UNICEF në Kosovë nënshkruan partneritete me gjashtë komuna për të përmirësuar jetën e fëmijëve

Partneritetet e reja i vendosin fëmijët dhe familjet në qendër të planifikimit, investimeve dhe ofrimit të shërbimeve në nivel lokal

23 Shtator 2026
English
UNICEF/2026/A.Nimani

Prishtinë, 23 shtator 2026 – UNICEF në Kosovë ka nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi me gjashtë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Graçanicën, Obiliqin, Prizrenin dhe Mitrovicën e Jugut, duke vendosur një zotim të përbashkët për përmirësimin e jetës së fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve.

Këto partneritete shënojnë një hap të rëndësishëm në zbatimin e Programit të UNICEF Kosovo 2026–2030, duke i përkthyer zotimet e përbashkëta në veprime në nivel lokal. Përmes bashkëpunimit të ngushtë me komunat, UNICEF-i synon të kontribuojë që fëmijët, veçanërisht ata më të cenueshëm, të përfitojnë nga shërbime sociale cilësore dhe gjithëpërfshirëse. Komunat janë në vijën e parë të ofrimit të rezultateve për fëmijët. Shumë nga shërbimet që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e një fëmije planifikohen, financohen dhe ofrohen në nivel lokal. Duke qenë më pranë fëmijëve, familjeve dhe komuniteteve, komunat janë në një pozitë unike për t’i kthyer politikat në veprime dhe për të siguruar që çdo fëmijë, veçanërisht më të cenueshmit, të përfitojë nga shërbime sociale cilësore në shëndetësi, arsim, mbrojtje të fëmijëve dhe mbrojtje sociale.

“Për fëmijët, cilësia e shërbimeve lokale mund të përcaktojë nëse një politikë shndërrohet në një mundësi reale në jetën e tyre. Përmes këtyre partneriteteve, duam të punojmë krah për krah me komunat, duke përdorur më mirë të dhënat, duke investuar në mënyrë më efektive në fëmijët dhe duke forcuar shërbimet nga të cilat fëmijët dhe familjet varen çdo ditë,” tha Veronika Vashchenko, Shefe e UNICEF në Kosovë.

Përmes këtyre partneriteteve, UNICEF-i dhe komunat do të punojnë së bashku për planifikimin dhe buxhetimin që u përgjigjet nevojave të fëmijëve, për të përmirësuar përdorimin e të dhënave dhe dëshmive, për të rritur koordinimin ndërmjet sektorëve dhe për të shtuar investimet në fëmijë. Partneritetet do të promovojnë gjithashtu pjesëmarrjen kuptimplotë të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve në vendimmarrjen në nivel lokal.

Bashkëpunimi do të forcojë më tej qasjen e barabartë në shërbime cilësore në fushat kryesore të mirëqenies së fëmijëve, përfshirë kujdesin shëndetësor parësor dhe imunizimin, edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin cilësor dhe zhvillimin e aftësive, angazhimin e të rinjve dhe mundësitë për punësim, si dhe shërbimet e koordinuara për mbrojtjen e fëmijëve dhe mbrojtjen sociale, përfshirë parandalimin dhe reagimin ndaj dhunës ndaj fëmijëve.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook