Reformimi i sistemit arsimor dhe përmirësimi i rezultateve të mësimit

Përfaqësuesja e UNICEF-it, Lesley Miller fjalën hapëse në një ngjarje për të diskutuar reformën e vazhdueshme arsimore në Maqedoninë e Veriut.

11 Shtator 2024
UNICEF Representative Lesley Miller giving speech at school optimization event
ZMAI

Shkup, 11 shtator 2024: Fillimi i vitit të ri shkollor është kohë për fillime të reja dhe angazhime të reja. Është momenti i përsosur për të reflektuar mbi gjendjen e sistemit tonë arsimor dhe nevojën urgjente për ta adresuar krizën e vazhdueshme të të mësuarit.

Me tre të katërtat e nxënësve të moshës 15-vjeçare në vend me performancë të dobët në lexim; dhe dy nga tre sosh që tregojnë performancë të ulët në matematikë dhe shkencë sipas rezultateve të fundit të PISA-s – për askend që është këtu prezent sot nuk paraqet lajm të ri se vendi po përjeton një krizë arsimore.

Këto shifra nuk janë vetëm statistika; këta numra paraqesin një thirrje urgjente për veprim për ta përmbushur të drejtën e fëmijëve për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës dhe për të siguruar që sistemi arsimor ta mundësojë zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe konkurrencën ekonomike.

Për të kuptuar se si ta trajtojmë këtë sfidë, së pari duhet të kuptojmë “pse” kemi krizë arsimore:

  • Së pari, nuk kalohet kohë e mjaftueshme në mësim: Deri në kohën kur nxënësit i mbushin 14 vjeç, ata kanë gati 900 orë mësimore më pak se mesatarja e nxënësve të arismit fillor në vendet e OECD-së. Kryesisht kjo ndodh sepse rrjeti shkollor nuk ka shkuar në hap me ndryshimin demografik, duke lënë 90% të nxënësve të mësojnë në vetëm 30% të ndërtesave shkollore të vendit, të cilat janë të detyruara të punojnë me turne.Gjithashtu koha më e kufizuar e kaluar në mësimin parashkollor ndikon negativisht në rezultatet  mësimore të nxënësve. Rezultatet e PISA-s tregojnë se nxënësit që nuk e kanë ndjekur edukimin parashkollor ose e kanë ndjekur më pak se një vit, përgjithësisht kanë pasur rezultate më të ulëta në lexim, matematikë dhe shkencë. Kjo nuk është befasi duke pasur parasysh se vetëm 43% e fëmijëve të moshës 3 deri në 6 vjeç janë të regjistruar në edukimin parashkollor dhe ky numër është shumë më i ulët te komuniteti rom dhe ai shqiptar.
  • Një faktor i dytë është madhësia dhe shpërndarja e fuqisë punëtore mësimdhënëse: Mesatarisht numri i mësuesve për nxënës ka vazhduar të rritet. Gjatë dy dekadave të fundit, numri mesatar i nxënësve për mësues është ulur nga mbi 18 në më pak se 10, që është dukshëm nën mesataren e OECD-së. Në fakt, dy të tretat e komunave kanë një raport mesatar nxënës-mësues nën 10. Në të njëjtën kohë, shpërndarja e fuqisë punëtore është e pabalancuar. Disa shkolla kanë klasa me më shumë se 30 nxënës, ndërsa të tjerat kanë më pak se 10. Pothuajse gjysma e nxënësve në zonat rurale mësojnë në klasa jashtëzakonisht të vogla ose në klasa të ndryshme të kombinuara – që të dyja ndikojnë negativisht në të nxënit dhe socializimin e tyre. 
  • Faktori i tretë janë burimet e disponueshme për mësim cilësor: Investimet në arsim shpenzohen në mënyrë disproporcionale për paga, me pak alokime për kostot tjera për arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës. Aktualisht, gati 90% e shpenzimeve të arsimit fillor shkojnë për kostot e pagave, duke lënë shumë pak për kostot periodike për modernizimin e objekteve, investimit në zhvillimin profesional të mësuesve, burimeve mësimore dhe kostove tjera operative.

Thënë shtruar, kriza arismore është rezultat i moszgjidhjes adekaute të sfidave qenësore strukturore ndër dekada, dhe e mungesës së vazhdimësisë në proceset reformuese nëpër qeveri të ndryshme dhe mospërqendrimit të arsimit në nevojat reale dhe individuale të të gjithë nxënësve.

Situata e këtillë kërkon që vendi ta rimendojë mënyrën se si i përdorim burimet tona. Ne mund të bëjmë përmirësime të rëndësishme, megjithatë duhet t’i harmonizojmë burimet e disponueshme për t’iu përshtatur realiteteve demografike. Duke bërë këtë, ne do të jemi në gjendje t’i adresojmë sfidat, ta rrisim përdorimin efikas të burimeve aktuale dhe të sigurojmë investime efektive në sistemin arsimor. 

Bazuar në analizën tonë, konsultimet e gjera me palët e interesuara dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, shfaqet nevoja për të rimenduar në tre fusha kritike:

  1. Infrastruktura shkollore: Për të siguruar që çdo fëmijë të mësojë orë të mjaftueshme në një turn, ne duhet të zgjasim orarin e mësimit, gjë që mund të kërkojë zgjerimin e disa objekteve shkollore dhe konsolidimin e ca tjerave. Qëllimi duhet të jetë që t’i jepet çdo nxënësi qasje në të njëjtin nivel të mundësive të të mësuarit që vijnë me aktivitetet jashtëkurrikulare, pastaj qasje në teknologjitë dhe pajisjet e reja dhe ndërveprimin me rrjete më të mëdha të bashkëmoshatarëve. Kjo do të sigurojë që çdo fëmijë – pavarësisht se ku jeton – do t’i ndjekë orët e nevojshme të mësimit dhe ndërtimit të aftësive. Gjithashtu kërkohet zgjerimi i infrastrukturës parashkollore për ta rritur regjistrimin, duke pranuar se arsimi parashkollor është ndër investimet më efektive për ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe për rritjen e rezultateve të të nxënit, veçanërisht kur fokusohet te fëmijët më të cenueshëm.
  2. Burimet njerëzore: Për ta harmonizuar fuqinë punëtore të mësuesve me nevojat aktuale dhe të ardhshme, kemi nevojë për analiza të detajuara të strukturës së fuqisë punëtore ekzistuese në nivelin komunal. Planifikimi i fuqisë punëtore të mësuesve duhet të marrë në konsideratë role të reja dhe mbështesë të zhvillimit profesional të mësuesve - siç janë mentorët e mësuesve dhe funksionet e tjera mbështetëse. Gjithashtu duhet të merren parasysh modelet e burimeve të përbashkëta nëpër komuna për të siguruar përdorimin efikas të fuqisë punëtore. Dhe më e rëndësishmja, ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të fortë me fakultetet pedagogjike për të adresuar çështje të tilla si deficitet për mësues të lëndëve të caktuara dhe për edukimin e hershëm.
  3. Financimi i arsimit: Gjatë konsultimeve tona shkollat ​​dhe komunat kanë theksuar se nuk është e qëndrueshme metoda aktuale për ndarjen e fondeve për arsimin fillor. Ne duhet ta përmirësojmë shpërndarjen e burimeve të kufizuara në mënyrë që të gjitha shkollat ​​fillore të mund të ofrojnë arsim të barabartë sipas standardeve dhe legjislacionit arsimor dhe infrastrukturës së shtetit. Formula aktuale e financimit nuk nxit shpenzime efikase, nuk e merr parasysh performancën e shkollës dhe nuk cakton fonde për zhvillimin profesional të mësuesve ose për aktivitetet jashtëshkollore. Ne kemi nevoje për një formulë, e cila e aplikon qasjen kosto-për-nxënës, siguron ndarje të barabarta, garanton financim për transportin e nxënësve (për ata që jetojnë më larg nga shkollat), përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore dhe mbështetjen për shkollat ​​me mësim në gjuhët e komuniteteve më të vogla etnike.

Kjo është një përpjekje shumëplanëshe.Rishqyrtimi i infrastrukturës, burimeve njerëzore dhe financimit për shkollat ​​nuk është njësoj sikur të zgjedhësh segmente nga një katalog; të tre komponentët duhet të punojnë së bashku pa probleme, si ingranazhet në një makinë të lyer mirë me vaj, për të siguruar që sistemi të funksionojë pa probleme dhe në mënyrë efektive.

Të nderuar kolegë,

Sot do t’i diskutojmë këto sfida dhe zgjidhje në detaje. Mirëpo meqenëse po i fillojmë këto diskutime, më lejoni t’i shpreh mirënjohje vizionit dhe përpjekjeve të ministres së Arsimit për t’i përmirësuar kushtet mësimore dhe për të siguruar arsim cilësor për secilin fëmijë. Po ashtu dëshiroj t’i falënderoj komunat, të cilat janë pararenëse në optimizimin e shkollave.

Në të njëjtën kohë, dua t’ia bëjmë vetes me dije se ky proces nuk është përgjegjësi vetëm e një ministri. Reformimi i sistemit arsimor është kompleks dhe kërkon lidership të fortë dhe angazhim politik në të gjitha nivelet e qeverisë. Ne kemi nevojë për angazhimin dhe veprimin e Kuvendit, të Qeverisë së gjerë përtej Ministrisë së Arsimit, duke përfshirë Ministrinë e Financave, komunat, menaxhmentin e shkollave, mësuesit dhe prindërit.

Dhe më e rëndësishmja, po kërkojmë nga ju të gjithë sot këtu, të bëheni kampionë për ta mbështetur këtë punë të rëndësishme. Vetëm duke punuar së bashku mund ta kapërcejmë krizën e të mësuarit dhe ta ndërtojmë një sistem arsimor, i cili u shërben të gjithë nxënësve në mënyrë të barabartë dhe efektive.”

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.