Burimet e reja për familjet e mundshme kujdestare
Faqja e parë e internetit, e cila i ofron në një pikë të gjitha burimet mbi kujdestarinë
- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 21 mars 2023: Sot UNICEF-i dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale e kanë hapur ueb faqen e re http://www.zgrizuvanje.gov.mk/ të krijuar për t’i mobilizuar familjet e reja kujdestare, të cilat kanë dëshirë dhe motivim të sinqertë për të ofruar kujdes të përkohshëm për fëmijët në nevojë.
“Ministria e Punës dhe Politikës Sociale përmes zgjidhjeve ligjore, strategjive, programeve dhe aktiviteteve, punon në krijimin e kushteve që çdo fëmijë pa përkujdesje prindërore të rritet dhe të zhvillohet në një mjedis familjar”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. “Ministria punon me partnerët e saj për ta rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve mbi nevojën për të ofruar kujdes të sigurt dhe cilësor për fëmijët ku ata do të duhen, respektohen, mbështeten dhe inkurajohen të rriten dhe zhvillohen si qytetarë të suksesshëm të shoqërisë sonë.”
“Çdo promovim i familjeve kujdestare si formë shumë e rëndësishme e kujdesit ndaj fëmijëve është i mirëseardhur, po ashtu është e mirëseardhur edhe ueb faqja e re http://www.zgrizuvanje.gov.mk/, e cila besoj se do të sjellë përvoja pozitive, ndërsa qytetarët, prindërit e tanishëm ose kujdestarët potencialë do të mund të gjejnë informacione të dobishme mbi kujdestarinë, gjegjësisht si të bëhen kujdestarë, ku të drejtohen dhe gjithçka tjetër që iu intereson”, theksoi Trençevska.
“Nuk ka asgjë që mund ta zëvendësojë një mjedis familjar për sa i përket ndikimit në rritjen, zhvillimin dhe mirëqenien e përgjithshme të fëmijës,” tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it. “Çdo fëmijë ka nevojë për një familje. Fëmijët pa kujdes prindëror shpesh kanë përjetuar ngjarje traumatike herët në jetën e tyre. Prandaj, dhënia e dashurisë, kujdesit dhe vëmendjes që ata kërkojnë, mund të jetë gjithçka për ta dhe ta ndryshojë pozitivisht jetën e tyre.”
Shërbimet e kujdestarisë e paraqesin një formë të përkujdesit me bazë familjare për fëmijët për të cilët të jetuarit me familjet e tyre nuk është opsion për momentin. Kujdesi strehues dhe farefisnor, së bashku me shtëpitë e grupeve të vogla, janë bërë alternativat kryesore të ngjashme me familjen për fëmijët pa kujdes prindëror pas deinstitucionalizimit të suksesshëm të fëmijëve nga institucionet në shkallë të gjerë në vitin 2019.
Që atëherë, UNICEF-i ofron mbështetje të vazhdueshme për fuqizimin e mëtejshëm të sistemit të kujdesit ndaj fëmijëve, me fokus në kujdesin familjar dhe farefisnor. Në këtë kontekst, burimet e reja të internetit të shpalosura sot janë një nga mjetet për ta forcuar dhe zgjeruar rrjetin e familjeve kujdestare.
Faqja e internetit përmban informacione të përgjithshme për kujdestarinë adoptuese, procesin e të qenit kujdestar, llojet e kujdestarisë, legjislacionin përkatës, lajmet, kontaktet, informacionet rreth ndihmës financiare dhe pyetjet e parashtruara më së shpeshti. Gjithashtu ekziston një mjet ndërveprues ku kujdestarët e mundshëm mund t’i dërgojnë pyetjet e tyre me interes drejtpërdrejt në qendrat mbështetëse të kujdestarisë përmes faqes së internetit.
Në vend funksionojnë tre qendra mbështetëse të kujdestarisë, të cilat i mbulojnë zonat e veçanta gjeografike, dy prej të cilave janë ngritur në ambientet e ish-institucioneve të mëdha për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Qendra e parë e kujdestarisë është themeluar në korrik të vitit 2021 në Shkup në ish-institucionin për fëmijë pa përkujdesje prindërore “11 Tetori”. Qendra e dytë është e vendosur në Manastir në ish entin për fëmijë të vegjël pa përkujdesje prindërore “Shtëpia për fëmijë dhe foshnje”, ndërsa e treta drejtohet nga fshati SOS për fëmijë në Shkup.
Aktualisht, ka rreth 590 fëmijë në kujdestari dhe rreth 100 fëmijë në shtëpi të vogla grupore, duke përfshirë fëmijë nga 0-3 vjeç dhe fëmijë me aftësi të kufizuara.
Megjithatë, pavarësisht progresit të konsiderueshëm, numri i familjeve kujdestare ekzistuese nuk është i mjaftueshëm dhe nuk është i shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë vendin. Kjo është arsyeja pse përmes promovimit të strehimit, sistemi i kujdesit për fëmijët synon ta krijojë një rrjet familjesh kujdestare, të gatshme për të ofruar kujdes dhe mbrojtje për fëmijët në çdo komunë dhe për të lehtësuar mbajtjen e një lidhjeje me familjen, komunitetin dhe sfondin kulturor të fëmijës.
Promovimi dhe forcimi i sistemit të kujdestarisë në Maqedoninë e Veriut janë pjesë e një reforme më të gjerë të kujdesit ndaj fëmijëve, e mbështetur nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës dhe Udhëzimet e OKB-së për kujdesin alternativ të fëmijëve, e cila vërteton që fëmijët të rriten dhe zhvillohen më së miri në një mjedis edukues dhe të kujdesshëm, të mbështetur nga të rritur, të përkushtuar dhe të përgjegjshëm.
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.
Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.
Ndiqeni UNICEF-in në Twitter, Facebook, Instagram dhe YouTube.