UNICEF: Sistemi i ri i financimit të arsimit premton transformim të rezultateve mësimore të fëmijëve
Deklarata e Lesli Miller, përfaqësuese e UNICEF-it
- English
- Македонски
- Shqip
Shkup, 13 gusht 2025: “UNICEF-i mirëpret miratimin e formulave të reja për financimin e arsimit fillor dhe të mesëm nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Kjo reformë e rëndësishme premton ta përmirësojë barazinë, efikasitetin dhe cilësinë e arsimit, si dhe t’i përmirësojë rezultatet e të nxënit për fëmijët në të gjithë vendin.
“UNICEF-i, së bashku me Bankën Botërore dhe Qeverinë e Zvicrës, kishte nderin ta ofrojë ekspertizën dhe mbështetjen e vetë teknike për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në procesin e zhvillimit të këtij sistemi të ri të financimit të arsimit.
“Formulat e reja të miratuara sjellin përfitime transformuese për komunat, shkollat dhe çka është më me rëndësi, për fëmijët:
- Formulat e reja të financimit ua ofrojnë një kornizë të qartë komunave dhe shkollave për planifikimin dhe ndarjen e burimeve me kosto të standardizuara për nxënës, të cilat iu përgjigjen nevojave zhvillimore dhe mund të përshtaten me ndryshimet demografike.
- Këta formula do t'i ndihmojnë shkollat t'iu përgjigjen më mirë nevojave të ndryshme të nxënësve përmes mbështetjes shtesë për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore; fëmijëve, të cilët mësojnë në gjuhët e komuniteteve më të vogla etnike dhe fëmijëve që jetojnë në varfëri.
- Formulat e reja do t'i stimulojnë komunat për ta optimizuar sistemin dhe burimet e tyre shkollore, në mënyrë që çdo fëmijë të ketë qasje në kushte optimale mësimore, pavarësisht se ku jeton. Kjo do t’u lejojë shkollave ta prezantojnë gradualisht funksionimin me një turn të vetëm dhe të ofrojnë mësimdhënie gjithë ditore në një mjedis të pajisur mirëfilli, me më shumë kohë dhe hapësirë për aktivitete jashtëshkollore, të cilat e mbështesin zhvillimin e përgjithshëm, kreativitetin dhe mirëqenien e fëmijëve.
- Formula e arsimit të mesëm synon ta përshtatë më mirë arsimin profesional me nevojat e tregut të punës, duke u ofruar nxënësve mundësi për t’i fituar aftësitë dhe përvojat e nevojshme për punësim në të ardhmen.
“Këto reforma nuk janë vetëm përshtatje teknike; ato përfaqësojnë një ndryshim strategjik drejt sistemit arsimor më gjithëpërfshirës dhe efikas. Përmes një shpërndarjeje më të drejtë dhe më efikase të burimeve, ato do ta përmirësojnë cilësinë e mësimdhënies dhe do të promovojnë barazi të mëtejshme.
“UNICEF-i mbetet i përkushtuar për ta mbështetur Qeverinë në përmbushjen e qëllimit, që çdo fëmijë, pavarësisht se kush është ose ku jeton, të ketë qasje në arsim cilësor, i cili do ta përgatisë atë për jetë, punë dhe qytetari aktive.”
Kontakte me mediat
Për UNICEF-in
UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.