Më shumë fëmijë mbijetojnë dhe ndjekin edukimin parashkollor në Kosovë, por pabarazitë e thella vazhdojnë për fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë, konfirmon anketa e re MICS

15 Shtator 2026
English
UNICEF/2026/F.Limani

15 shtator 2026, Prishtinë – Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe UNICEF-i në Kosovë publikuan sot gjetjet e Anketës së Treguesve të Shumëfishtë (MICS) 2025, anketës më gjithëpërfshirëse të ekonomive familjare mbi gjendjen e fëmijëve, grave dhe familjeve në Kosovë. Gjetjet tregojnë përparim të dukshëm për fëmijët, por njëkohësisht zbulojnë pabarazi të vazhdueshme dhe, në disa fusha, të theksuara që prekin fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë. 

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, z. Avni Kastrati theksoi: “Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, jemi të përkushtuar për të prodhuar të dhëna cilësore dhe ndërkombëtarisht të krahasueshme që i shërbejnë interesit publik. Gjetjet e MICS 2025 ofrojnë dëshmi thelbësore për monitorimin e progresit, identifikimin e pabarazive dhe mbështetjen e politikave që përmirësojnë jetën e fëmijëve dhe familjeve në mbarë Kosovën.” 

“Në mbarë botën, MICS është një nga mjetet më të rëndësishme që mbështet OKB-ja. Kudo që kam punuar, ai ka shërbyer si një pikë kyçe referimi për qeverinë, partnerët dhe planifikimin e programeve të OKB-së. Ai gjeneron të dhëna që nuk gjenden askund tjetër dhe na ndihmon ta përqendrojmë vëmendjen te njerëzit më të cenueshëm në shoqëritë tona,” deklaroi Stephen O'Malley, Koordinator i Zhvillimit të OKB-së në Kosovë. 

Si rundi i tretë i MICS-it në Kosovë, pas anketave të viteve 2014 dhe 2020, kjo anketë mundëson vlerësimin e përparimit ndër vite: mbijetesa e fëmijëve është përmirësuar, pjesëmarrja në edukimin në fëmijërinë e hershme është më shumë se dyfishuar, gatishmëria për shkollë ka vazhduar të rritet dhe përdorimi i disiplinës jo të dhunshme është shtuar. Megjithatë, pabarazitë mbeten të mëdha, me fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë që përballen me rreziqe dukshëm më të larta në mbijetesë, ushqyerje, arsim dhe mbrojtje. 

“Gjetjet e reja të MICS-it tregojnë se përparimi për fëmijët në Kosovë është real, por ende jo i barabartë. Tashmë kemi tri raunde të dëshmive të krahasueshme që tregojnë se ku investimet po japin rezultate dhe ku fëmijët ende po mbeten prapa. Detyra e përbashkët është e qartë: t’i përdorim këto të dhëna për të  orientuar burimet dhe shërbimet në mënyrë që çdo fëmijë të mund të mbijetojë, të mësojë, të mbrohet dhe të zhvillohet,” tha Veronika Vashchenko, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë. 

Gjetjet kryesore tregojnë se vdekshmëria neonatale ka rënë nga 11 në 8 vdekje për 1,000 lindje të gjalla në Kosovë, rënie 27% nga viti 2020, ndërsa tek komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian ka rënë nga 21 ne 15, një rënie prej 29% nga viti 2020.  Imunizimi i plotë tek fëmijët e moshes 24-35 muaj qëndron në 76% tek popullata e përgjithshme dhe 44% tek fëmijët e komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian.   

Pjesëmarrja në edukimin në fëmijërinë e hershme për fëmijët e moshës 3-4 vjeç është më shumë se dyfishuar, nga 15 %, në vitin 2020 në 36 %, në vitin 2025, por mbetet rreth 7%  ,tek fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë. Hendeku në arsim dhe mbrojtje mbeten gjithashtu të theksuara. Vijueshmëria në shkollë në popullatën e përgjithshme është 96 % në arsimin fillor, 95%,  në arsimin e mesëm të ulët dhe 89%në arsimin e mesëm të lartë, ndërsa tek fëmijët romë, ashkali dhe egjiptianë ajo bie nga 83%, në arsimin fillor në 27 %, në arsimin e mesëm të lartë. Disiplina e dhunshme ka rënë nga 72 në 64% , ndërsa dhuna e rëndë nga 6 në 2%, por dhuna ndaj fëmijëve mbetet ende e përhapur. 

Ushqyerja paraqet një sfidë tjetër në Kosovë.  24% e fëmijëve të moshës 5-9 vjeç dhe 32% e fëmijëve të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptian konsiderohet se janë mbi peshë. 57% e fëmijëve të moshës 6-23 muaj dhe 80% e fëmijëve të komunitetetve romë, ashkali dhe egjiptian konsumojnë ushqim jo të shëndetshëm.   

Transferet sociale arrijnë 94% %, të fëmijëve nën moshën 18 vjeçare dhe 80% të popullsisë qe që jetojne në familje dhe që pranojnë çfarëdo lloji të transfereve sociale,  ofruar një bazë të rëndësishme për një mbrojtje sociale më të ndjeshme ndaj nevojave të fëmijëve. 

MICS 2025 bazohet në afro 14,000 intervista të realizuara në 6,928 ekonomi familjare përmes dy anketave  të ndara. Të dhënat mund të ndahen sipas vendbanimit, seksit, moshës, arsimit, pasurisë, përkatësisë etnike dhe statusit të aftësisë së kufizuar, duke ndihmuar institucionet të shohin përtej mesatareve dhe të identifikojnë vendet ku pabarazitë vazhdojnë. Treguesit e saj mund të mbështesin vendimmarrjen politike dhe buxhetore, të forcojnë llogaridhënien dhe të monitorojnë progresin ndaj zotimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. 

Gjetjet u ofrojnë institucioneve të Kosovës, partnerëve zhvillimorë, shoqërisë civile, akademisë dhe komuniteteve një bazë të përbashkët dëshmish për të ruajtur arritjet dhe për të përshpejtuar progresin për fëmijët, veçanërisht për ata që mbeten më së shumti prapa. 

MICS është një program global i anketave të ekonomive familjare i zhvilluar dhe mbështetur nga UNICEF-i, i cili prodhon të dhëna statistikisht të besueshme dhe ndërkombëtarisht të krahasueshme për fëmijët, gratë dhe ekonomitë familjare. Udhehequr nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me UNICEF-in MICS 2025 ne Kosove u financua nga  qeveria, UNICEF-i, Zyra Zvicerane për Bashkëpunim – Ambasada e Zvicrës në Kosovë, Zyra e Koordinatorit për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe UNFPA. 

Kontakte me mediat

Dafina Zuna
Zyrtare e Komunikimit
UNICEF-i në Kosovë

Rreth UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprim praktik, duke përqendruar përpjekje të veçanta në arritjen e fëmijëve më të cenueshëm dhe më të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve, kudo.

Për më shumë informacion rreth UNICEF-it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni www.unicef.org/kosovoprogramme

Follow UNICEF Kosovo Programme on Twitter and Facebook