Kur u bëra kujdestare, solla gëzim në shtëpinë time
Rrëfimi e Emines dhe Tarkanit, të cilët kanë qenë kujdestarë për 15 vjet dhe kanë ndihmuar 18 fëmijë, që kanë ngelë pa kujdes prindëror

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Maqedonia e Veriut është një nga vendet evropiane, që e ka ndryshuar mënyrën e kujdesit për fëmijët pa përkujdesje prindërore, duke i kaluar ata nga kujdesi institucional në kujdesin e bazuar në shtëpitë e grupeve të vogla ose familjet kujdestare. Kjo qasje kontribuon në përmirësimin e kushteve të jetesës, gjë që padyshim e kultivon mjedisin familjar plot dashuri, mbështetje dhe mirëkuptim ndaj fëmijëve dhe në këtë mënyrë ndikon në zhvillimin e tyre të mëtejshëm. Një ambient i tillë jetese është ai i familjes së Emines, e cila së bashku me bashkëshortin e saj janë kujdestare të specializuara prej më shumë se 15 vite.

Gjatë 15 viteve të fundit, Emineja dhe Turkani janë kujdesur për fëmijë me sfond të ndryshëm psikosocial, kanë ndihmuar në raste urgjente, domethënë i kanë strehuar fëmijët si në planin afatshkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë. Për shkak të ndjeshmërisë së rrethanave të jetës së fëmijëve, Emineja dhe Turkani kanë marrë pjesë në trajnime të duhura të specializuara, të cilat i kanë ndihmuar edhe në procesin e sensibilizimit dhe përmirësimit të aftësive të tyre në kujdesin ndaj fëmijëve në rrezik.
“Unë e di, që fëmijët vijnë nga të gjitha llojet e prejardhjeve, por është e rëndësishme për mua ta vërejë se çfarë u mungon atyre në mënyrë që të shoh se si mund t’i ndihmoj ata”, thotë kujdestarja, Emineja, duke e konfirmuar kështu nevojën e përditshme që kujdestari duhet t’iu qaset me durim përvojave individuale të jetës dhe zhvillimit personal të fëmijëve.

Kur bëhet fjalë për atë që e shtyu Eminen të bëhej kujdestare, ajo tregon se pasi i rriti fëmijët e saj, shumica e të cilëve shkuan jashtë vendit, te ajo lindi dëshira për t’i mbështetur fëmijët që kishin ngelë pa kujdes prindëror.
“Kur i dërgova fëmijët jashtë, shtëpia mbeti bosh dhe më mungonte zhurma e fëmijëve. Aty e kuptova se nëse do të filloja të kujdesesha për fëmijë, do të sillja gëzim në shtëpinë time”.
Nga kjo pikënisje, Emineja dhe Turkani filluan ta zhvillojnë dhe ndërtojnë historinë e tyre familjare, ku 18 fëmijë e ndanë hapësirën e tyre, secili me përjetimet e veta të veçanta dhe personale.

Së bashku me Eminen dhe Turkanin, përveç dy fëmijëve që kujdesen prej kohësh jetojnë edhe dy mbesat e tyre. Medoemos bie në sy afërsia që u krijua mes fëmijëve, e cila kontribuoi më tej në një integrim më të mirë në mjedisin familjar. Me kalimin e kohës dhe me kujdesin dhe dashurinë e vazhdueshme që marrin fëmijët në përkujdesje, është evident përmirësimi i gjendjes së tyre. Siguria që ata ndjejnë është padyshim e nevojshme për zhvillimin e tyre të mëtejshëm.

Emineja dhe Turkani dhanë një shembull për mjedisin e tyre të afërt, gjë që konfirmohet nga fakti se ata e ngjallin dëshirën te mbesat e tyre për t’u bërë kujdestare kur të rriten, madje duke përfshirë edhe fqinjët e tyre, të cilët u frymëzuan për të ndihmuar dikë dhe për t’u kujdesur për fëmijë në një mjedis të ngrohtë dhe të sigurt familjar.
UNICEF-i punon me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për ta forcuar më tej sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, me fokus në familjet kujdestare dhe kujdesin farefisnor.
Mësoni më shumë se si mund të bëheni kujdestar në www.zgrizuvanje.gov.mk