Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në partneritet me UNICEF-in, prezantojnë Udhërrëfyesin për Reformën e Arsimit Digjital
Prishtinë, 26 gusht 2026 – Sot, UNICEF-i në Kosovë, në partneritet me Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, lansoi studimin “Nga qasja digjitale te kompetenca digjitale: Analizë gjithëpërfshirëse e zhvillimit të kompetencave digjitale në sistemin parauniversitar të Kosovës, Udhërrëfyes për Reformën e Arsimit Digjital”.
Studimi ofron një vlerësim gjithëpërfshirës të zhvillimit të kompetencave digjitale në sistemin e arsimit parauniversitar në Kosovë, duke shqyrtuar shkathtësitë digjitale të nxënësve dhe mësimdhënësve, integrimin në kurrikulë, kornizat e politikave, infrastrukturën dhe gatishmërinë institucionale. Ai gjithashtu paraqet një udhërrëfyes me rekomandime praktike për të avancuar transformimin digjital në gjithë sektorin e arsimit.
Ministri në detyrë i Ministrisë së Digjitalizimit dhe Administratës Publike, z. Lulëzon Jagxhiu, tha: “Në qendër të transformimit digjital të arsimit nuk duhet të jetë teknologjia, por nxënësi dhe mësimdhënësi. Qëllimi është që teknologjia të na ndihmojë të kemi arsim më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe që i përgatit të rinjtë tanë për të ardhmen.”
Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, z. Përparim Kryeziu, tha: “Digjitalizimin e shohim si nevojë të kohës, por edhe si mundësi: mundësi për kapërcim në cilësi, qasje dhe më shumë barazi e gjithëpërfshirje brenda sistemit tonë arsimor. Udhërrëfyesi Digjital na ofron një bazë të mirë për vendimmarrje për ta kapitalizuar këtë mundësi.”
Gjetjet theksojnë nevojën urgjente për forcimin e kompetencave digjitale në Kosovë. Pothuajse dy të tretat e fuqisë punëtore në Kosovë kanë nevojë për ngritje të shkathtësive digjitale, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, vlerësimet ndërkombëtare si PISA dhe ICILS tregojnë për boshllëqe të vazhdueshme në rezultatet e të nxënit dhe gatishmërinë digjitale të nxënësve.
“Fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë tashmë po rriten në një botë digjitale. Vetëm qasja në teknologji nuk mjafton. Çdo fëmijë ka nevojë për mundësi për të zhvilluar kompetenca digjitale kritike, i mbështetur nga mësimdhënës që kanë vetëbesim në përdorimin kuptimplotë të teknologjisë dhe nga sisteme arsimore që nxisin mjedise të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe efektive të të nxënit,” tha znj. Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Edhe pse digjitalizimi është përcaktuar si prioritet strategjik përmes Strategjisë së Arsimit 2022–2026, studimi identifikon sfidat kryesore që vazhdojnë të pengojnë progresin, duke përfshirë përpjekjet e fragmentuara në zbatim, koordinimin e kufizuar ndërmjet akterëve, mangësitë në infrastrukturë, përgatitjen e pamjaftueshme të mësimdhënësve, kufizimet në financim dhe mungesën e një kornize gjithëpërfshirëse për teknologjitë në zhvillim, si Inteligjenca Artificiale (IA).
Raporti njeh përpjekjet e vazhdueshme të institucioneve të Kosovës për t’u harmonizuar me kornizat evropiane, përfshirë DigComp, DigCompEdu dhe DigCompOrg, duke theksuar njëkohësisht nevojën për mekanizma më të fuqishëm të zbatimit, monitorimit dhe llogaridhënies.
I zhvilluar përmes analizës së politikave, konsultimeve me akterët, vizitave në shkolla, vëzhgimeve në klasa dhe diskutimeve me mësimdhënës e udhëheqës arsimorë, studimi ofron rekomandime të bazuara në dëshmi për të ndihmuar që të gjithë fëmijët dhe të rinjtë të fitojnë shkathtësitë digjitale të nevojshme për të mësuar, punuar dhe përparuar në një botë gjithnjë e më digjitale.
Ndërsa Kosova avancon agjendën e saj të transformimit digjital, Udhërrëfyesi shërben si thirrje për veprim të përbashkët, duke inkurajuar institucionet qeveritare, komunat, shkollat, universitetet, partnerët zhvillimorë dhe sektorin privat që të bashkërendojnë përpjekjet dhe të investojnë në kompetencat digjitale që do të formësojnë të ardhmen e Kosovës.
Kontakte me mediat
Rreth UNICEF
UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.
Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme