Reagimi ndaj COVID-19

Zbutja e ndikimit të pandemisë COVID-19 tek fëmijët dhe familjet e tyre.

Vaccination sites with COVID-19 vaccine
UNICEF/2021/S.Karahoda

Pandemia e COVID-19 ka vënë barrë të paprecedentë në sistemin shëndetësor të Kosovës që nga zbulimi i rasteve të para të COVID-19 në Kosovë në vitin 2020. Gatishmëria e kufizuar ndaj pandemisë e ka bërë të vështirë reagimin ndaj COVID-19. Pas fillimit premtues, marrja e vaksinës filloi të rritet. Njëkohësisht, çrregullimet në kujdesin antenatal, imunizimi rutinë dhe shërbimet në terren kanë ndikuar në shëndetin e fëmijëve dhe komuniteteve të cenueshme.

Që nga fillimi i pandemisë, UNICEF-i ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për ta mbështetur reagimin ndaj pandemisë, veçanërisht me futjen e vaksinës COVID-19 dhe ndihmën ofruar fëmijëve të Kosovës dhe komuniteteve më të cenueshme që të kenë qasje në kujdes shëndetësor dhe edukim të pandërprerë.

Rritja e qasjes dhe marrjes së vaksinës kundër COVID-19

Kosova ka bërë fushatë të organizuar mirë të vaksinës kundër COVID-19 e që rezultoi me 43.5 për qind e popullsisë mbi 12 vjeç të vaksinohen plotësisht – njëri nga nivelet më të larta të vaksinimit në Ballkanin Perëndimor – deri më 31 dhjetor 2021. Gjithsej 739,620 vaksina donacion janë dorëzuar përmes mekanizmit COVAX, aq sa për t’i vaksinuar 21 për qind të popullsisë së përgjithshme. Përveç kësaj, në vitin 2021, UNICEF-i ka shpërndarë 1.3 milionë shiringa dhe rreth 14,000 maska në objektet e kujdesit shëndetësor dhe ka mbështetur punën në 30 qendra komunale të vaksinimit kundër COVID-19 duke siguruar pajisje të TI-së për printimin e kartave të vaksinimit dhe pajisjeve tjera si dhe në infrastrukturë. Kjo ka mundësuar që të bëhet vaksinimi çdo ditë, ku më së shumti janë vaksinuar rreth 20,000 njerëz ose rreth 1% e popullsisë.

Për ta adresuar keqinformimin në lidhje me vaksinat kundër COVID-19, Qendra e Komunikimit, si nismë e re e mbështetur nga UNICEF-i e ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë me analiza të të dhënave dhe grumbullimin e njohurive nga platformat për dëgjim social për të prodhuar produkte tradicionale dhe komunikimi në media sociale. Rreth 488,000 përdorues kanë pasur në dispozicion informata në lidhje me COVID-19, duke i hedh poshtë thashethemet dhe duke adresuar brengat, siç janë vaksinimi gjatë shtatzënisë dhe ushqyerjes me gji.

UNICEF-i ka punuar edhe me OJQ-të partnere për t’i angazhuar komunitetet e cenueshme, për ta ndihmuar qasjen e tyre në informata dhe vaksinë si dhe për ta promovuar dialogun dhe ndryshimin e sjelljes në lidhje me COVID-19.

Fuqizimi i sistemeve për vaksinim, magazinim dhe shpërndarje

UNICEF-i gjithashtu ka ndihmuar në fuqizimin e infrastrukturës së “zinxhirit të ftohtë” në Kosovë duke mbështetur prokurimin e gjashtë hapësirave ngrirëse për depon e re qendrore të vaksinave si dhe blerjen e 14 ngrirësve me temperatura shumë të ulëta dhe 270 frigoriferëve dhe ngrirësve për qendrat shëndetësore në tërë Kosovën. Njëkohësisht, UNICEF-i i ka trajnuar 200 punëtorë shëndetësorë duke i trajnuar për të ndihmuar me logjistikë.

Mbështetje në qasjen e fëmijëve në kujdesin shëndetësor

Në përputhje me planin e qeverisë për ta decentralizuar vaksinimin në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor (KSHP), UNICEF-i ka punuar në ndërtimin e kapaciteteve të stafit komunal për ta promovuar vaksinimin dhe për t’i arritur njerëzit më të cenueshëm dhe më të margjinalizuar. Rreth 1,500 punëtorë shëndetësorë janë trajnuar për administrim efektiv të vaksinave, trajtim dhe ruajtje të vaksinave kundër COVID-19 si dhe për aftësi ndër-personale dhe raportim të efekteve anësore pas imunizimit (AEFI).

Për t'u siguruar që fëmijët kanë qasje të pandërprerë në kujdesin shëndetësor gjatë izolimit, UNICEF-i i ka mbështetur punëtorët shëndetësorë në ofrimin e këshillimit shëndetësor pacientëve nga distanca. Kjo risi e ka rritur numrin dhe shpeshtësinë e kontakteve mes familjeve dhe infermierëve në krahasim me periudhën para pandemisë. Në vitin 2021, punëtorët shëndetësorë ishin në gjendje t’i bënin 25,000 konsultime me gratë shtatzëna dhe me prindërit e fëmijëve të vegjël. Me këto vizita dhe konsultime, programi i vizitave në shtëpi arriti tek më shumë se 14,000 fëmijë të moshës 0-3 vjeç (gjashtë përqind nga komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane) dhe tek rreth 2,500 gra shtatzëna.

Çrregullimi në arsim dhe punësim të të rinjve

Arsimi ka pasur çrregullime gjatë tre viteve shkollore radhazi. Pas rasteve të para të regjistruara me COVID-19 në Kosovë, në fillim të vitit 2020, të gjitha shkollat u mbyllën për tre muaj duke i prekur 345,540 nxënës; e më vonë shkollat janë mbyllur përkohësisht e ndonjëherë klasat edhe janë ndarë. Ata që nuk kanë pajisje ose internet për tu qasur edukimit përmes interneti, ndonjëherë kanë mbetur edhe pa mësuar.

Mbështetja në qasjen e fëmijëve në arsim përmes interneti

Rikthimi i sigurt në klasa ka qenë kritik për mësimin dhe mirëqenien psiko-sociale të fëmijëve në Kosovë. Puna jonë me organet qeveritare në hartimin e udhëzimeve shëndetësore dhe shpërndarjen e maskave ​​dhe dezinfektuesve në 95 për qind të shkollave në Kosovë ka bërë të mundur kthimin e 300,000 nxënësve në klasa. Aty ku kthimi në shkollë nuk ishte i mundur kur pandemia kishte arrirë kulmin, UNICEF ka ndihmuar mësuesit dhe nxënësit që të aftësohen në përdorimin e platformave të internetit, platformën për mësim elektronik në mbarë Kosovën “Shkollat.org” e cila ka një bibliotekë digjitale dhe video-mësime për të gjitha lëndët nga klasa 1-9 dhe programe të bazuara në aftësitë e shekullit të 21-të për klasat 10-12. UNICEF-i ka trajnuar 2,000 mësues se si ta përdorin “Shkollat.org”, ka lidhur 13 shkolla me internet dhe së bashku me partnerët i kanë furnizuar me 305 laptopë mësuesit dhe 629 tableta fëmijët dhe adoleshentët në nevojë. Deri në fund të vitit 2021, rreth 200,000 nxënës kishin qasje në mësim përmes internetit gjegjësisht në platformën “Shkollat.org.”

Resurset

Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows
Embedded video follows