Pozicionet e zakonshme të gjidhënies për foshnjat

4 mënyra për ta bërë gjidhënien të rehatshme për ju dhe fëmijën tuaj

UNICEF
English
UNICEF/A.Llapashtica

Ndërsa foshnjat lindin me refleksin për të kërkuar gjirin e nënës së tyre, shumë nëna kanë nevojë për mbështetje për ta pozicionuar fëmijën e tyre për gjidhënie dhe për t'u siguruar që foshnja e tyre është vendosur saktë. Gjidhënia kërkon kohë dhe praktikë si për nënat ashtu edhe për foshnjat!

Për t'ju ndihmuar juve dhe foshnjave tuaja të përfitoni sa më shumë nga gjidhënia, këtu janë disa (nga shumë!) pozicione që duhet të provoni. Mos harroni, gjëja më e rëndësishme është që fëmija juaj të jetë në gjendje të ushqehet mirë. Mund të duhen disa përpjekje përpara se të gjeni atë që funksionon më mirë për të dy.

Nëse keni ndonjëherë ndonjë pyetje ose shqetësim në lidhje me gjidhënien, sigurohuni që të flisni me maminë, specialistin/en e laktacionit ose një ofrues tjetër të kujdesit shëndetësor.

Këshilla për gjidhënien

Shenjat e lidhjes së mirë

  • Një përvojë komode pa dhimbje.
  • Aerola është më shumë e dukshme mbi gojën e foshnjës tuaj sesa poshtë gojës së foshnjës.
  • Goja e foshnjës suaj është e hapur.
  • Buza e poshtme e foshnjës tua është e kthyer jashtë.
  • Mjekra e foshnjës tuaj është duke prekur – ose gati duke prekur – gjirin tuaj.

Shenjat e pozicionimit të mirë

  • Koka dhe trupi i foshnjës tuaj janë në një linjë. Foshnja nuk mund të thithë ose të gëlltisë lehtë nëse koka e tyre është e përdredhur ose e përkulur.
  • Fëmija juaj mbahet afër trupit tuaj. Foshnja nuk mund të lidhet mirë me gjoksin nëse është shumë larg tij.
  • I gjithë trupi i foshnjës suaj mbështetet me krahun tuaj përgjatë shpinës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të sapolindurit dhe foshnjat e vogla. Për foshnjat më të rritura, zakonisht mjafton mbështetja e pjesës së sipërme të trupit. 
  • Fëmija juaj afron hundën tek thithka, në mënyrë që të prek gjirin juaj nga ana e poshtme e thithkës.

Shenjat e thithjes efektive

  • Fëmija juaj merr thithje të ngadalta të thella, ndonjëherë duke pushuar.
  • Ju mund ta shihni ose dëgjoni fëmijën tuaj duke gëlltitur pas një ose dy thithjeje.
  • Thithja është e rehatshme dhe pa dhimbje për ju.
  • Fëmija juaj përfundon ushqyerjen, lëshon gjirin dhe duket i/e kënaqur dhe i/e relaksuar.
  • Gjiri juaj është më i butë pas ushqyerjes.

Pozicionet e ushqyerjes me gji

1. Mbajtja në formë djepi

Mbajtja në formë djepi është pozicioni më i zakonshëm dhe ndihmon për të siguruar një përvojë të këndshme ushqyerje dhe lidhjeje për ju të dy.

  • Uluni diku me mbështetje për ta mbajtur krahun në lartësinë e duhur, si një karrige apo divan me krahë anësorë. Nëse është e nevojshme, mund të përdorni jastëkë për të mbështetur krahun tuaj.
  • Vendoseni foshnjën në prehrin tuaj me kokën në pjesë e lakuar të krahut tuaj.
  • Mbajeni gjoksin e foshnjës tuaj ngjitur me tuajin në mënyrë që ai/ajo të mos ketë nevojë ta kthejë kokën drejt gjirit tuaj. Nëse është e nevojshme, përdorni jastëkë për të mbështetur kokën e foshnjës tuaj.

2. Mbajtja në formë djepi e kryqëzuar

Ky pozicion është i dobishëm kur mësoni së pari gjidhënien dhe është një opsion i shkëlqyeshëm për foshnjat e vogla. Kjo ju mundëson të keni kontroll të mirë të kokës së foshnjës tuaj ndërsa ndihmoni foshnjën tuaj të lidhet.

Mendoni për këtë si anën e kundërt të mbajtjes në formë djepi. Për të kryer mbajtjen në formë djepi e kryqëzuar, vendoseni fëmijën tuaj në drejtim të kundërt të mbajtjes në formë djepi me kokën e tyre në dorën tuaj, dhe jo në pjesën e lakuar të krahut tuaj.

3. Mbajtja në formë futbolli ose ragbi

Nëse keni të bëni me gjinj të fryrë ose thithka me dhimbje, ky është një pozicion i shkëlqyeshëm për ta provuar. Mbajtja në formë futbolli ose ragbi ndihmon në parandalimin e mbylljes së kanaleve duke e pozicionuar fëmijën tuaj për të zbrazur kanalet e poshtme - është një fitore për të dy!

  • Ndërsa foshnja është i/ekthyer në anën tuaj, mbajeni foshnjën tuaj si një top futbolli ose ragbi përgjatë parakrahut tuaj, me trupin e foshnjës në krah dhe fytyrën drejt gjirit tuaj.
  • Vendosni këmbët e foshnjës nën krahun tuaj.
  • Përdorni dorën tjetër për të mbështetur gjirin tuaj.

Mbajtja në formë futbolli ose ragbi është gjithashtu e dobishme nëse keni bërë një prerje cezariane dhe nuk mund ta vendosni fëmijën tuaj në stomak gjatë gjidhënies.

4. Pozicioni i shtrirë anash

Nëse ju dhe foshnja juaj jeni më të rehatshëm në pozicionin e shtrirë, ky është një pozicion i mrekullueshëm për ta provuar.

  • Shtrihuni në anën tuaj dhe vendoseni fëmijën tuaj anash, përballë jush, me kokën tek gjiri juaj.
  • Mbështetni shpinën me jastëk dhe sigurohuni që hunda e foshnjës tuaj të mos jetë e penguar.

Vlerësojeni këtë kohë të veçantë të ushqyerjes dhe lidhjes me fëmijën tuaj. Dhe mbani mend, gjidhënia kërkon kohë! Jini të durueshëm me veten dhe gjithmonë kontaktoni ofruesin tuaj të kujdesit shëndetësor për mbështetje nëse keni nevojë.