Si të flisni me fëmijët tuaj për vdekjen e një personi të afërm

Si t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta përballojnë humbjen, pikëllimin dhe ndjenjat e dhimbjes

UNICEF
Adult person hugging boy
UNICEF/UN0633940/Holerga
27 Mars 2025

Vdekja e një personi të dashur është e dhimbshme dhe e ndërlikuar për të rriturit, ndërsa për fëmijët të cilët përballen me një humbje për herë të parë mund të jetë sa konfuze aq edhe shqetësuese. Në vijim janë dhënë disa mënyra se si mund t’i mbështesni ata, por edhe çka mund të prisni kur ata janë të pikëlluar.

Çfarë janë humbja dhe pikëllimi?

Humbja dhe pikëllimi mund të kenë efekt të konsiderueshëm ndaj gjendjes psikologjike të njerëzve. Humbja zakonisht ndërlidhet me diçka që mund të kthehet, ndërsa pikëllimi mund të ndërlidhet me diçka më permanente, si divorci ose vdekja e një miku ose anëtari të familjes. Ajo që e bën kaq të vështirë punën me pikëllimin pas vdekjes është procesi i të kuptuarit dhe pranimit që ai person nuk do të kthehet më.

Si pikëllohen fëmijët?

Reagimi i fëmijës ndaj vdekjes së një personi të dashur do të ndryshojë në varësi të moshës së tyre dhe përvojave të mëparshme të jetës. Të gjithë fëmijët janë të ndryshëm, andaj shembujt e mëposhtëm të përgjigjeve në raport me moshën e tyre mund të zbatohen për fëmijët e moshave të ndryshme, gjegjësisht aftësive të ndryshme intelektuale.

Fëmijët e vegjël nën moshën 5 vjeçare shpeshherë nuk e kuptojnë se vdekja është e përhershme, andaj mund të pyesin nëse do të kthehet personi që ka vdekur. Ata mund të shfaqin sjellje të tjera si kapja pas prindërve/kujdestarëve të tyre ose të shfaqin disa sjellje regresive si urinimi në shtrat. Këto sjellje janë shumë të shpeshta dhe të zakonshme, por në parim ndërpriten pas një kohe të caktuar. 

Fëmijët më të mëdhenj ndërmjet moshës 6 dhe 11 vjeç fillojnë të kuptojnë se vdekja është përgjithmonë (megjithëse disa 6-vjeçarë do të vazhdojnë të kenë vështirësi ta kuptojnë këtë koncept) dhe mund të shqetësohen se mos do të vdesin edhe anëtarët e tjerë të familjes dhe miqtë e tyre. Ata mund të fillojnë të bëjnë më shumë pyetje dhe duan të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Ata mund ta manifestojnë pikëllimin e tyre përmes zemërimit dhe të përjetojnë dhimbje fizike ose vuajtje.

Adoleshentët dhe tinejxherët e rinj rreth moshës 12 vjeçare e kuptojnë se vdekja është e pakthyeshme dhe u ndodh të gjithëve, përfshirë edhe veten e tyre. Ata shpesh janë të interesuar të kuptojnë pse ndodhin gjërat. Reagimet e tyre do të ndryshojnë dhe mund të përfshijnë apati, zemërim, trishtim ekstrem dhe përqendrim të dobët.

Mbani mend, nuk ka asnjë mënyrë “të duhur” për pikëllim dhe nuk ka faza specifike në të cilat duhet të shfaqen emocione ose sjellje të ndryshme. Reagimet e fëmijëve do të ndryshojnë jashtëzakonisht në varësi të moshës së tyre, aftësive të tyre intelektuale, marrëdhënies së tyre me personin që ka vdekur, mënyrës si reagojnë anëtarët e tjerë të familjes, gjegjësisht kulturës dhe shoqërisë në të cilën jetojnë.

Si t'i them fëmijës tim se ka vdekur një person i afërt i tyre?

Gjëja më e rëndësishme është të mos fshihet e vërteta dhe të mos prolongohet kumtimi i së vërtetës. Është e natyrshme të dëshironi ta mbroni fëmijën tuaj, por është më mirë të jeni të sinqertë. Kur t'i tregoni fëmijës tuaj se çfarë ka ndodhur, do ta rrisni besimin e tij tek ju dhe do t'i ndihmojë ata të përballojnë më mirë humbjen e personit të afërm.

Mundohuni të gjeni një vend të sigurt dhe të qetë për të folur me fëmijët dhe mendoni mirë atë që do të thoni. Kërkojuni fëmijëve të ulen me ju. Nëse është fëmijë i vogël dhe ka një objekt të preferuar, lodër ose batanije, që i pëlqejnë të mbajnë, le ta mbajë pranë vetes. Flisni ngadalë dhe bëni shpesh pauza, për t’iu dhënë atyre kohë për të kuptuar dhe për t'i dhënë vetes kohë për t’i menaxhuar ndjenjat tuaja.

Bëhuni empatikë dhe të sinqertë me fëmijët e të gjitha moshave, por sigurohuni që të jeni të qartë posaçërisht me fëmijët e vegjël dhe mos përdorni eufemizma. Të thuash diçka të tillë si “ne humbëm dikë”, do ta hutojë edhe më tej një fëmijë të vogël, sepse ai nuk do të kuptojë se çfarë do të thotë kjo. Psikologia Dr. Lisa Damur rekomandon me sa vijon: “Është më e dobishme nëse të rriturit thonë me ngrohtësi dhe butësi: "Kam një lajm shumë të rëndë për ta ndarë me ty. Gjyshi/gjyshja ka ndërruar jetë. Kjo do të thotë se trupi i tij/saj ka pushuar së punuari dhe ne nuk do ta shohim më atë." Mund të jetë e vështirë për prindërit, të përdorin një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë, por është e rëndësishme të jesh i sinqertë dhe transparent.”

Do t'ju duhet t’u jepni fëmijëve kohë për ta përvetësuar këtë informacion. Fëmijët e vegjël mund të reagojnë duke u dukur se nuk dëgjojnë. Bëhuni të durueshëm dhe prisni vëmendjen e tyre. Gjithashtu duhet të jeni të përgatitur, që fëmijët më të vegjël do t’ua përsërisin të njëjtat pyetje, si gjatë momentit përkatës, po ashtu edhe gjatë ditëve dhe javëve në vijim.

Disa fëmijë mund të shqetësohen se ata kanë thënë ose bërë diçka, që e ka shkaktuar vdekjen. Fëmijët e të gjitha moshave mund të ndihen fajtorë, andaj kontrolloni nëse ndihen fajtorë në ndonjë farë mënyre. 

A është në rregull që unë të pikëllohem para fëmijës tim?

Është krejtësisht në rregull - dhe e natyrshme - që para fëmijës tuaj të tregoni se jeni të mërzitur. Mundohuni të jeni të përgatitur para fëmijës tuaj, në mënyrë që të mos e alarmoni fëmijën tuaj me reagimin tuaj, por sidoqoftë bëhuni të sinqertë. Nëse jeni të pikëlluar dhe duke qarë, tregojuni atyre se si ndiheni dhe sigurojini se nuk ka asgjë të keqe t’i shfaqni ndjenjat tuaja dhe t'ua shprehni ato ndjenja të tjerëve. Kjo do t'i ndihmojë fëmijët t’i emërtojnë më mirë, t’i përjetojnë dhe t’i manifestojnë ndjenjat e tyre.

Si mund ta ndihmoj fëmijën tim ta përballojë pikëllimin e tij?

Pikëllimi dhe mërzia janë mënyrë e rëndësishme që fëmijët dhe të rriturit të pajtohen me humbjen e një personi të dashur. Është e rëndësishme që fëmijët të përfshihen në çdo mënyrë që ju e shihni të përshtatshme, me të cilën ata ndihen rehat. Pikëllimi i mundëson fëmijës tuaj ta pranojë vdekjen e të personit të afërm, të vlerësojë jetën e tyre dhe të thotë lamtumirë.

Gjeni një mënyrë për të mbajtur një përkujtim për ta shënuar dhe treguar se sa i rëndësishëm ishte ai person për të gjithë ju. Gjeni mënyra që fëmija juaj të lidhet me personin e vdekur, të tregojë dashurinë e tij dhe të tregojë rëndësinë e atij personi në jetën e tij. Fëmijët mund të pëlqejnë të pikturojnë një figurë, të lexojnë një poezi ose diçka që kanë shkruar për atë person ose të këndojnë një këngë.

Të gjitha familjet do të kenë besime të ndryshme shpirtërore ose praktika kulturore. Nëse familja juaj është anëtare e një besimi të caktuar, mund të jetë e dobishme të kontaktoni udhëheqësin tuaj shpirtëror, i cili mund t'ju mbështesë në shpjegimin e vdekjes dhe t’u ngushëllojë si juve ashtu edhe fëmijët tuaj. 

Si mund ta mbroj shëndetin mendor të fëmijës tim pas vdekjes së një njeriu të dashur?

Këtu janë dhënë disa mënyra të rëndësishme, sipas së cilave do të mund ta ndihmoni fëmijën tuaj të ndihet më mirë dhe të mbroni shëndetin e tij mendor:

  • Si prind, i afërm ose kujdestar, të cilit fëmijët i besojnë dhe e njohin mirë, vazhdoni t'i ofroni fëmijës kujdes dhe dashuri të vazhdueshme nga ju.
  • Foshnjat dhe fëmijët e vegjël vazhdojnë të ndihen të sigurt dhe të dashur, nëse vazhdoni të ruani kontakt të dashur fizik përmes  këndimit, përqafimit dhe luhatjes.
  • Sa më shumë që të jetë e mundur ruani rutinat dhe struktura normale e jetës. Mundohuni ta mbani një model të rregullt të ditës, me kohë të caktuar për aktivitete, si pastrimi, detyrat rreth shkollës, ushtrimet dhe loja.
  • Nëse fëmijët shfaqin sjellje sfiduese dhe/ose regresive, përpiquni të kuptoni se është mënyra e tyre për ta manifestuar atë që nuk mund ta shprehin verbalisht dhe mos i ndëshkoni.
  • Sigurohuni që fëmijët e tjerë në jetën e fëmijës të jenë të informuar nëpërmjet mësuesve ose prindërve të tyre për atë që ka ndodhur, në mënyrë që ata të mund ta mbështesin fëmijën në kthimin e tyre në shkollë.

Megjithatë mos harroni të kujdeseni për mirëqenien tuaj fizike dhe mendore. Edhe ju jeni të pikëlluar. Mund të jetë e vështirë t'i mbështesni fëmijët tuaj, derisa keni telashe me ndjenjat tuaja, prandaj është shumë e rëndësishme që të ndani kohë për veten dhe të kujdeseni për veten tuaj. Ju nuk mund t'i ndihmoni fëmijët tuaj nëse nuk jeni mirë. Flini mjaftueshëm, hani siç duhet, ushtroni, ndani kohë për t'u çlodhur (për shembull duke dëgjuar muzikë) dhe gjithashtu keni dikë të cilit mund t'i drejtoheni për mbështetje emocionale. Mundohuni ta shmangni çdo praktikë të dëmshme siç është konsumimi i shtuar i alkoolit.


Ky shkrim është marrë nga “Komunikimi me fëmijët në rast të vdekjes dhe ndihma e fëmijëve për ta përballuar pikëllimin" nga Bashkëpunimi i Shëndetit Mendor dhe Mbështetjes Psikosociale (MHPSS). Për të mësuar më shumë, ju lutemi vizitoni faqen e internetit të MHPSS Collaborative website.