes së tyre përpara mirëqenies së tyre.
Kur jemi në gjendje t’i përmbushim nevojat tona mendore dhe fizike, atëherë jo vetëm që kemi dobi për mirëqenien tonë mendore, por edhe atë të fëmijëve tanë.
Por si e arrini këtë? Pyetëm tre eksperte të shëndetit mendor, të cilat janë edhe prindër, se si ia dalin.
Dëgjoni nga dr. Lisa Damour, Sonali Gupta dhe dr. Hina Talib se si ata i japin përparësi kujdesit për veten, aktivitetet që i praktikojnë dhe dobitë që i kanë vërejtur për familjet e tyre.
Çfarë keni mësuar për vetëkujdesin si prind?
Lisa: Shumë shpesh, unë mendoj se prindërit supozojnë se kur ndajnë kohë për veten e tyre, kjo do të thotë se ata e shkurtojnë kohë që duhet dedikuar fëmijëve të tyre. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Kur kujdesemi për veten, jemi më të aftë të kujdesemi për fëmijët tanë. Prandaj kujdesi për veten e thekson te fëmijët tanë rëndësinë e kujdesit të tillë, madje edhe demonstrohet atyre se si bëhet një gjë e tillë.
Hina: Kujdesi për veten është diçka që mund të bëhet për disa minuta, është si një zakon që kërkon pak përpjekje për t’u krijuar, por më pas ju ngel gjithnjë shprehi. Në fakt, kujdesi për veten mund ta nënkuptojë gjithashtu kërkimin e ndihmës kur ju nevojitet në shtëpi, në punë, nga familja dhe ndonjëherë nga terapistë ose mjekët tjerë të shëndetit mendor.
Sonali: Nëse ende nuk keni filluar, atëherë tani është gjithsesi koha e duhur për të krijuar hapësirë për kujdesin ndaj vetes. Është një hap i madh drejt vetë-dhembshurisë dhe qëndrueshmërisë. Bëhuni të butë me veten dhe të tjerët, përderisa e filloni udhëtimin tuaj të kujdesit për veten. Shndërrimi i praktikave të vogla në rituale kërkon kohë dhe në të njëjtën kohë është një investim për mirëqenien tonë mendore.
Si e praktikoni personalisht kujdesin ndaj vetes?
Sonali: Koha që ia kushtoj vetes është ajo që unë e quaj “Ritualet e pauzës” - një pauzë ditore e bërë me vetëdije, e ndjekur nga rituale që janë vetë-qetësuese në nivel fizik, mendor dhe social. Unë e sajova këtë term pasi kisha shumë vështirësi me angazhimin e tepërt dhe harxhimin e energjisë rreth 10 vjet më parë. Me rëndësi parësore është të përqendroheni vetëm në një gjë, kur angazhoheni në këto praktika vetë-qetësuese dhe ta vendosni atë brenda angazhimeve të ditës, madje edhe nëse kjo do të thotë 10 minuta në një ditë shumë të ngarkuar. Unë çdo ditë dal në shëtitje vetëm në një kohë të caktuar, meditoj dhe dëgjoj tinguj qetësues në mëngjes, bëj një sy gjumë 15-minutësh (më shumë nëse mundem) dhe kaloj kohë duke lexuar libra jo-letrarë. Krijimi i kohës për argëtim dhe lojë është gjithashtu diçka që unë e shoh si kujdes për veten. Si terapist dhe prind, ritualet e mia të pauzës kanë shërbyer si një hapësirë e shenjtë për mua.
Hina: Siç po kalojnë vitet, e gjej veten duke iu kthyer këtyre përbërësve bazë të jetës për mirëqenien time: lëvizjen e trupit, frymëmarrjen, gjumin e mjaftueshëm, fikjen e telefonit dhe ngrënien e më shumë frutave dhe perimeve. Kur ndjej se shëndeti im mendor është i fortë, e kuptoj që po i bëj këto gjëra. Sa herë që filloj të luftoj me shëndetin tim mendor, kërkoj të bëj më shumë nga këto gjëra. Sigurisht, kur kam kohë, më pëlqen ta praktikoj shtrirjen, jogën, ose thjesht të flas me prindërit e mi, anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë. Vetëm pak minuta, kur i dëgjoj zërat e tyre dhe i ndaj me ta mendimet e mia, më bëjnë më ndjehem e qetësuar.
Lisa: Si psikologe e di që gjumi është elementi ngjitës, i cili i mban të bashkuara qeniet njerëzore, kështu që e mbroj aftësinë time për të fjetur shpejt dhe për të bërë gjumë të rehatshëm gjatë natës. Për ta ndihmuar veten të fle shpejt, përpiqem t’i ngadalësoj gjërat në mbrëmje. Ashtu si shumë njerëz, kam gjetur se është pothuajse e pamundur për mua të bie në gjumë menjëherë pasi kam qenë e zënë me ndonjë lloj aktiviteti shumë impenjues. Për ta ndihmuar veten të qëndroj në gjumë gjatë natës, përpiqem të bëj stërvitje të rregullt dhe të thith shumë ajër të pastër, që të dyja më ndihmojnë të fle më mirë.
Gjithnjë mendimi im është më i qartë kur e lë mendjen time të bredh, kudo që duhet të shkojë.
Si të gjeni kohë për t’u kujdesur për veten?
Hina: Koha për kujdesin ndaj vetes duket e paarritshme për mua – thjesht më ik nga duart derisa vrapoj rreth prindërimit të dy fëmijëve të mi të vegjël dhe duke përfunduar detyrat e punës sime të përditshme. Ndihem gjithmonë në detyrë. Unë i jap përparësi kujdesit për veten duke e futur atë në rutinat e mia me fëmijët e mi dhe në punë. Kur i laj dhëmbët, e praktikoj vëmendjen, derisa gatuaj flas me familjen ose miqtë e mi, gjatë kohës së gjumit me fëmijët mbaj disa poza joga. Shpeshherë në punë marr frymë thellë ndërmjet takimeve dhe përpiqem ta fik telefonin kur të mbarojë dita, ndonëse kjo është e vështirë për mua.
Lisa: Një gjë që më ka ndihmuar vërtet si nënë ka qenë shfrytëzimi sa më i madh i kohës së qetë që e ndaj për veten time. Në të kaluarën, dëgjoja muzikë ose flisja me miqtë në telefon derisa i palosja rrobat ose e bëja darkën, mirëpo tani kam arritur të vlerësoj dobinë e kryerjes së detyrave të thjeshta në heshtje, veçanërisht kur mendja ime ndihet në rrëmujë. Unë zbuloj se jam në gjendje të reflektoj për gjërat që më rëndojnë dhe të gjej zgjidhje kreative për sfidat me të cilat përballem. Mendimi im ndihet gjithmonë më i qartë kur përfitoj nga mundësitë për ta lënë mendjen time të bredh, kudo që duhet të shkoj.
Sonali: Unë kam arritur ta shoh vetëkujdesin si një aktivitet që kërkon vëmendje të përditshme. Në ditët që nuk kam kohë për ta vënë në zbatim kujdesin ndaj vetes, ndihem e mbingarkuar, e prangosur dhe e shqetësuar. Unë dhe familja ime kemi zgjedhur të flasim hapur për ndjenjat e mëdha që mund t’i përjetojmë, siç janë rastet kur ndihemi të mbingarkuar ose të stërngarkuar. Me kalimin e viteve të gjithë ne, duke përfshirë burrin dhe vajzën time, kemi folur me njëri-tjetrin sesi kujdesi për veten dhe ndarja e kohës për veten, na lejon të ndihemi më të përqendruar dhe të veprojmë nga një vend i qetë.
Nëse nuk e kam prioritet shëndetin dhe mirëqenien time mendore, nuk paraqitem me këmbë të mbarë si prind.
Si ka përfituar familja juaj nga vetëkujdesi juaj?
Lisa: Kur jam e pushuar mirë dhe mendja ime është e qartë, kam shumë më tepër durim me fëmijët e mi dhe shumë argëtohem në prani të tyre. Pas një gjumi të mirë të natës, kam energji për të luajtur, për ta organizuar një “festë vallëzimi në kuzhinë” ose për të gjetur mënyra tjera për ta shijuar shoqërinë e vajzave të mia. Madje kur nuk jam e hutuar nga shqetësimet e mia, jam shumë më mirë në gjendje të përqendrohem te vajzat e mia dhe çfarë kanë nevojë nga unë.
Sonali: Praktikat tona të vetë-kujdesit kanë ndihmuar në thellimin e qëndrueshmërisë së familjes sime. Kujdesi për veten sjell një ndjenjë qetësie dhe kjo qetësi mund të jetë gjithashtu ngjitëse, gjë që na ndihmon në momente të vështira. Kujdesi për veten na ka ndihmuar të respektojmë hapësirën e njëri-tjetrit, nevojat unike dhe në të njëjtën kohë, kemi krijuar hapësirë për dhembshuri dhe ndjeshmëri ndaj njëri-tjetrit.
Hina: Disa nga momentet e mia më krenare të prindërimit janë kur i takoj fëmijët e mi të vegjël duke marrë frymë thellë për ta gjetur qetësinë e tyre kur kanë ndjenja të vështira – diçka që ata më kanë parë si e praktikoj shpesh përpara tyre. Më pëlqen kur më kërkojnë të bëj joga para gjumit ose kur vet fillojnë të bëjnë joga. Kam mësuar se nëse nuk i jap përparësi shëndetit dhe mirëqenies sime mendore, nuk shfaqem me këmbën të mbarë si prind.
Rreth ekspertëve
Dr. Lisa Damour (@lisa.damour) është psikologe, autore dhe bashkëpunëtore e New York Times dhe nënë e dy fëmijëve.
Sonali Gupta (@mentalhealthwithsonali) është psikologe klinike, terapiste, autore, kolumniste dhe nënë e një vajze adoleshente.
Dr. Hina Talib (@teenhealthdoc) është pediatre dhe specialiste e mjekësisë adoleshente, shkrimtare, krijuese e mediave adoleshente dhe nënë e dy fëmijëve.