10 mënyrat për të krijuar shprehi digjitale të shëndetshme në shtëpi

Këshilla të ekspertëve se si t’i përmirësoni marrëdhëniet e familjes suaj me teknologjinë dhe njëri-tjetrin.

Two girls siting and writing on a table in front of TV
UNICEF North Macedonia / Georgiev / 2020

Rritja e fëmijëve në epokën digjitale nuk është gjë e lehtë. Mund të jetë e vështirë që njëkohësisht të vazhdosh me ritmin e teknologjive në zhvillim dhe të kuptosh se si t’i balancosh rreziqet dhe mundësitë që bartin ato. Ne folëm me eksperten për prindërim digjital dr. Zhaklin Nesi (Jacqueline Nesi) lidhur me këshillat e saja kryesore për të nxitur marrëdhënie të shëndetshme me teknologjinë shikuar nga prizmi familjar.  

Komunikoni herët dhe shpesh mbi rolin e teknologjisë në jetën e familjes suaj.

1. Parashtroni fëmijës tuaj pyetje në lidhje me pajisjet e tij, njësoj si për çdo aktivitet tjetër në të cilin ai/ajo është i/e angazhuar. Zbuloni se çfarë i pëlqen tek ajo pajisje, gjegjësisht çfarë nuk i pëlqen, sa shpesh i përdorin dhe çfarë funksionon.

2. Diskutoni rreziqet e përdorimit të teknologjisë. Flisni me fëmijët tuaj me sinqeritet për shqetësimet që mund të keni, bie fjala për pajisjet që i pengojnë aktivitetet e tjera, shqetësimet mbi përmbajtjet që mund t’i shohin ose për gjërat që mund t’i bëjnë në internet.

Është e rëndësishme t’u themi fëmijëve tanë në mënyrë eksplicite (dhe shpesh!) se duam, që ata të na drejtohen neve nëse hasin vështirësi në internet. Mund të provoni të thoni diçka të tillë, si “Mund të jetë vërtet e vështirë të dish se si të përballesh me çdo situatë, që të shfaqet kur je në internet. Mund të hasësh gjëra që janë konfuze ose shqetësuese, andaj unë dua që të vish tek unë kur të hasësh këto gjëra, në mënyrë që të kuptojmë se si t’i trajtojmë ato së bashku.”

Gjithashtu ne duam të jemi të vetëdijshëm se si reagojmë kur fëmijët tanë vijnë tek ne për ndonjë problem. Si prind, mund të jetë befasuese dhe madje e frikshme kur fëmijët tanë ndajnë me ne diçka që e kanë hasur në internet. Është joshëse të duash të reagosh vrullshëm dhe t'u thuash menjëherë se çfarë kanë bërë gabim, ose t’ua marrësh pajisjen për t’i mbajtur të sigurt. Mirëpo një përgjigje e mirë fillestare në këtë situatë është të thuash: “Të faleminderit shumë që më tregove”. Kjo qasje mundëson të ketë më shumë gjasa që fëmija ynë të vijë tek ne herën tjetër, kur do të përballet me sfida në internet.

3. Jini në vëzhgim për çështjet themelore. Është e rëndësishme të mos e fajësoni për gjithçka teknologjinë. Ndonjëherë ndodhin gjëra tjera, të cilat janë si rezultat i mënyrës se si fëmijët i përdorin pajisjet e tyre. Për shembull, nëse keni ndonjë adoleshent që kalon shumë kohë në mediat sociale duke rifreskuar burimin e tij, mund të dëshironi ta nisnin një bisedë për atë se çka po ndodh në të vërtetë. Kjo mund të ndërlidhet me shqetësimet e tyre për atë që njerëzit e tjerë mendojnë për ta, ose mund të mos ndihen të sigurt në shkollë ose me bashkëmoshatarët e tyre.

Vendosni kufij që kanë kuptim për familjen tuaj.

4. Vendosni rregullat “po” dhe “jo”. Rregullat “Po” janë gjërat që duhet t’i bëjë fëmija juaj. Si dëshironi që ata të veprojnë në internet? Çfarë do të thotë të jesh qytetar i mirë digjital? Si duket përdorimi i “ shëndoshë” i teknologjisë  në familjen tuaj? Nga ana tjetër rregullat “jo”, janë gjërat që ju nuk dëshironi që ata t’i bëjnë (si ngacmimi i të tjerëve) ose gjëra që nuk duhet t’i bëjnë për arsye të sigurisë në internet (si dhënia e informacioneve personale).

Bisedoni me fëmijët tuaj duke potencuar se është normale të ndodhin gabime dhe se është në rregull që ata ende e mësojnë dhe praktikojnë qytetarinë e mirë digjitale. Për disa familje, mund të jetë e dobishme t’i bëni të ditur fëmijës suaj se nuk do të jetë “në telashe” nëse ai vjen tek ju për shkak të ndonjë sfide, me të cilën përballet dhe është i sinqertë me ju.

5. Krijoni zona pa teknologji. Një formë të kufizimit, që mund ta krijoni si familje është të keni një interval kohor të ditës ose vende pa pajisje teknologjike. Ju gjithashtu mund ta krijoni një vend ose “stacion karikues”, ku i mbani pajisjet tuaja gjatë kohës  kur qëndroni larg pajisjeve teknologjike. Praktikë e dobishme është të siguroheni që pajisjet të jenë jashtë dhomës së gjumit në periudha të caktuara të natës. Gjumi është shumë i rëndësishëm, ndërsa pajisjet mund të jenë pengesë për të.

6. Krijoni pritshmëri rreth përmbajtjes. Është e rëndësishme të siguroheni që përmbajtja, në të cilën ka qasje fëmija juaj në internet të jetë e përshtatshme për moshën dhe zhvillimin e tyre. Në rastin e fëmijëve më të vegjël dhe adoleshentëve, vendosni rregull që t’u kërkojnë leje përpara se ta shkarkojnë ndonjë aplikacion të ri ose të bashkohen me ndonjë platformë të re. Ju gjithashtu mund ta konsideroni përdorimin e kontrolleve prindërore të disponueshme për ju [si kufizimi i kohës para ekranit, blerjet përmes aplikacioneve, filtrimi i përmbajtjeve, etj.].

Jini të vetëdijshëm për përdorimin e pajisjeve nga fëmijët tuaj.

7. Eksploroni së bashku pajisjet teknologjike. Provoni të shikoni bashkërisht dhe përdorni bashkë me fëmijët e të gjitha moshave. Kjo thjesht do të thotë ta shikoni ose përdorni teknologjinë së bashku me fëmijët tuaj. Kjo mund ta përfshijë shikimin e një shfaqje së bashku dhe bisedën me fëmijët rreth shfaqjes. Kur fëmija është më i madh, lërini t'ju tregojnë se çfarë bën në internet - për çfarë është i interesuar, cilat aplikacione i pëlqen t’i përdorë, etj.

8. Dini se kur duhet ta bëni një hap prapa. Në disa raste, mund të dëshironi të monitoroni se çfarë bën fëmija juaj në pajisjen e tij - përderisa i tregoni se do ta mbikëqyrni. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për fëmijët më të vegjël, ose ata që sapo fillojnë me një pajisje të re për herë të parë (si p.sh. telefoni). Ashtu siç fëmijët rriten dhe krijojnë më shumë përvojë me pajisjet e tyre, ju mund t’u jepni atyre më shumë pavarësi në proporcion me moshën dhe shkallën e pjekurisë. Sidoqoftë, është gjithmonë e rëndësishme të jeni përgjithësisht të vetëdijshëm për atë që ata bëjnë në internet.

Modeloni zakone të shëndetshme për fëmijët tuaj.

9. Veproni si një ekip. Është e rëndësishme si prindër të jemi të vetëdijshëm se si (dhe sa shpesh) i përdorim pajisjet tona – dhe kjo është gjë e vështirë! Mirëpo qasja e përbashkët me fëmijët tuaj në krijimin e zakoneve dhe limiteve të shëndetshëm është një mundësi e mirë për të dalë jashtë dinamikës “unë kundër teje”, në të cilën shpesh prindërit bien me fëmijët e tyre, dhe në vend të kësaj të punojnë për të krijuar një dinamikë “ne së bashku kundrejt sfidave që bartin këto teknologji”.

10. Le të jetë si lojë! Ekzistojnë shumë mënyra për ta përdorur teknologjinë si mjet dhe mundësi për lojë dhe argëtim me fëmijët tuaj. Kjo mund të bëhet duke përdorur ndonjë aplikacion ose duke luajtur një lojë së bashku. Ju gjithashtu mund të kërkoni video me ide për lojëra ose të hulumtoni burime për hobi dhe gjera që ua ngjallin interesin - gjithçka nga gatimi, sportet e deri te muzika. 


Dr. Zhaklin Nesi është docent në Departamentin e Psikiatrisë dhe Sjelljes Njerëzore në Universitetin Braun. Ajo realizon hulumtime mbi rolin e mediave sociale në shëndetin mendor dhe zhvillimin e adoleshentëve. Është nënë dhe autore e buletinit javor “Techno Sapiens” dhe bashkë-krijuese e “Tech Without Stress” (Teknologji pa stres), kurs për t’i ndihmuar prindërit në rritjen e fëmijëve të tyre në epokën digjitale.