Fëmijët lulëzojnë vetëm nëse jetojnë në një mjedis familjar
Katër prindër kujdestarë ndajnë përvojën e tyre të përditshme

- Gjendet në:
- English
- Македонски
- Shqip
Gjatë disa viteve të fundit, pas de-institucionalizimit të suksesshëm të fëmijëve pa kujdes prindëror në Maqedoninë e Veriut - që u zbatua me mbështetjen e UNICEF-it - kujdestarët kanë marrë rol të pazëvendësueshëm në ofrimin e kujdesit, dashurisë dhe mbrojtjes për fëmijët që më së shumti kanë nevojë për të. Katër familje kujdestare nga qytete të ndryshme të vendit e paraqesin diversitetin e përditshmërisë së tyre. Secili fëmijë ka një histori të ndryshme, por ajo që i lidh ata është dashuria dhe kujdesi që ata marrin në familjet që ua kanë hapur dyert e zemrës dhe dyert e shtëpive të tyre.

Juliana nga Kërçova aktualisht po kujdeset për një vajzë katërmbëdhjetë vjeçare, me të cilën ka krijuar një lidhje të ngushtë. “Vendosa të bëhem kujdestare sepse edhe vetë kam qenë e strehuar në familje kujdestare si fëmijë, kur familja ime po kalonte një periudhë të vështirë. Ajo përvojë më ndihmoi të piqesha si person dhe ta zhvilloja qëndrueshmërinë time. Më ka ndihmuar gjithashtu të zhvilloj raporte dhe ndjeshmëri më të mirë me fëmijët nën kujdesin tim.”

Sonja është kujdestare nga Prilepi, nënë e katër fëmijëve, e cila për momentin po kujdeset për dy fëmijë të tjerë me aftësi të kufizuara. “Gjëja më e rëndësishme për një fëmijë është mjedisi në të cilin ai rritet dhe zhvillohet. Unë kam qenë dëshmitare e ndryshimeve të mëdha pozitive te fëmijët – fjala bie në segmentin e fjalëve që përdorin, koordinimin dhe lëvizjen e trupit, gjegjësisht në rritjen e vetëbesimit.”

Në Krushevë ekziston një rrjet i mirë i familjeve kujdestare. Kujdestarja Elpiniki nga Krusheva ruan marrëdhënie të ngushtë me kujdestarët e tjerë në qytet me të cilët ndihmohet përmes këshillave ose duke ofruar mbështetje praktike. “Unë do t’iu rekomandoja të gjithëve, nëse kanë dëshirë të sinqertë për t’u kujdesur për një fëmijë, t’i dhurojnë një shtëpi të ngrohtë, një familje dhe mbi të gjitha dashuri. Medoemos nevojiten shumë përpjekje, mirëpo kur e sheh se si fëmija po përparon, plotësisht të kaplon gëzimi.”

Gjatë dhjetë viteve të fundit, familja e Navries dhe bashkëshorti i saj Gjonum janë kujdesur dhe iu kanë dhanë dashuri 25 fëmijëve. Ata kujdesen edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara pasi i kanë ndjekur trajnimet e specializuara. “Kur mësuam nga televizioni se ekziston mundësia për t’u kujdesur për fëmijë, menjëherë vendosëm ta marrim një fëmijë dhe të ndihmojmë. Nëse nuk do të kishim vendosur kështu, sot do të ishim të vetëm dhe të vetmuar në shtëpi”.
UNICEF-i punon me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale për ta forcuar më tej sistemin e mbrojtjes së fëmijëve, me fokus në familjet kujdestare dhe kujdesin farefisnor. Qëllimi kryesor është rritja e numrit të familjeve kujdestare, të cilat ashtu si këto familje, në vendimin e tyre për ta rritur një fëmijë udhëhiqen nga një dëshirë e sinqertë për të ndihmuar dhe për të ofruar dashuri.
Për më shumë informacione se si të bëheni kujdestar për fëmijë, vizitoni faqen https://zgrizuvanje.gov.mk/