“Çdo fëmijë ka nevojë për familje” fushata e UNICEF për mobilizim të familjeve të reja kujdestare

- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 17 maj 2023: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) e nisën sot fushatën e kujdestarisë “Secili fëmijë ka nevojë për familje” me qëllim të shtirjes së qasjes dhe mobilizimit të prindërve kujdestarë, të cilët kanë dëshirë dhe motivim të sinqertë për t’i ofruar kujdes një fëmije në nevojë, duke përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, foshnjat, fëmijët viktima të dhunës ose neglizhencës dhe fëmijët që kanë nevojë për kujdes për shkak se janë të ekspozuar ndaj rreziqeve.
“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk ka asgjë që mund ta zëvendësojë dashurinë dhe mbështetjen e një familjeje. Kjo është arsyeja pse ne jemi kaq të përkushtuar që ta zhvillojmë një rrjet të kujdestarëve dhe t’ua japim atyre mbështetjen e plotë institucionale, në mënyrë që të mund t’ia ofrojmë fëmijës në nevojë kujdesin më të mirë të mundshëm”, tha Jovana Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
“Maqedonia e Veriut ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të siguruar që asnjë fëmijë të mos jetojë në entet për fëmijë të përmasave të gjerë. Për fat të keq, gjithmonë do të ketë raste kur nuk është e mundur, nuk është e sigurt ose nuk është në interesin më të mirë të fëmijës që të jetojë me familjen e tij biologjike”, tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Në raste të tilla, fillimisht duhet mbështetur familja biologjike, mirëpo nëse mbështetja nuk mund ta përmirësojë menjëherë gjendjen familjare, atëherë ekzistojnë forma alternative të përkujdesit, ndërsa kujdestaria është forma tjetër më e mirë alternative e mjedisit familjar.”

Kujdestaria dhe strehimi në farefis, së bashku me shtëpitë e grupeve të vogla, janë bërë alternativat kryesore që i ngjasojnë familjes, në të cilat strehohen fëmijët pa kujdes prindëror pas deinstitucionalizimit të suksesshëm të fëmijëve nga institucionet në përmasë të gjerë në vitin 2019.
Fushata “Çdo fëmijë ka nevojë për familje” do t’i mbështesë përpjekjet e qendrave Burimore të Kujdestarisë në Shkup dhe Manastir dhe qendrave për Punë Sociale në mbarë vendin për ta rritur interesin rreth përkujdesjes dhe për t’i identifikuar kujdestarët në çdo komunë. Në këtë mënyrë, sistemi kujdestar do të jetë në gjendje ta lehtësojë mbajtjen e një lidhjeje me familjen, komunitetin dhe sfondin kulturor të fëmijës.
Fushata përbëhet nga dëshmi dokumentare të familjeve që vendosën të bëhen kujdestarë, të nxitura nga dëshira e sinqertë për të ofruar dashuri dhe për ta krijuar një mjedis edukues për fëmijën; dhe përmbajtja e mediave sociale si dhe reklamat dhe afishet në ueb. Të gjitha këto e promovojnë ueb faqen https://zgrizuvanje.gov.mk/ ku familjet e mundshme kujdestare mund të gjejnë më shumë informacione mbi kujdestarinë dhe mënyrën e aplikimit.

Së bashku me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, UNICEF-i i ka mbështetur edhe qendrat Burimore të Kujdestarisë në Manastir dhe Shkup, me qëllim të ndihmesës dhe udhëzimit të familjeve kujdestare, në mënyrë që ato të mund ta ofrojnë saktësisht llojin e kujdesit që i nevojitet fëmijës në kujdestarinë e tyre.
UNICEF-i gjithashtu ka punuar me partnerët tjerë për t’i mbajtur familjet tok, përmes forcimit të mbështetjes së bashkësisë me fokus në familjet dhe përmirësimit të edukimit të prindërve për të krijuar një mekanizëm funksional të kontrollit, i cili do të sigurojë që politikat, procedurat dhe shërbimet të jenë të vendosura për ta parandaluar ndarjen e fëmijëve nga familja dhe bashkësia.
Promovimi dhe forcimi i sistemit të kujdestarisë në Maqedoninë e Veriut është pjesë e një reforme më të gjerë të kujdesit ndaj fëmijëve, e mbështetur nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Udhëzimet e OKB-së për Kujdesin Alternativ të Fëmijëve, të cilat pranojnë se fëmijët rriten dhe zhvillohen më së miri në suaza të një mjedisi edukues dhe plot dashuri, të mbështetur nga personat e rritur të cilët mbi të gjitha janë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm.
Këtë vit, kur UNICEF-i e kremton 30 vjetorin e prezencës dhe veprimtarisë në Maqedoninë e Veriut, është përkujdesur që ta mbështesë procesin e de-institucionalizimit, i cili është një nga pikat kryesore të përpjekjeve të tij për të siguruar që çdo fëmijë në vend të rritet në një mjedis, që i ngjason familjes.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.