Kryeministri Kurti, ministrat dhe UNICEF-i diskutojnë veprimet për shëndetin mendor të fëmijëve dhe adoleshentëve

Tryeza e dialogut strategjik fokusohet në mbështetjen në kohë dhe përmirësimin e qasjes në shërbime për fëmijët dhe të rinjtë në mbarë Kosovën.

04 Nëntor 2026
English
UNICEF/2026/F.Limani

Prishtinë, 4 nëntor 2026 – Nën udhëheqjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe e organizuar nga Zyra e Kryeministrit në partneritet me UNICEF-in, tryeza strategjike e mbajtur sot mblodhi ministra, përfaqësues të shoqërisë civile, të akademisë dhe profesionistë të shëndetit mendor për të diskutuar se si Kosova mund ta fuqizojë mbështetjen për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale të fëmijëve dhe të rinjve.

“Udhëheqja e Kryeministrit krijon një mundësi të rëndësishme që Kosova ta shndërrojë agjendën e shëndetit mendor në përmirësime afatgjata për fëmijët, adoleshentët dhe familjet. UNICEF-i është i përkushtuar ta mbështesë Kosovën në zhvillimin e një sistemi të fuqishëm, të koordinuar dhe shumësektorial për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale, duke vënë në dispozicion ekspertizën dhe përvojën tonë globale për ta kthyer këtë përkushtim në veprime dhe rezultate të qëndrueshme”, tha Dr. Zeinab Hijazi, Udhëheqëse në nivelin global për Shëndetin Mendor në UNICEF.

Dialogu vjen pas publikimit në gusht të raportit “Hartëzimi i shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë”, i realizuar nga UNICEF-i në partneritet me Institutin e Psikologjisë të Universitetit të Prishtinës. Raporti vë në pah shqetësimet në rritje lidhur me shëndetin mendor dhe boshllëqet në qasjen në mbështetje të koordinuar dhe në kohë.

Diskutimet u përqendruan në shndërrimin e gjetjeve në veprime konkrete për të forcuar sistemin e shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes sociale. Ndër prioritetet e menjëhershme ishte krijimi i një mekanizmi koordinues ndërsektorial që do të mbështesë hartimin e një plani ndërsektorial të veprimit për shëndetin mendor dhe mbështetjen psikosociale të fëmijëve dhe adoleshentëve. Fuqizimi i parandalimit, ngritja e kapaciteteve të profesionistëve të vijës së parë dhe përmirësimi i mekanizmave të referimit do t’u mundësonin fëmijëve të marrin mbështetje më herët dhe më afër vendbanimit të tyre.

“Fëmijët dhe të rinjtë duhet ta dinë se ku të drejtohen për ndihmë dhe të kenë besim se do ta marrin mbështetjen e nevojshme”, tha Veronika Vashchenko, Udhëheqëse e UNICEF-it në Kosovë. “Kjo nënkupton lidhjen e shërbimeve, investimin te profesionistët dhe vendosjen e shëndetit mendor si prioritet të përbashkët të institucioneve. UNICEF-i është i gatshëm ta mbështesë këtë përpjekje.”

Bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe pjesëmarrja domethënëse e fëmijëve, të rinjve dhe kujdestarëve do të jenë thelbësore për krijimin e shërbimeve që gëzojnë besim, luftimin e stigmës dhe arritjen e atyre që përballen me sfidat më të mëdha për të marrë kujdes.

UNICEF-i do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe partnerët në Kosovë për të zbatuar rekomandimet e raportit dhe për të ndërtuar mbështetje të qëndrueshme për shëndetin mendor të fëmijëve, të rinjëve e familjeve.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook