UNICEF dhe partnerët e vlerësojnë Reformën e drejtësisë për fëmijë

Profesionistët e drejtësisë për fëmijët e diskutojnë progresin në Reformën e drejtësisë për fëmijët dhe hapat e ardhshëm

21 Tetor 2022
UNICEF Rep DiGiovanni giving opening remarks at the event for Justice for children
UNICEF/North Macedonia/Georgiev/2022

Shkup, 20 tetor 2022: Profesionistët që punojnë me fëmijët në kontakt me ligjin u tubuan së bashku me përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Punëve Brendshme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Delegacioni i Bashkimit Evropian, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë dhe të rinjtë për ta vlerësuar progresin në Reformën e drejtësisë për fëmijët dhe për t’i përcaktuar fushat që kanë nevojë për vëmendje shtesë.

Gjatë viteve të fundit, janë bërë përpjekje të rëndësishme në Maqedoninë e Veriut për ndërtim të një sistemi të bazuar në qasje restauruese ndaj drejtësisë, duke u fokusuar në interesin më të mirë të fëmijës.

Më së fundi, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe UNICEF, vendi ka shënuar përparim në përafrimin e legjislacionit mbi drejtësinë për fëmijët me normat ndërkombëtare dhe zhvillimin e kapaciteteve të profesionistëve në sistemin e drejtësisë për fëmijët. Veç kësaj vendi po e vë në zbatim konceptin e formësuar mbi traumat për profesionistët në sistemin e drejtësisë dhe punon për programe dhe zgjidhje inovative parandaluese, duke siguruar pjesëmarrjen e fëmijëve në të gjitha proceset.

“Si shoqëri, nuk duhet të anashkalojmë faktin që këta fëmijë kanë përjetuar stres dhe trauma të rënda, që kanë shkaktuar pasoja të mëdha. Në situata të tilla është veçanërisht e rëndësishme të punohet në parandalimin e çdo forme të viktimizimit dytësor dhe ritraumatizimit”, tha ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski.

“Çdo fëmijë mund potencialisht të bie në kontakt me sistemin e drejtësisë. Shumë më tepër fëmijë janë në kontakt me sistemet e mbrojtjes së fëmijëve. Kur ndodh ndonjë nga këto, ne duhet të sigurohemi që ai kontakt t’i respektojë të drejtat dhe dinjitetin e tyre. Vendimet dhe gjykimet duhet të jenë të bazuara në të drejta, dhembshuri dhe procedura të qarta,” tha Xhulian Vasallo, zëvendës shefi i Delegacionit të BE-së.

“Ne duhet të punojmë së bashku dhe pandërprerë për të siguruar që fëmijët të përfitojnë nga sistemi juridik i drejtë dhe i përshtatshëm për nevojat e tyre, si dhe të kenë qasje në drejtësi, kur të drejtat e tyre shkelen ose u mohohen,” tha Patricia Di Xhovani, Përfaqësuese e UNICEF-it. “Ne mund të bëjmë ndryshimin vetëm duke siguruar një qasje holistike dhe angazhim nga të gjithë sektorët, përfshirë ata që nuk janë të ndërlidhur drejtpërdrejt me drejtësinë për fëmijët siç është shëndetësia dhe arsimi. Në këtë mënyrë, ne mund të sigurojmë që çdo fëmijë të ketë mundësi për ta përmbushur potencialin e tij të plotë.”

Në panel diskutimi, ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançeski dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska e shqyrtuan progresin e arritur dhe diskutuan për të ardhmen e veprimit ndërsektorial mbi drejtësinë për fëmijë.

“Roli i qendrave për punë sociale dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale është vendimtar në zbulimin e familjeve në rrezik dhe mbrojtjen e fëmijëve. Risocializimi dhe riintegrimi janë mënyrat më të mira për t'i ndihmuar fëmijët të rikthen në rrugën e duhur”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Treneçevska.

Në panel përmes video-mesazhit të pranishmëve iu drejtua edhe ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski. 

Gjashtëdhjetë mbështetës të së drejtave të fëmijëve morën pjesë në punëtoritë e të disenjimit të projektimit për të zhvilluar zgjidhje kreative lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen fëmijët, kur përballen me sistemin e drejtësisë, si dhe i shpalosën zgjidhjet e tyre në evenimentin në fjalë. Zgjidhjet e tyre fokusohen në rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtën e arsimimit të fëmijëve në kontakt me ligjin; përfshirjen e ndërmjetësimit me kolegët në sistemin arsimor; themelimin e klubeve shkollore të nxënësve; duke iu mundësuar të gjithë fëmijëve që të kenë informacion për shërbimet e ofruara në një vend dhe duke përdorë forum teatrin për ta rritur ndërgjegjësimin rreth bullizmit.

Ky eveniment është pjesë e iniciativës dyvjeçare “Drejt(ësi) për fëmijët - BE për drejtësi për të miturit dhe fëmijët”, të financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancuar nga UNICEF, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve të qeverisë për reforma në sistemin e drejtësisë në drejtim të garantimit të të drejtave të të gjithë fëmijëve, që bien në kontakt me ligjin.

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.