Nga Qasja Digjitale në Kompetencë Digjitale
Analizë Gjithëpërfshirëse e Zhvillimit të Kompetencës Digjitale në Sistemin Parauniversitar të Kosovës
Highlights
Kosova po ndërmerr hapa konkret për transformimin e sistemit të arsimit parauniversitar për t’iu përshtatur epokës digjitale. Ky raport paraqet si përparimin e arritur, ashtu edhe sfidat që mbeten në zhvillimin e aftësive digjitale te nxënësit dhe mësimdhënësit. Ndërsa digjitalizimi është një prioritet në të gjithë Kosovën, me investime në qasjen në internet, pajisje dhe platforma të reja të të nxënit, shumë shkolla ende përballen me mungesa në infrastrukturë, me kurrikula që vazhdojnë të përshtaten me kërkesat e një mjedisi digjital që ndryshon me shpejtësi, si dhe me mundësi të kufizuara për trajnimin e mësimdhënësve. Vlerësimet ndërkombëtare tregojnë se nxënësit në Kosovë kanë rezultate më të ulëta në aftësitë digjitale, ndërsa mësimdhënësit shpesh ndihen të papërgatitur për ta përdorur teknologjinë në mënyrë efektive në klasë.
Raporti propozon një udhërrëfyes të qartë: përditësimin e kurrikulës për të përfshirë aftësitë digjitale në të gjitha lëndët, investimin në infrastrukturë moderne për çdo shkollë dhe ofrimin e zhvillimit profesional të synuar për mësimdhënësit. Raporti gjithashtu bën thirrje për integrimin e teknologjive në zhvillim, si inteligjenca artificiale, si dhe për krijimin e mjeteve të qëndrueshme të vlerësimit për të përcjellë progresin. Përmes bashkëpunimit ndërmjet qeverisë, edukatorëve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kosova mund të sigurojë që çdo nxënës dhe mësimdhënës të jetë i pajisur me njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për sukses në një botë digjitale.