Të dhënat e reja tregojnë se ka nevojë për ushqim më të shëndetshëm në shkollat e Kosovës dhe përreth tyre

Brenda një dite, 96 për qind e nxënësve të anketuar konsumuan lëngje, produkte me shumë sheqer ose ushqime të përpunuara me shumë kripë.

20 Nëntor 2026
English
UNICEF/2026

Prishtinë, 20 nëntor 2026 – Ushqimet dhe pijet e pashëndetshme gjendeshin lehtësisht pranë shkollave në Kosovë, ndërsa mundësitë për të ngrënë një vakt në shkollë ishin të kufizuara. Kështu tregon vlerësimi i ri që UNICEF-i në Kosovë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) prezantuan me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve. Shumica e shkollave të përfshira në vlerësim i lejonin nxënësit të dilnin nga shkolla gjatë ditës mësimore për të blerë ushqime dhe pije. Vetëm pak shkolla shisnin ushqime brenda mjediseve të tyre dhe në to mbizotëronin produktet e pashëndetshme.

Vlerësimi përfshiu 59 shkolla dhe 1.803 nxënës dhe u krye duke përdorur instrumentin për vlerësimin e mjedisit ushqimor në shkolla (NEAT-S). Në 24 orët para anketimit, 96 për qind e nxënësve të anketuar kishin konsumuar të paktën një lëng, më shumë se një ushqim ose pije me përmbajtje të lartë sheqeri, ose më shumë se një produkt nga kategoria e ushqimeve të kripura të ultrapërpunuara dhe mishrave të përpunuar.

Vetëm 29 për qind e shkollave pjesëmarrëse i mësonin nxënësit për të ushqyerit. Pothuajse të gjitha i përmbushnin kërkesat e kurrikulës për aktivitet fizik të organizuar. Megjithatë, vetëm 44 për qind kishin hapësirë dhe pajisje të mjaftueshme për aktivitet fizik, të cilat mund t’i shfrytëzonin të gjithë nxënësit. Edhe qasja në ujë të sigurt për pije ndryshonte nga njëra shkollë në tjetrën. Një shkollë ku po zbatohet në mënyrë pilot mësimi tërëditor tregoi se si mund t’u ofrohen shujta dhe zamra të shëndetshme nxënësve në të gjitha klasat e arsimit të detyrueshëm.

Raporti bën thirrje për hartimin e politikave dhe të një kuadri ligjor për të përmirësuar të ushqyerit në shkolla. Ai rekomandon që gradualisht të fillojë zbatimi i një programi të financuar nga fondet publike për ofrimin e shujtave ose zamrave në shkolla, të vendosen standarde të detyrueshme ushqimore për ushqimet dhe pijet që shërbehen ose shiten në shkolla dhe të kufizohen shitja dhe reklamimi i produkteve të pashëndetshme në shkolla dhe përreth tyre.

Raporti rekomandon gjithashtu që shkollat të forcojnë edukimin për të ushqyerit, të sigurohet qasja në ujë të sigurt për pije, të investohet në hapësira për aktivitet fizik që mund t’i shfrytëzojnë të gjithë nxënësit dhe të përcaktohen procedura të qarta për referimin e nxënësve nga shkollat te shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor. Teksa Kosova merr masa në bazë të këtyre gjetjeve, raporti rekomandon që përparimi të ndiqet në nivel vendi dhe që përvojat e vetë nxënësve të merren parasysh kur vlerësohet nëse kushtet në shkolla po përmirësohen.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook