“Vendimi më i mirë që e kam ndërmarrë ishte të bëhesha kujdestar”
Të strehosh një fëmijë do të thotë ta pranosh atë si fëmijën tënd

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Majlinda dhe Donço Trajanovski janë ndër kujdestarët e rrallë në Maqedoninë e Veriut, që kujdesen për foshnjat. Ata janë të vetëdijshëm se ky lloj kujdesi është afatshkurtër dhe se gjatë disa muajve duhet t’i sigurojnë foshnjës një ambient të ngrohtë familjar derisa sistemi i mbrojtjes së fëmijëve ta gjejë një zgjidhje të përhershme, siç është kthimi i fëmijës në familjen biologjike apo adoptimi.

Për herë të parë para tre viteve Majlinda kishte dëgjuar nga shoqe mbi mundësinë për t’u kujdesur për fëmijët pa kujdes prindëror. “Që nga ai moment, nuk mund të mendoja për asgjë tjetër.” E mbushur me emocione nga mendimi i ri, ajo foli me burrin e saj dhe ata vendosën të regjistroheshin dhe ta ndiqnin trajnimin e kujdestarisë. “Ne kemi një shtëpi të madhe, prandaj pse të mos ndihmojmë fëmijët që po kalojnë një kohë të vështirë dhe që kërkojnë një vatër të ngrohtë”, thonë ata.

Për momentin, kjo familje kujdeset për një foshnjë dhe dy vëllezër jetimë 10 dhe 12 vjeç, të cilët shkojnë në shkollë së bashku me fëmijët e tyre 11 dhe 13 vjeç.
“Unë shkoj në mbledhjet prindërore për fëmijët që i kam nën kujdestari, ndërsa burri im shkon në mbledhjet e prindërve me fëmijët tanë. Nevojitet durim, fëmijët që janë me ne kanë kaluar përvoja të vështira, i kanë humbur prindërit, kanë dështuar në shkollë dhe unë mundohem të punoj me ta. Në mbrëmje, që të mos e kalojnë kohën me celularë, iu shpik lojëra, p.sh. gjetja e shkronjave ose luajmë futboll në oborr. Nëse nuk ka fëmijë të tjerë për të luajtur, unë luaj me ta”, shprehet ajo e buzëqeshur.
“Kam shumë mbështetje nga bashkëshorti im. Ai është shumë i lidhur me foshnjën për të cilën po kujdesemi tani; bashkëshorti im zgjohet natën për të kontrolluar se si po fle, ndërsa në mëngjes i drejtohet me fjalë përkëdhelëse - ku je ti? ku je ti?"

Fëmija i parë për të cilin u kujdes një vit më parë familja e Majlindës pati një epilog të lumtur, ajo u birësua. “I uroj vajzës gjithë të mirat në jetë. E kisha të vështirë të ndahesha me të, por e di që tani është me njerëz të mirë”, thotë Majlinda, e cila e pranoi fëmijën kur ishte 11 ditëshe dhe gjashtë muaj dhe më vonë e dorëzoi me buzëqeshje dhe lot në sy.
Gjashtë muaj ose një vit në jetën e një foshnjeje do të thotë shumë. Gjatë kësaj periudhe vendimtare për zhvillimin e fëmijës, çdo përvojë e vetme ndikon në zhvillimin e trurit dhe e formëson mënyrën se si fëmija mendon, sillet dhe mëson gjatë gjithë jetës. Mungesa e kujdesit familjar mund të lërë gjurmë gjatë gjithë jetës. Kjo është arsyeja pse familjet kujdestare dhe kujdesi farefisnor janë mënyra më e mirë për t’u ofruar fëmijëve pa kujdes prindëror ngrohtësi familjare dhe ndjenjë sigurie e përkatësie.

Familjet kujdestare, kujdesi farefisnor dhe shtëpitë e grupeve të vogla janë bërë zgjidhjet kryesore alternative për fëmijët pa kujdes prindëror pas deinstitucionalizimit dhe mbylljes së suksesshme të institucioneve të mëdha për fëmijët në vitin 2019, që u zbatua me mbështetjen e UNICEF-it.
Që atëherë, UNICEF-i ka punuar me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për ta forcuar më tej sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, me fokus në familjet kujdestare dhe kujdesin farefisnor. Synimi kryesor është rritja e numrit të familjeve kujdestare - të cilat ngjashëm si familja e Majlindës - në vendimin e tyre për ta adoptuar një fëmijë, të udhëhiqen nga dëshira e sinqertë për të ndihmuar dhe për të ofruar dashuri.
Për më shumë informacione se si të bëheni kujdestar për fëmijë, vizitoni faqen www.zgrizuvanje.gov.mk