Fëmijët në Kosovë
UNICEF-i në Kosovë promovon përfshirjen sociale të fëmijëve më të cenueshëm. Jemi të përkushtuar që mos ta lëmë asnjë fëmijë prapa!

UNICEF-i në Kosovë mbetet zëri më i besueshëm për fëmijët në media.
31% e popullsisë së Kosovës është 0-18 vjeç. Kosova ka popullatën më të re në Evropë me moshë mesatare prej 29.5 vjeç.
Fëmijët e Kosovës – brezat e saj të ardhshëm –ende kanë pengesa të mëdha në jetësimin e të drejtave të tyre themelore.
Fëmijët në zonat rurale kanë më pak gjasa që të kenë qasje në arsim dhe kujdes cilësor shëndetësor, anëtarët e pakicave etnike dhe ata që jetojnë në familjet më të varfra e që kanë edhe më shumë kufizime. Fëmijët me aftësi të kufizuara gjithashtu përballen me sfida të shumta dhe për shumicën ende janë të padukshëm në Kosovë. Sistemet e shëndetësisë dhe arsimit të Kosovës janë përpjekur që të ofrojnë shërbime cilësore për shkak të burimeve të kufizuara financiare dhe njerëzore. Qeverisja e dobët, boshllëqet mes politikave, planifikimit dhe zbatimit si dhe burimet e kufizuara financiare kanë kontribuar në mospërputhje në shërbimet për fëmijë, veçanërisht në nivel komune.
Shumë ka gjasa që fëmijët t’i humbin mundësitë kryesore nëse jetojnë në zona rurale ose të largëta, nëse janë nga komunitetet rome, ashkali apo egjiptian, i kanë prindërit me arsim të ulët ose vijnë nga familja e varfër.

Gati 23% e fëmijëve të Kosovës jetojnë në varfëri dhe 7% jetojnë në varfëri të skajshme.
Varfëria në Kosovë në mënyrë të shpërpjesëtuar prekë gratë, fëmijët, pakicat etnike, personat me aftësi të kufizuara dhe popullatën rurale. Njëri në katër fëmijë nën 5 vjeç jeton në familje më të varfra. Vetëm 20 për qind e anëtarëve të familjes mbështeten në lëndë të pastra djegëse dhe përdorin teknologjinë për gatim, ngrohje dhe ndriçim. Gati 90 për qind e familjeve kanë qasje në ujë të pastër të pijshëm, por 23 për qind e popullsisë ende konsumon ujë që përmban E. coli. Diskriminimi gjinor luan rol të rëndësishëm në pengimin e qasjes së grave në mundësitë ekonomike, sociale dhe politike, ku pabarazia në zonat urbane është në rritje. Shpenzimet për mbrojtjen sociale në Kosovë është ende shumë nën nivelin rajonal dhe kufizon mundësitë për ta zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë, pjesërisht për shkak se fëmijët nuk adresohen drejtpërdrejt në programe sociale.
84% e fëmijëve pesëvjeçarë vijojnë edukimin parashkollor, por vetëm 15% e fëmijëve vijojnë programin për edukim të hershëm.
Sipas të dhënave të fundit të Anketave të Grupeve me Tregues të Shumëfishtë (Multiple Indicator Cluster Surveys -MICS), vetëm 15 për qind e fëmijëve dhe tetë për qind e fëmijëve nga komunitetet rome, ashkali apo egjiptiane të moshës 36-59 muaj, vijojnë programin për edukim të hershëm. Pjesëmarrja rritet dramatikisht një vit para regjistrimit në shkollën fillore, ku 84 për qind e fëmijëve e popullatës së përgjithshme dhe 45 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vijojnë edukimin parashkollor. Kjo paraqet rritje të konsiderueshme që nga viti 2014, kur vetëm 76 për qind e fëmijëve vijonin edukimin parashkollor. Pasi që gjinia luan rol të vogël në vijimin e fëmijëve në edukim të hershëm, pasuria e familjes ka ndikim të rëndësishëm në shkallën neto të vijimit të fëmijëve që jetojnë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në të tri nivelet. Në këto komunitete, fëmijët që jetojnë në familjet më të pasura kanë gjasa dy herë më shumë që ta vijojnë shkollën e mesme të ulët sesa ata që jetojnë në familjet më të varfra dhe kanë gjasa katër herë më shumë që ta vijojnë shkollën e mesme të lartë.

73% e fëmijëve nën 2 vjeç plotësisht janë imunizuar. Tek fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian shkalla është 38%.
Treguesit e shëndetit të fëmijëve në Kosovë janë ende ndër më të varfrit në rajon që tregon se ka boshllëqe si në qasje ashtu edhe në cilësinë e kujdesit shëndetësor. Të dhënat tregojnë se nevojitet fuqizim i veprimeve të politikave të fokusuara në barazi që t’i adresojë plotësisht të gjitha aspektet e zhvillimit dhe mirëqenies së shëndetit të fëmijëve. Fëmijët, familjet e varfra dhe grupet tjera të cenueshme kanë më së shumti vështirësi në marrjen e shërbimeve shëndetësore të cilat u takojnë. Shkalla e imunizimit pjesërisht është edhe për shkak të mungesës së vetëdijes për rëndësinë e mbajtjes së hapit me oraret për imunizim. Edhe mungesa e të dhënave të besueshme dhe cilësore administrative e kufizon aftësinë për ta përcjellë ecurinë e imunizimit.
Shkalla e vdekshmërisë së foshnjave në Kosovë vlerësohet të jetë 15 në 1,000 lindje të gjalla, derisa tek fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian shkalla është gati dy herë më e lartë, që vlerësohet të jetë 26 në 1,000 lindje të gjalla. 100 për qind e lindjeve në Kosovë bëhen nga mjekë të kualifikuar shëndetësorë. (MICS 2020)
Kequshqyerja e fëmijëve vazhdon të jetë shqetësuese në Kosovë dhe ekzistojnë pabarazi të mëdha për fëmijët në familjet më të varfra dhe në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Vetëm një në tre fëmijë mes moshës 6 dhe 36 muaj merr ushqimin e nevojshëm minimal. Në familjet më të pasura, 49 për qind e fëmijëve marrin ushqim të llojllojshëm ndërsa 34 për qind të fëmijëve (njëri në tre) në familjet më të varfra. Ndërsa rreth 80 për qind e fëmijëve marrin numrin e rekomanduar minimal të shujtave e vetëm 45 për qind e fëmijëve marrin ushqim të llojllojshëm minimal.
87% e fëmijëve të Kosovës dhe vetëm 24% e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian përfundojnë arsimin e mesëm të lartë.
Në Kosovë, 96 për qind e fëmijëve të moshës së shkollës fillore dhe 84 për qind e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian vijojnë shkollën fillore. (MICS 2020) Vijimi i mësimit zvogëlohet me rritjen e moshës së fëmijëve dhe më shumë fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian nuk mund të kalojnë në arsimin e mesëm. (MICS 2020) Vijimi i shkollës së mesme është 94 për qind (64 për qind te romët, ashkalitë dhe egjiptianët) dhe 87 për qind (31 për qind te romët, ashkalitë dhe egjiptianët) e fëmijëve që vijojnë shkollën e mesme të lartë. Shkalla e përfundimit të shkollës është e jashtëzakonshme me 98 për qind të fëmijëve që përfundojnë shkollën fillore, 97 për qind e përfundojnë shkollën e mesme të ulët dhe 87 për qind e përfundojnë shkollën e mesme të lartë. Mospërputhja më e madhe mund të gjendet në mesin e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian ku shkalla e përfundimit bie në 85 për qind për fillore, 59 për qind për të mesmen e ulët dhe 24 për qind e fëmijëve që përfundojnë shkollën e mesme të lartë.
Pasuria e familjes ka ndikim qenësor në shkallën e vijimit të shkollës së fëmijëve që jetojnë në komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane. Fëmijët që jetojnë në familjet më të pasura të këtyre komuniteteve kanë dy herë më shumë gjasa që ta vijojnë shkollën e mesme të ulët dhe katër herë më shumë gjasa ta vijojnë shkollën e mesme të lartë.
Gatishmëria e ulët për edukim, kushtet e vështira ekonomike, martesa e hershme, puna e fëmijëve, të parapëlqyerit që vajzat të rrinë në shtëpi dhe niveli i ulët arsimor i prindërve janë krejt faktorë që ndikojnë në vijimin e ulët të shkollës. Diskriminimi, stigmatizimi, dhuna dhe bullizimi gjithashtu ndikojnë që fëmijët t’i dedikohen shkollës. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara ende nuk është në nivelin e duhur dhe aftësia e kufizuar mbetet pengesë kryesore për qasjen në arsim.
41% e fëmijëve në Kosovë kanë nivel themelor të shkrim-leximit dhe 42% kanë bazë solide të shkathtësive në matematikë.
Fëmijët në Kosovë që jetojnë në familje rurale dhe të varfra janë më të rrezikuarit për të marrë arsim më cilësor. Edhe pabarazitë dhe dallimet që ekzistojnë mes komunave ndikojnë në qasjen e fëmijës në arsim me cilësi të lartë ose të ulët. Mos-shpenzimi në arsim, përgatitja dhe mbështetja e pamjaftueshme e mësuesve, objekte me cilësi të dobët dhe përdorim jo i duhur i metodave të mësimdhënies me në qendër nxënësin janë faktorë kyç që përcaktojnë nivelin e arsimit cilësor që do ta marrë fëmija.
Shkathtësitë themelore janë masë e rëndësishme e arsimit në Kosovë. Derisa 80 për qind e moshës 7- 14 vjeç mund ta lexojnë saktë një rrëfim e 88 për qind janë në gjendje t’i identifikojnë numrat, më pak se gjysma e nxënësve të Kosovës i mbajnë mend shkathtësitë e barasvlershme me të klasës së dytë. 41 për qind e fëmijëve kanë nivel themelor të shkrim-leximit dhe 42 për qind kanë bazë solide të shkathtësive matematikore. Në mesin e fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian këto shkallë bien edhe më tej në 18 për qind të shkathtësive të shkrim-leximit dhe 13 për qind të shkathtësive matematikore.
72% e fëmijëve të moshës 1-14 vjeç kanë përjetuar sulm psikologjik dhe ndëshkim fizik.
Dhuna ndaj fëmijëve në Kosovë mbetet kryesisht e padukshme – si në praktikë ashtu edhe si heshtje rrethuese janë të përjetësuara me besime dhe norma shoqërore. 72 për qind e fëmijëve përjetojnë ndonjë lloj dhune gjatë disiplinimit përfshirë edhe sulmin psikologjik dhe / ose ndëshkimin fizik. 30 për qind e fëmijëve përjetojnë ndëshkim fizik e 24 për qind e fëmijëve disiplinohen duke përdorur vetëm metoda jo të dhunshme. Fëmijët më të rrezikuar nga përjetimi i dhunës, abuzimit ose lënies pas dore janë fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian si dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, e veçanërisht vajzat.
Martesa e hershme vazhdon të jetë e përhapur që ndikon në jetën dhe edukimin e fëmijëve në Kosovë. 1 në 25 gra dhe 1 në 50 burra (20-24 vjeç) janë martuar para moshës 18 vjeç. Kjo rritet ndjeshëm tek fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ku njëra në tre gra dhe 1 në 10 burra (të moshës 20-24 vjeç) janë martuar para moshës 18 vjeçare. Arsimi dhe pasuria e familjes gjithashtu luajnë rol të rëndësishëm gjatë përcaktimit se kur martohet femra.
8% e fëmijëve të Kosovës kanë vështirësi funksionale të paktën në një fushë. Vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga edukata shëndetësore dhe shërbimet sociale.
Fëmijët me aftësi të kufizuara janë ndër grupet më të margjinalizuara në shoqëri dhe përballen me sfida të shumta. Kryesisht janë të përjashtuar nga sistemi arsimor në Kosovë dhe kanë më pak gjasa të kenë qasje në shërbime mjekësore dhe që zëri i tyre të dëgjohet në shoqëri. Kjo është veçanërisht e theksuar tek familjet e varfra dhe të largëta të Kosovës dhe tek fëmijët që i përkasin komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Diskriminimi dhe përjashtimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara i vë në rrezik edhe më të madh për abuzim fizik dhe emocional ose forma tjera të lënies pas dore, dhunës dhe shfrytëzimit. Përmirësimi i qasjes, hapësira mësimore dhe infrastruktura gjithëpërfshirëse (përfshirë tualetet, shkallët dhe rampat), qasja në pajisje ndihmuese si dhe mësues dhe asistentë të trajnuar posaçërisht për ta janë thelbësore për përmirësimin e pjesëmarrjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla. Rritja e ndërgjegjësimit për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe një kornizë më kohezive ligjore do të ndikonte po ashtu pozitivisht në jetën e këtyre fëmijëve dhe familjeve të tyre.