Mbështetësit e rinj të UNICEF-it nxisin ndryshimin përmes zgjidhjeve inovative mbi adresimin e çësht
Prezantimi i pesë ekipeve të të rinjve, pararendës në zhvillimin e zgjidhjeve mbi përmirësimin e qasjes në drejtësi për fëmijët në kontakt me ligjin

- English
- Македонски
- Shqip
Kur fëmijëve dhe të rinjve iu jepet platforma dhe mundësia e duhur, ata janë në gjendje të propozojnë zgjidhje, të japin ide dhe t’i frymëzojnë të tjerët për të sjellë ndryshime pozitive në jetën e tyre. Pjesëmarrja e fëmijëve dhe të rinjve është shumë më tepër sesa vetë mundësia e të folurit. Pra, ajo ka të bëjë me informimin, angazhimin dhe ndikimin në vendimet dhe çështjet që ndikojnë në jetën e fëmijëve në shtëpinë e tyre, në shkollë dhe në komunitet.
UNICEF i mbështet iniciativat e pjesëmarrjes për t’i ndihmuar adoleshentët t’i zhvillojnë aftësitë që iu nevojiten për t’i formuar dhe shprehur opinionet e tyre, për ta kuptuar dhe për të ushtruar spektrin e plotë të të drejtave të tyre. Një iniciative e tillë është Të rinjtë mbështetës të drejtësisë për fëmijët, e cila i ka angazhuar të rinjtë të zhvillojnë zgjidhje mbi përmirësimin e qasjes në drejtësi për fëmijët përmes qasjes së projektuar të të menduarit njerëzor.

Pas publikimit të thirrjes së hapur, gjashtëdhjetë fëmijë dhe të rinj me sfond të ndryshëm social dhe ekonomik nga i gjithë vendi, iu bashkuan iniciativës së UNICEF-it Të rinjtë mbështetës të drejtësisë për fëmijët. Ky program është unik për nga qasja që ka, pasi që grupi i larmishëm i përfshinte edhe fëmijët dhe të rinjtë nga enti edukativ korrektues dhe shtëpitë e grupeve të vogla, duke krijuar kështu një mundësi që ata, të udhëhequr nga përvojat e tyre me sistemin e drejtësisë, të bëhen pjesë e zgjidhjes dhe të dëgjohet zëri i tyre.
Programi njëvjeçar mundësoi një hapësirë të sigurt ku fëmijët dhe të rinjtë mund t’i ndajnë me të tjerët problemet, sfidat dhe frikën e tyre dhe bashkërisht të kërkojnë zgjidhje. Iniciativa në fjalë i ka ekspozuar ata ndaj realiteteve dhe sfidave të ndryshme me sistemin, gjë që e ka përforcuar angazhimin e tyre për t’i mbrojtur të drejtat e fëmijëve në kontakt me ligjin.
Me mbështetjen e pesë mentorëve profesionistë me përvojë të konsiderueshme në sistemin e drejtësisë, dhe pas një trajnimi 3-ditor mbi të drejtat e fëmijëve, Të rinjtë mbështetës të drejtësisë për fëmijët, zhvilluan mekanizma dhe zgjidhje dhe i prezantuan idetë e tyre për mbështetje të drejtpërdrejtë, avokim ose shkallëzim të mundshëm para një forum të përfaqësuesve të qeverisë, botës akademike, sektorit qytetar dhe partnerëve të tjerë. Në vijim janë shpalosur zgjidhjet e tyre.
Ekipi ArsimPërTëGjithë për rritjen e ndërgjegjësimit mbi të drejtën e arsimimit të fëmijëve në kontakt me ligjin

“Me këtë iniciativë kemi dashur të themi hapur se çdo fëmijë duhet të ketë qasje në arsim, andaj kjo e drejtë nuk guxon t’i mohohet fëmijës, nëse ai ka bërë një gabim ose ka rënë në konflikt me ligjin. Arsimi nuk duhet t’i sigurohet vetëm përmes projekteve, por duhet të sigurohet nga shteti”, theksoi Simona Pereska 18-vjeçare nga Shkupi.
Në këtë grup bënte pjesë edhe Emre Xhelin, djaloshi 18-vjeçar, i cili aktualisht ndodhet në një institucion edukativ korrektues. Ai thotë se autoritetet duhet t’i zbatojnë angazhimet e tyre në praktikë – të sigurojnë arsim të pandërprerë për fëmijët në konflikt me ligjin. “Ne nuk kemi arsim të vazhdueshëm në institucion. Ne kërkojmë që kjo çështje të zgjidhet një herë e përgjithmonë”.
“Kur për herë të parë Emre e ndau këtë çështje me të tjerët gjatë punëtorisë së projektimit të të menduarit në Krushevë, ne e dinim se duam të punojmë në këtë iniciativë dhe ta rrisim ndërgjegjësimin mbi të drejtën për arsimim të fëmijëve në konflikt me ligjin, potencoi Andrea Velinovska nga Gradsko e Velesit.
Ekipi ArsimPërTëGjithë doli me rekomandime se si të arrihet një zgjidhje sistematike, duke përfshirë partneritetin me organizatat e të drejtave të njeriut, në mënyrë që të zgjerohen përpjekjet e tyre për mbështetje rinore.
Ekipi “Fol, Dëgjo, Zgjidh” gjatë shpalosjes së idesë së ndërmjetësimit të bashkëmoshatarëve në sistemin arsimor

“Sinqerisht, ne nuk donim të eksperimentonim, por në fakt donim ta prezantonim ndërmjetësimin e bashkëmoshatarëve sepse pamë se sa efektiv është në vendet e tjera. Ne kemi marrë trajnime nga Dhoma e Ndërmjetësuesve dhe do të donim t’ua transferonim këtë njohuri bashkëmoshatarëve tanë në mënyrë që ata të mund të bëhen ndërmjetësues shkollor. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm, që kur fëmijët përjetojnë ndonjë problem, ata priren të jenë më shumë të hapur me moshatarët e tyre sesa me institucionet. Nëse ndërmjetësuesi bashkëmoshatar nuk gjen zgjidhje, atëherë i aktivizojmë/lajmërojmë ekspertët e shkollës”, tha Desanka Nikollova, nxënëse 18 vjeçare nga shkolla e mesme “Dimitrija Çupovski” nga Velesi.

Ekipi e përgatiti një video ku shpjegon se çfarë duhet bërë kur jeni dëshmitarë ose përjetoni dhunë nga bashkëmoshatarët. Kjo video do të prezantohet në shkolla të ndryshme, duke filluar nga shkolla e tyre. Ata shpresojnë se kjo do t’i inkurajojë të rinjtë që ose t’i raportojnë vetë çështjet ose të flasin me bashkëmoshatarët e tyre.
“Ndërmjetësimi i kolegëve në përgjithësi është një mjet shumë më efektiv, edhe nga pikëpamja financiare, sepse procedurat gjyqësore mund të jenë të kushtueshme dhe shumë të gjata, prandaj në shumë raste edhe nuk arrihet me lehtësi në marrjen e vendimeve gjyqësore. Shkuarja e menjëhershme te ndërmjetësi mund plotësisht ta evitojë daljen në gjykatë”, vëren Stefan Atanasovski Trajkoviç, nxënës 17-vjeçar nga shkolla e mesme “Koço Racin” në Veles.
Ekipi Klubet e nxënësve për një doracak mbi themelimin e klubeve të nxënësve

Duke u bërë iniciator, dikush që kërkon veprim, mund ta ndryshojë mënyrën se si nxënësit e perceptojnë rolin e tyre në shkollë. Bisera Girovska, nxënëse e gjimnazit të vitit të katërt në “Orce Nikollov”, Shkup, thotë se “fëmijët në masë të madhe nuk janë të vetëdijshëm se mund të propozojnë dhe udhëheqin një aktivitet jashtëshkollor në shkollë. Gjithashtu, në rastet kur u mohohen të drejtat, ata nuk i njohin autoritetet e duhura për ta raportuar rastin. Shumë prej tyre mendojnë se edhe nëse raportojnë, autoritetet nuk do t’i dëgjojnë me të vërtetë.
“Duhet të dalim nga kjo mendësi. Pavarësisht se sa të vogla janë çështjet, është e rëndësishme të ndërmerrni iniciativën dhe t’i trajtoni problemet,” thotë Bisera.

Stefanija beson se krijimi i klubeve shkollore shkon përtej qasjes tradicionale, të konsideruar si “mënyrë e shkëlqyer për zhvillim të hobive dhe talenteve të nxënësve”. Ajo beson se përfshirja në aktivitete jashtëshkollore mund të krijojë një mundësi për fëmijët vulnerabil që ta ndërtojnë vetëbesimin e tyre, ndjenjën e përkatësisë dhe ta kanalizojnë energjinë e tyre në një mënyrë pozitive. “Në këtë mënyrë, ne mund ta parandalojmë bullizmin, dhunën dhe përfundimisht kontaktin me ligjin.”
Ekipi “𝐌𝐞ç𝐭𝐚” mbi mekanizmat për të mundësuar që të gjithë fëmijët të kenë informacion për shërbimet e ofruara në një vend

Ekipi i tretë punoi në hartimin e burimeve dhe mbështetjes në dispozicion, që megjithatë nuk janë gjerësisht të njohura për fëmijët dhe të rinjtë.
“Ideja jonë lindi gjatë punëtorisë kur në pyetjen: kujt do t’i drejtoheshe nëse ka ndonjë problem apo shkelje të të drejtave të tua, ne e përmendëm pedagogun e shkollës, prindërit ose policinë,” thotë Ilarija Dimulkova, nxënëse e klasës së IV nga shkolla e mesme “Orce Nikollov” në Shkup. “Më vonë e zbuluam se ka institucione tjera, burime dhe linja ndihmëse që janë në dispozicion, por që nuk promovohen sa duhet në mesin e fëmijëve dhe të rinjve,” shtoi Ilarija.
Për të ofruar një zgjidhje, ata krijuan një ueb faqe të quajtur mechta.mk ku të rinjtë mund të gjejnë kontakte në ueb dhe media sociale të shoqërisë civile dhe organizatave rinore që ofrojnë këshilla, ndihmë juridike dhe mbështetje në rastet e diskriminimit ose abuzimit.

“Ne duhet patjetër t’ua përafrojmë këto shërbime fëmijëve dhe të rinjve. Nëse ata nuk e dinë se ekzistojnë linja ndihmëse, gjegjësisht pse ekzistojnë ato?”, pyet Ilarija. “Pse të ekzistojnë linja ndihmëse nëse askush nuk telefonon!?”
“Shumë të rinj nuk e dinë se ekziston një mbështetje e tillë”, thotë Leon Ali, 18-vjeçar, nxënës i shkollës së mesme “Shaip Jusuf” në Shkup. “Për të depërtuar te fëmijët dhe te të rinjtë pa qasja ose me qasje të kufizuar në internet ose telefona të mençur, ne do të shpërndajmë afishe në shkollat fillore dhe të mesme duke filluar nga shkolla jonë.”
Ekipi 𝐅𝐨𝐫𝐮𝐦i t𝐞𝐚𝐭ë𝐫 në rritjen e ndërgjegjësimit mbi bullizmin përmes teatrit

“Kur filluam të diskutonim për herë të parë mbi çështjet që do të dëshironim të theksonim, kuptuam se ekziston një temë që na bashkon të gjithëve, pavarësisht nga vijmë – e që është bullizmi. Me këtë performancë kemi dashur të rrisim ndërgjegjësimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve mbi rolin që luan secili prej nesh në tolerimin e sjelljeve që mund të çojnë në bullizëm dhe rolin tonë në parandalimin e dhunës dhe dekurajimin e dhunuesve”, theksoi Sara Elmaz, nxënëse e shkollës së mesme “Arseni Jovkov” nga Shkupi.
Duke përdorur forum teatrin, ata eksploruan zgjidhje të ndryshme për sjelljet e paraqitura në shfaqje, ndërsa angazhuan spektatorët për të ndikuar, ndaluar ose ndryshuar performancën.

“Forum teatri është një mjet i shkëlqyeshëm për të fituar përvojë të menjëhershme se si është ndjenja e bullizmit. Mendoj se kjo mënyrë më së miri më së miri mundëson zgjidhje më efektive,” shton Lora Milloshevska, nxënëse 17-vjeçare nga shkolla e mesme “Orce Nikollov” Shkup.

Në forumin e përfaqësuesve të qeverisë, Zyrës së Avokatit të Popullit, botës akademike dhe sektorit qytetar, pesë ekipet kanë vënë në pah se sa është i rëndësishëm konsultimi me fëmijët, sepse ata janë kreativë dhe mund të shohin këndvështrime të ndryshme për një çështjeje. Ekipet në fjalë kanë treguar se përfshirja sistematike e të rinjve në punët e shoqërisë është mënyra e duhur për t’i ndihmuar ata të rriten në qytetarë të qëndrueshëm dhe aktivë, të cilët mund të flasin dhe ta bëjnë ndryshimin.
Aktivitetet që janë pjesë e iniciativës dyvjeçare “Drejt(ësi) për fëmijët – BE për drejtësi për të miturit dhe fëmijët”, e financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe i bashkëfinancuar nga UNICEF, do t’i mbështesin përpjekjet e qeverisë drejt reformës për të siguruar që sistemi i drejtësisë t’i mbrojë të drejtat e fëmijëve që bien në kontakt me ligjin. Iniciativa Të rinjtë mbështetës të drejtësisë për fëmijët u zbatua në bashkëpunim me Forumi rinor për arsim.