Për të rinjtë: Si të përballemi me ngjarjet tragjike, në të cilat ka më shumë viktima ose persona të

Ballafaqimi me ngjarje të tilla mund të jetë shumë stresues, andaj ndonjëherë është e vështirë të kuptosh se nga të fillosh dhe si ta kuptosh atë që ka ndodhë.

UNICEF
Adoleshenti me telefon
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2022
19 Mars 2025

Kur ndodh ndonjë ngjarje tragjike, në të cilën ka më shumë viktima ose persona të lënduar, të gjithë anëtarët e bashkësisë pësojnë nga ajo. Ballafaqimi me ngjarje të tilla mund të jetë shumë stresues, andaj ndonjëherë është e vështirë të kuptosh se nga të fillosh dhe si ta kuptosh atë që ka ndodhë.

Me kalimin e kohës, shumica e njerëzve fillojnë të ndihen më mirë, vazhdojnë jetën e tyre dhe kthehen në aktivitetet e përditshme. Megjithatë, informacioni i mëposhtëm se si ndikojnë ngjarje të tilla tek ne mund të ndihmojnë të kujdesesh më mirë për veten dhe të tjerët.

Këto janë disa nga reagimet më të zakonshme ndaj ngjarjeve tragjike.

Ndihem i frikësuar, i/e pasigurt dhe i/e pambrojtur

Këto ngjarje janë tronditëse dhe shkaktojnë shqetësime për sigurinë personale. Nëse personat, që kanë pësuar ose janë lënduar gjatë ndodhisë kanë bërë diçka që ti e bën zakonisht ose janë gjendur në një vend të cilin ti  e frekuenton, kjo sigurisht që mund të kontribuojë që të ndihesh i/e frikësuar, i/e shqetësuar dhe i/e pasigurt. Ndoshta mund të mendosh se është e turpshme të ndihesh i/e frikësuar ose se vetëm fëmijët e vegjël mund të tremben, por këto ndjenja janë normale dhe të zakonshme, veçanërisht pas një ngjarje tragjike. Është e rëndësishme të dini se të rriturit (prindërit, shkolla, mjekët, psikologët) punojnë për ta përmirësuar sigurinë tuaj, si dhe sigurinë e të gjithë bashkësisë. Si i ri/e re, ju mund të kontribuoni ndjeshëm në këto përpjekje. Për shembull, të angazhohesh për masat, që beson se mund ta përmirësojnë sigurinë në bashkësinë tënde.

E kam problem të kthehem në aktivitetet e zakonshme

Pas një ngjarjeje tragjike, shumë të rinj do të kenë reagime të ngjashme:

  • Probleme me gjumin (nuk mund të flejë ose zgjohem shpesh gjatë natës, bëj gjumë të parehatshëm, kam ankthe).
  • Probleme me përqendrimin dhe fokusin në shkollë (asgjë nuk arrijë të bëj, jam konfuz, më duket sikur truri më është mjegulluar).
  • Ndjenja trishtimi, zemërimi, hutimi ose frike se një ngjarje tragjike mund të ndodhë përsëri.
  • Ndjehem i izoluar ose i larguar nga familja dhe/ose miqtë (ata nuk më kuptojnë, ndihem i vetmuar).
  • Nuk mund të shpëtoj nga mendimet dhe/ose imazhet e ngjarjes tragjike.
  • Nuk jam i interesuar për gjërat që më parë kanë qenë të rëndësishme/interesante për mua.
  • Kam dhimbje koke, dhimbje barku, ndjej se po më rrah zemra fuqishëm ose më ka ndryshuar oreksi.
  • Disa imazhe, tinguj, aroma dhe skena më kujtojnë ngjarjen tragjike.
  • Nervozizëm i vazhdueshëm, tension dhe gatishmëri për t’u “mbrojtur” nga ndonjë rrezik.

Nëse personalisht ty ose ndokujt që e njeh i ka humbur jetën ndonjë person i afërt, atëherë mund të shfaqen edhe reagime tjera. Çdo person e përjeton ndryshe pikëllimin, madje nuk ekziston ndonjë mënyrë “e duhur” për t’u pikëlluar.

Jam i shqetësuar për familjen dhe të dashurit e mi

Si një person i ri/e re, kaloni një fazë të pavarësisë më të madhe dhe të zhvillimit të vlerave dhe interesave tuaja. Pas një ngjarjeje tragjike, në të cilën ka më shumë viktima ose të lënduar, mund të fillosh të kujdesesh për mirëqenien e të dashurve tuaj në një mënyrë tjetër ose edhe më shumë se zakonisht.

Për shembull, pas ngjarjeve të tilla, ne shpesh bëhemi më të vetëdijshëm se si ngjarja prek vëllezërit dhe motrat më të mëdhenj ose më të vegjël, për këtë arsye veprojmë me një qasje më mbrojtëse ndaj tyre. Nëse mendon se prindërit e tu janë shumë të mërzitur nga ngjarja, mund ta shmangni bisedën me ta për mënyrën se si ndiheni, në mënyrë që t’i kurseni nga stresi shtesë. Megjithatë do të ishte mirë të kishe një person të rritur pranë teje, me të cilin mund të flasësh për atë që ka ndodhur dhe për atë se si ndihesh.  

Problemet e mia të përditshme bëhen gjithnjë e më të vështira

Të rinjtë përballen me sfida të ndryshme, si përshtatja me procesin arsimor në shkollë, balancimi i përgjegjësive dhe aktiviteteve tjera, planet për regjistrim në shkollë të mesme ose fakultet, presioni i bashkëmoshatarëve, problemet në shtëpi ose në ndonjë lidhje romantike.

Kur ndodh një ngjarje tragjike, mund të duket sikur të gjitha problemet tuaja janë të parëndësishme në krahasim me situatën përkatëse. Megjithatë, një ngjarje e tillë mund t’i përkeqësojë problemet me të cilat tashmë përballeni ose t’i bëjë ato të duken shumë më të mëdha dhe më të vështira se më parë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse ka pasur ndonjë përvojë me traumë, ankth, depresion ose kushte të ngjashme përpara ngjarjes.

Kërkimi i kuptimit

Është e vështirë të kuptosh pse ndodhin ngjarje tragjike ose pse dikush do t’i lëndonte ose vriste të tjerët, me dashje ose nga pakujdesia. Kjo mund t’ju bëjë ta vini në dyshim besimin tuaj te të tjerët, besimin tuaj dhe mënyrën se si mendoni për botën dhe njerëzit. Kërkimi i kuptimit pas një ngjarjeje të tillë mund të jetë një sfidë e madhe. Në këtë proces mund t'ju ndihmojë leximi, biseda me miqtë, me familjen ose me një psikolog. 

Kujdesu për veten

Kufizo ekspozimin tënd ndaj mediave sociale

Pas një ngjarjeje tragjike, në të cilën kanë humbur jetën ose janë lënduar shumë persona, është e natyrshme që mediat të raportojnë vazhdimisht për të. Mund të ndodhë që nuk mund ta frenosh veten duke shikuar në telefon dhe duke ndjekur vazhdimisht përmbajtjet që kanë të bëjnë me ngjarjen, por kjo vetëm sa do ta shtojë edhe më tepër ndjesinë e stresit. Do të ishte mirë të shkëputesh nga lajmet dhe rrjetet sociale për të paktën disa orë në ditë. Nëse ju ndihmon të përballoni stresin shikimi i televizorit ose kalimi i kohës në telefon, atëherë shikoni filma ose kanale, të cilat nuk transmetojnë lajme.

Praktikoni zakone të shëndetshme

Kjo është një kohë e mirë për t’i kushtuar vëmendje mbajtjes së një rutine të përditshme që përfshin vakte të rregullta, ushqime të shëndetshme, aktivitet fizik dhe gjumë të rregullt. Fikja e televizorit dhe telefonit gjatë natës do t’ju ndihmojë ta arrini këtë.

Jepini vetes një pushim

Është në rregull të "shkëputesh" nga një ngjarje tragjike. Kjo nënkupton të bësh diçka që do të mundësojë një pushim, sikurse të dëgjoni muzikë, të bëni një shëtitje, të shoqëroheni, të kujdeseni për një kafshë të dashur (kanakar), të relaksoheni, të vizatoni, të shkruani...

Ruani lidhjet me të tjerët

Kaloni kohë me familjen, miqtë dhe njerëzit në praninë e të cilëve ndiheni mirë dhe të relaksuar. Mos u distanco nga të dashurit tuaj. Mund të jetë mirë që ju të dilni vullnetarë ose të bëni disa aktivitete tjera të dobishme shoqërore. Lidhja me njerëzit e tjerë na bën të ndihemi më mirë. Nëse jeni të shqetësuar se si e trajton këtë ngjarje një mik, kontaktoni atë ose konsultohuni me një të rritur, te i cili keni besim.

Nëse humbisni një person të dashur në ngjarjen tragjike

Mbani mend se pikëllimi është proces i gjatë. Jepini vetes kohë për të përjetuar ndjenja të vështira, por edhe për t’u rikuperuar. Për disa, është më e lehtë të qëndrojnë në shtëpi dhe të pikëllohen në rrethin më të ngushtë, ndërsa për të tjerët është më mirë t’i kthehen aktiviteteve normale. Përballja me tronditjen dhe traumën kërkon kohë. Me kalimin e kohës do të ketë shumë ndryshime në mënyrën se si ndiheni dhe silleni, duke përfshirë ndjenjat e fajit se i keni mbijetuar tragjedisë, në të cilën njerëzit e tjerë janë lënduar.

Kërkoni ndihmë

Nëse dëshironi të flisni me dikë për të kërkuar ndihmë, kontaktoni prindërit, mësuesit, mjekun tuaj të familjes ose një psikolog. Shumica e këtyre reagimeve dhe ndjenjave janë të përkohshme, andaj ato do të zbehen ose zhduken me kalimin e kohës. Megjithatë nëse nuk largohen, mos hezitoni të kërkoni këshilla dhe ndihmë shtesë.

Çfarë nuk ndihmon:

  • Përdorimi i alkoolit ose substancave të tjera psikoaktive
  • Tërheqja ose ndërprerja e komunikimit me familjen dhe miqtë
  • Tërheqja nga aktivitetet për të cilat keni interes dhe ju pëlqejnë
  • Shumë detyrime dhe fokusim vetëm te studimi ose puna
  • Konfliktet dhe sjellje të dhunshme
  • Shmangia e vazhdueshme e të menduarit dhe/ose të folurit për ngjarjen tragjike

…………...........................................................................................................................................................................................

Ky tekst është përshtatur nga burimet e zhvilluara nga UNICEF Serbi, së bashku me Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Serbisë.