1 në 5 fëmijë në 21 vende kanë përjetuar shfrytëzim dhe abuzim seksual përmes shfrytëzimit të teknologjisë– UNICEF

Më shumë se gjysma e rasteve të abuzimit kanë ndodhur në platformat kryesore të mediave sociale; më pak se 1 për qind e të gjitha rasteve janë raportuar tek autoritetet, thekson raporti i ri

03 Shtator 2026
Phnom Penh, Cambodia, 14 October 2024: Online child sexual abuse survivor, Pisey, walks one of Phnom Penh’s streets. Note, Pisey’s real name has been changed to protect her anonymity.
UNICEF/UNI698637/Wall Phnom Penh, Kamboxhia, 14 tetor 2024: Pisey, e mbijetuar e abuzimit seksual të fëmijëve në internet, ecën në një nga rrugët e Phnom Penhit. Shënim: Emri i vërtetë i Pisey-t është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e saj.

NEW YORK, 3 shtator 2026 – Rreth 20 milionë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç – pothuajse 1 në 5 – janë përballur me të paktën një formë të shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të mundësuar nga teknologjia gjatë një viti të vetëm në 21 vende, sipas një raporti të ri të publikuar sot nga UNICEF.

Through Children’s Eyes: How Digital Technologies Enable Child Sexual Abuse (Përmes syve të fëmijëve: Si mundësojnë teknologjitë digjitale abuzimin seksual të fëmijëve) kombinon dëshmitë e fëmijëve me një nga bazat më të mëdha të të dhënave të disponueshme nga anketat, për të paralajmëruar për një prirje të përhapur të abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve – si në internet ashtu edhe jashtë tij – të mundësuar nga teknologjia.

Raporti vlerëson se mbi 15 milionë fëmijë janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve seksuale të padëshiruara, 9 milionë janë kërkuar të përfshihen në biseda seksuale ose të ndajnë imazhe seksuale kundër vullnetit të tyre, ndërsa 4 milionë fëmijëve u janë shpërndarë imazhe seksuale të tyre pa pëlqimin e tyre. Megjithatë, përmasat reale të problemit ka të ngjarë të jenë shumë më të mëdha për shkak të mosraportimit nga ana e fëmijëve.

“Raporti zbulon një realitet të dhimbshëm. Më shumë se 20 milionë fëmijë në vendet e studiuara janë përballur me përmbajtje seksuale eksplicite të padëshiruara ose shfrytëzim në internet, shpesh në hapësirat digjitale ku mësojnë, luajnë dhe komunikojnë me miqtë”, tha Drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell. “Këto përvoja shkaktojnë shqetësim të thellë emocional dhe mendor. Shumë fëmijë vuajnë në heshtje, të pasigurt se ku të drejtohen për ndihmë. Nuk mund të mbyllim sytë përballë kësaj.”

Sipas gjetjeve, pothuajse 60 për qind e rasteve kanë ndodhur në platformat e mediave sociale, përfshirë Facebook, Instagram, Snapchat, TikTok dhe WhatsApp, ndërsa 14 për qind e rasteve kanë ndodhur në lojërat online. Raporti thekson se karakteristikat, funksionet dhe dizajni i këtyre platformave janë përdorur për të shfrytëzuar besimin. Në Mal të Zi, më shumë se 80 për qind e rasteve të raportuara kanë përfshirë platformat e mediave sociale, ndërsa në Kolumbi ato kanë qenë të lidhura me më shumë se gjysmën e rasteve.

Në të gjitha vendet e anketuara, 57 për qind e rasteve kanë përfshirë dikë që fëmija e njihte tashmë, përfshirë bashkëmoshatarë, partnerë romantikë, miq dhe anëtarë të familjes, duke sfiduar supozimin se abuzimi online kryhet kryesisht nga persona të panjohur. Në të njëjtën kohë, 38 për qind e fëmijëve janë përballur për herë të parë me autorin e abuzimit në internet, ndërsa dëshmitë tregojnë se abuzimi mundësohet, për shembull, përmes llogarive të rreme dhe funksioneve të mesazheve private.

Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve i mundësuar nga teknologjia mund të ketë ndikim të thellë në mirëqenien emocionale të fëmijëve, ndjenjën e sigurisë dhe besimin e tyre tek të tjerët. Përvojat e përshkruara nga fëmijët gjatë intervistave kërkimore shpesh janë përqendruar te frika, turpi, konfuzioni dhe izolimi, ndërsa shumë prej tyre kanë pasur vështirësi të kuptojnë se çfarë kishte ndodhur ose ku të kërkonin ndihmë.

“Nuk e dija si të reagoja... u ndjeva paksa e shokuar”, tha një e re nga Republika Dominikane, pasi imazhet e saj private u shpërndanë pa pëlqimin e saj kur ajo ishte 14 vjeç. Një tjetër pjesëmarrëse në hulumtim, duke reflektuar mbi një përvojë të ngjashme, tha se ishte ndier “si personi më i përdorur, më i ndyrë, personi më i keq”.

Sipas analizës, fëmijët që i janë nënshtruar shfrytëzimit të mundësuar nga teknologjia kanë qenë katër herë më të prirë të raportojnë mendime ose sjellje vetëvrasëse dhe vetëlëndim, si dhe kanë raportuar nivele dukshëm më të larta të ankthit. Në Meksikë dhe Maqedoninë e Veriut, për shembull, rreziku i mendimeve ose sjelljeve vetëvrasëse ka qenë më shumë se tetë herë më i lartë tek fëmijët që kanë përjetuar abuzim, ndërsa në Pakistan rreziku i vetëlëndimit ka qenë mbi shtatë herë më i lartë.

Më shumë se 40 për qind e rasteve të abuzimit të mundësuar nga teknologjia nuk i janë treguar kurrë askujt, ndërsa më pak se 1 për qind janë raportuar tek autoritetet, si policia, punonjësit socialë ose linjat e ndihmës. Në nivel global, arsyeja më e zakonshme pse fëmijët heshtën ishte se nuk dinin ku të drejtoheshin ose kujt t’i tregonin. Në disa vende të anketuara, përqindja e rasteve që nuk u treguan ishte edhe më e lartë, përfshirë Armeninë, ku më shumë se gjysma e rasteve nuk i janë treguar askujt.

Gjetjet tregojnë për një nevojë urgjente për veprim nga qeveritë, kompanitë e teknologjisë dhe palët e tjera të interesuara për të mbrojtur më mirë fëmijët në epokën digjitale.

Për Kosovën, kjo thirrje globale për veprim është veçanërisht e rëndësishme. Bazat ligjore dhe të politikave janë kryesisht në vend; prioriteti tani është përkthimi i tyre në praktikë – duke siguruar që fëmijët të mund të raportojnë abuzimin në mënyrë të sigurt, që shërbimet sociale, shëndetësore, arsimi, policia dhe drejtësia të përgjigjen në mënyrë të koordinuar dhe të ndjeshme ndaj fëmijëve, dhe që parandalimi dhe mbrojtja të shtrihen plotësisht edhe në hapësirat digjitale ku fëmijët kalojnë gjithnjë e më shumë kohë. Kjo kërkon kalimin nga zotimet në letër drejt shërbimeve dhe sistemeve efektive, tek të cilat fëmijët dhe familjet mund të kenë besim.

 

Raporti bën thirrje për veprim urgjent:

  • T’i bëjmë platformat digjitale më të sigurta që në fazën e dizajnimit, me mbrojtje më të forta të privatësisë për fëmijët, kufizime ndaj kontakteve të padëshiruara nga të rriturit, sisteme më të sigurta të rekomandimeve, si dhe zbulim dhe raportim të abuzimit.
  • Të forcohen ligjet, rregulloret dhe mekanizmat e llogaridhënies, duke siguruar që qeveritë të kenë mjetet dhe masat e zbatimit të nevojshme për t’u përballur me format në zhvillim të abuzimit, përfshirë shantazhin seksual dhe materialet seksuale të abuzimit të fëmijëve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale.
  • Të ndërtohen sisteme raportimi dhe mbështetjeje tek të cilat fëmijët mund të kenë besim, duke përfshirë investime në mbrojtjen e fëmijëve, shëndetësi, drejtësi dhe shërbime sociale.
  • Të zhvendoset barra e mbrojtjes nga fëmijët, duke siguruar që familjet, shkollat dhe komunitetet t’u përgjigjen rasteve të raportuara me mbështetje dhe t’i ndihmojnë fëmijët të kërkojnë ndihmë në mënyrë të sigurt.
  • Të reduktohen cenueshmëritë ekonomike që shfrytëzojnë autorët e abuzimit, përmes mbështetjes më të fortë për familjet dhe zgjerimit të mundësive për arsimim dhe punësim për fëmijët dhe të rinjtë.
  • Të adresohen normat sociale dhe gjinore që normalizojnë seksualizimin e vajzave dhe stigmatizojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale.

“Të gjithë ne, përfshirë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë, duhet të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur fëmijët online”, tha Russell.

 

Shënime për redaktorët

Shfrytëzimi dhe abuzimi seksual i fëmijëve i mundësuar nga teknologjia i referohet mënyrave se si teknologjitë dhe platformat digjitale përdoren për të mundësuar ose përforcuar abuzimin dhe shfrytëzimin seksual të fëmijëve, si në mjediset online ashtu edhe në ato fizike.

Raporti Through Children’s Eyes: How Digital Technologies Enable Child Sexual Abuse (Përmes syve të fëmijëve: Si mundësojnë teknologjitë digjitale abuzimin seksual të fëmijëve) bazohet në anketa përfaqësuese në nivel kombëtar me rreth 21,000 fëmijë që përdorin internetin, të moshës 12 deri në 17 vjeç, në 21 vende, si dhe në intervista të thelluara me 100 të rinj që kanë përjetuar abuzim gjatë fëmijërisë. Meqenëse kampioni i anketës përfshin vetëm fëmijë që përdorin internetin, gjetjet janë përfaqësuese të fëmijëve që përdorin internetin dhe jo të të gjithë fëmijëve, veçanërisht në vendet me lidhje më të ulët në internet. Hulumtimi u realizua nga UNICEF-i si pjesë e projektit Disrupting Harm, i zbatuar bashkërisht nga UNICEF-i, ECPAT International dhe INTERPOL.

Ky raport kombinon dëshmi nga dy raunde të hulumtimit Disrupting Harm, të zhvilluara në 21 vende. Raundi i parë, me të dhëna të mbledhura kryesisht gjatë viteve 2020–2021, përfshiu Kamboxhën, Etiopinë, Indonezinë, Kenian, Malajzinë, Mozambikun, Namibinë, Filipinet, Tanzaninë, Tajlandën, Ugandën dhe Vietnamin. Raundi i dytë, gjatë viteve 2024–2025, e zgjeroi hulumtimin në Armeni, Brazil, Kolumbi, Republikën Dominikane, Meksikë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Pakistan dhe Serbi.

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Ndiqni Programin e UNICEF-it në Kosovë në Facebook, Instagram, Youtube dhe X