Fillime të shëndetshme
Të siguruarit se çdo fëmijë e ka fillimin më të mirë në jetë.
Fillime të shëndetshme
Për tu siguruar që secili fëmijë e ka fillimin më të mirë në jetë, punojmë në ofrimin e përkujdesjes së pandërprerë që nga ngjizja e lindja e deri në fëmijërinë e hershme.
Sfida
Edhe pse vdekshmëria e fëmijëve shënon rënie, përparimi i bërë ka qenë jo i barabartë. Fëmijët përballen me shumë sfida që nga ngjizja e deri në vitet e hershme të fëmijërisë e kjo përkthehet si pritshmëri për jetë më të shkurtër. Në të vërtetë, treguesit e shëndetit të fëmijëve në Kosovë ende janë ndër më të varfrit në rajon, që tregojnë për boshllëqe si në qasje ashtu edhe në cilësinë e kujdesit.
Shkalla e vdekshmërisë neonatale dhe e foshnjave në mesin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian mbetet tre herë më e lartë se ajo e popullatës së përgjithshme (41 në 1,000 lindje të gjalla, gjegjësisht 29 në 1,000 lindje të gjalla). Sipas MICS-it, 79% e fëmijëve të moshës 24-35 muaj janë plotësisht të imunizuar dhe mbrojtur nga sëmundjet që parandalohen me vaksinë, ndërsa shkalla e ushqyerjes vetëm me gji është 40%.
Rezultatet shëndetësore për fëmijët e komuniteteve jo-shumicë romë, ashkali dhe egjiptianë janë edhe më të këqija. Mbulimi i imunizimit në mesin e fëmijëve të këtyre komuniteteve është shumë më i ulët ku vetëm 30 për qind e fëmijëve janë plotësisht të imunizuar.
MICS-i ka ardhur në përfundim se edhe gjendja e të ushqyerit e fëmijëve mbetet shqetësim për shëndetin publik ku 14.6% të fëmijëve romë, ashkali dhe egjiptianë nën pesë vjeç kanë ngecje në zhvillim ndërsa 2.5% kanë ngecje serioze në zhvillim.
Çështja e fëmijëve me aftësi të kufizuara nuk është përfshirë plotësisht në prioritetet e sistemit të kujdesit shëndetësor, derisa medikalizimi i aftësive të kufizuara ende është realitet në Kosovë.
Sektori i shëndetësisë vazhdon të jetë i financuar dobët dhe mjetet financiare që gjenden në dispozicion nuk menaxhohen në mënyrë efikase. Ndarja e buxhetit për sektorin e shëndetësisë konsiderohet më e ulëta në rajon me (2.6% të PBB-së – 2013). Buxheti ndahet dhe shpenzohet kryesisht për kujdesin kurativ dhe spitalor duke lënë pak për t'u shpenzuar për kujdesin parandalues dhe parësor shëndetësor.
Zgjidhja
Punojmë në arritjen e secilit fëmijë, përfshirë edhe grupet më të cenueshme dhe më të varfra: njerëzit që jetojnë në zonat më të largëta me pak qasje në shërbimet e kujdesit shëndetësor; fëmijët me aftësi të kufizuara; dhe komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.
Programi shëndetësor i UNICEF-it adreson pabarazitë, përmirëson shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve më të cenueshme dhe arrin rezultate të barabarta për fëmijët.
Vizita në shtëpi: Fuqizimi i sistemit lokal shëndetësor
Promovimi i shëndetit dhe zhvillimit gjithëpërfshirës të fëmijëve të vegjël është njëri nga prioritetet tona kryesore.
Vizita në shtëpi konsiderohet si njëra nga qasjet më të dukshme në ofrimin e mbështetjes kritike dhe ngritjes së kapaciteteve për familjet dhe ndërlidhjen e tyre me shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale në komunitet ashtu që të përmirësohet mirëqenia e fëmijëve të vegjël dhe shëndeti i nënës. Si pjesë e procesit aktual të reformës së sektorit shëndetësor, Ministria e Shëndetësisë e mbështetur nga UNICEF, ka futur në proces qasjen vizita në shtëpi ku shërbimet ofrohen në mjedisin më të natyrshëm për fëmijën – në shtëpi.
Programi vizita në shtëpi adreson pabarazitë, përmirëson shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve dhe familjeve më të cenueshme dhe arrin rezultate të barabarta për fëmijë. Nisma adreson pabarazitë dhe kontribuon në krijimin e sistemeve komunale të mjekësisë familjare që janë më të përgjegjshme dhe më reaguese në lidhje me shëndetin e fëmijëve dhe nënës.
Programi i Vizitave në Shtëpi që u themelua në vitin 2014 tani është plotësisht i integruar në shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH) në Kosovë dhe po implementohet në 38 komuna në mbarë Kosovën. Çdo vit, mbi 18,000 fëmijëve, ose 80% të porsalindurve, u ofrohet mbështetje në kujdesin parësor si ushqyeushmëri, mirëqenie e prindërve dhe vlerësimin e shëndetit dhe zhvillimit përmes programit të Vizitave në Shtëpi. Vëmendje e veçantë i kushtohet grupeve më të margjinalizuara që kanë më shumë nevojë për shërbimet. Një e treta e të gjitha vizitave në shtëpi u ofrohet familjeve nga grupet e margjinalizuara duke përfshirë ato nga familjet më të varfra, familjet e fëmijëve me probleme shëndetësore dhe zhvillimore, dhe familjet nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane.
Sektori i shëndetësisë luan rol të rëndësishëm në atë që të arrihet deri tek fëmijët nën tre vjeç dhe përdorë vizitat në shtëpi për ta zgjeruar shtrirjen deri tek të gjitha familjet, përfshirë fëmijët e margjinalizuar dhe të vegjël, duke u ofruar mbështetje thelbësore në aspektin e zhvillimit të fëmijës si shëndeti, të ushqyerit, përkujdesjen e përgjegjshme, mësimin e hershëm dhe mbrojtjen sociale përmes qasjes shumë sektoriale.
Madje, vizitat në shtëpi kontribuojnë në caktimin e kontrolleve sistematike të monitorimit të zhvillimit që mundësojnë identifikimin e hershëm të fëmijëve që kanë rrezik në zhvillim, vonesa ose paaftësi, dhe lehtëson identifikimin e hershëm të ndërhyrjes tek këto raste. Për ta forcuar më tej këtë, në Kosovë ka filluar të zbatohet një mjet i standardizuar dhe i vërtetuar ndërkombëtarisht për monitorimin e zhvillimit. Kjo do të rrisë kapacitetet e profesionistëve të KPSH-së, duke përfshirë infermierët e Vizitave në Shtëpi dhe mjekët familjar, për të vlerësuar zhvillimin individual të fëmijëve në fusha të shumta dhe për të ofruar mbështetje të personalizuar për fëmijën dhe familjen.
Imunizimi dhe ushqyerja vetëm me gji
Çdo fëmijë ka të drejtën e imunizimit ku përparësi i jepet më të cenuarve.
Sëmundjet e fëmijëve mund të vënë në rrezik jetën dhe zhvillimin e fëmijëve ose mund të shpijnë në aftësi të kufizuara. Vaksinat janë për t’i mbrojtur fëmijët nga sëmundjet që parandalohen dhe u jepet mundësi atyre të kenë jetë të shëndetshme.
UNICEF-i mbështet prokurimin dhe qasjen e fëmijëve në vaksina cilësore që shpëtojnë jetë, duke kontribuar në mbrojtjen e 140,000 fëmijëve deri në 18 vjeç.
Në vitin 2023/2024, UNICEF ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik në përfshirjen e tre vaksinave të reja në kalendarin e imunizimit: të tilla si vaksina HPV, PVC dhe Rota të cilat ndihmojnë në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës; PVC vaksina mbron fëmijët nga sëmundjet e shkaktuara nga bakteret Streptococcus pneumoniae, e cila mund të shkaktojnë sëmundje si: pneumonia, meningjiti dhe baktereminë (sepsën); dhe vaksina Rota e cila mbron foshnjat dhe fëmijët e vegjël kundër rotavirusit, një infeksion viral shumë i zakonshëm që është shkaku kryesor i diarresë së rëndë dhe dehidrimit tek foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
Vitet e hershme konsiderohen si faza më e rëndësishme e zhvillimit që ka ndikim gjatë gjithë jetës në shëndet, zhvillim dhe mirëqenie e ushqyerja vetëm me gji është mënyra më e mirë për ta siguruar zhvillimin e duhur të hershëm të të porsalindurve. Nëpërmjet programit të Vizitave në Shtëpi dhe shërbimeve të tjera të KPSH-së, familjet marrin këshilla dhe mbështetje për praktikat më të mira të ushqyerjes me gji për të nxitur rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve.
Ushqyerja me gji krijon lidhje të veçantë mes nënës dhe foshnjës dhe ndërveprimi mes nënës dhe fëmijës gjatë ushqyerjes me gji ka efekte pozitive për jetën, në aspektin e stimulimit, sjelljes, të folurit, ndjenjës së mirëqenies dhe sigurisë dhe me atë se si ndërlidhet fëmija me njerëzit tjerë.
Ushqyerja me gji u ndihmon fëmijëve kudo në sigurimin e fillimit më të shëndetshëm në jetë. Ajo vepron si vaksina e parë e fëmijës që siguron antitrupa. Kontribuon në rritjen dhe zhvillimin e shëndetshëm; në kapacitet të fuqishëm fillestar të trurit si dhe mbron fëmijët gjatë dy viteve të tyre të para kritike si dhe më vonë gjatë jetës.
Ne zbatojmë ndërhyrje në ndryshimin e sjelljes për ta promovuar mirëqenien e nënës dhe fëmijës si dhe praktika tjera për kujdesin dhe zhvillimin e duhur të fëmijës. Jemi partnerë me hisedarë të ndryshëm përfshirë edhe mediat që së bashku i shohim “Javët e Imunizimit dhe Ushqyerjes me Gji” si mundësi për të sensibilizuar dhe shpërndarë informata mbi dobitë e tyre gjatë tërë jetës.
UNICEF-i në Kosovë vazhdon të punojë me të gjithë hisedarët për të siguruar që secili fëmijë të mbrohet dhe ta ketë të drejtën për shërbime cilësore shëndetësore.
Mësoni më shumë rreth gjidhënies:
14 mite të paverteta rreth ushqyerjes së foshnjës me gji
Pozicionet e zakonshme të gjidhënies për foshnjat
5 problemet më të zakonshme të gjidhënies
Gjërat bazike për foshnjat: Si të gromësijë foshnja juaj
UNICEF në Kosovë ka punuar për të zbutur ndikimin e pandemisë COVID-19 tek fëmijët dhe familjet e tyre. Mësoni më shumë këtu.