14 mite të paverteta rreth ushqyerjes së foshnjës me gji
Në 6 vitet e para, nis e mbara!
1. Mit? Ushqyerja me gji është e lehtë.
Foshnjat lindin me refleksin për të kërkuar gjirin e nënës së tyre. Megjithatë, shumë nëna kanë nevojë për mbështetje praktike me pozicionimin e foshnjës së tyre për ushqyerjen me gji dhe për t'u siguruar që fëmija i tyre të jetë i puthitur saktë me gjirin. Ushqyerja me gji kërkon kohë dhe praktikë si për nënat ashtu edhe për foshnjat. Ushqyerja me gji është gjithashtu kohë intensive, kështu që nënat kanë nevojë për hapësirë dhe mbështetje në shtëpi dhe punë.
2. Mit? Është e zakonshme që gjatë ushqyerjes me gji të jetë i pashmangshëm lëndimi dhe dhimbja e thithkave.
Shumë nëna përjetojnë parehati në ditët e para pas lindjes kur janë duke mësuar të ushqejnë me gji. Por, me mbështetjen e duhur me pozicionimin e foshnjës dhe duke u siguruar se foshnja është puthitur duhur me gjirin, dhembja e thithkave mund të shmanget. Nëse një nënë përballet me sfida të gjidhënies si p.sh. dhimbje të thithkave, mbështetja nga një profesionist mund të ndihmojë të tejkalohet problemi.
3. Mit? Duhet të lani thithkat përpara se të ushqeni foshnjën me gji.
Larja e thithkave para se të ushqeni me gji nuk është e domosdoshme. Kur foshnjat lindin, ato veçse janë të njohur me aromat dhe tingujt e nënës së tyre. Thithkat prodhojnë një substancë që foshnja e nuhat dhe e cila ka “baktere të mira” që ndihmon në ndërtimin e sistemit imunitar të shëndetshëm të foshnjave për gjithë jetën.
A e dinit? Ushqyerja me gji mbron fëmijën tuaj nga infeksionet e veshit, diarreja, pneumonia dhe sëmundje të tjera të fëmijërisë.
4. Mit? Duhet ta largoni foshnjën e porsalindur nga nëna për ta lënë atë të pushojë.
Menjëherë pas lindjes mjekët, infermieret dhe mamitë shpesh e inkurajojnë praktikën “lëkurë mbi lëkurë”, e njohur edhe si kujdesi i nënës kangur. Të mbash foshnjën në kontakt të drejtpërdrejtë, në mënyrë që lëkura e tyre të jetë në kontakt me lëkurën tuaj është një praktikë shumë e rëndësishme, që e ndihmon atë të gjejë dhe të mësohet me gjirin tuaj. Nëse mund ta praktikoni këtë brenda një ore pas lindjes dhe pastaj më shpesh pas lindjes, kjo ndihmon në vendosjen në binarë të shëndoshë të gjidhënies. Nëse nëna nuk mund ta bëjë vetë këtë veprim, atëherë mund të ndihmojë partneri ose një anëtar tjetër i familjes.
5. Mit? Ju duhet të hani vetëm ushqim të lehtë gjatë ushqyerjes me gji.
Si të gjithë të tjerët, nënat gjidhënëse duhet të kenë një dietë të ekuilibruar. Në përgjithësi, nuk ka nevojë të ndryshohen zakonet e ushqimit. Foshnjat janë të ekspozuara ndaj preferencave ushqimore të nënave të tyre që nga koha kur janë në mitër. Nëse nëna dyshon se fëmija i saj reagon ndaj një ushqimi specifik, është më mirë të konsultohet me ndonjë specialist.
6. Mit? Ushtrimet fizike do të ndikojnë në shijen e qumështit tuaj.
Ushtrimet fizike janë të shëndetshme edhe për nënat gjidhënëse. Nuk ka asnjë dëshmi që ushtrimet ndikojnë në shijen e qumështit tuaj.
7. Miti? Ju nuk do të jeni në gjendje ta ushqeni foshnjën me gji nëse nuk e bëni atë menjëherë.
Është më e lehtë të filloni ushqyerjen me gji nëse filloni në orën e parë pas lindjes, sepse reflekset e foshnjës janë shumë të forta në atë kohë. Ata janë gati të mësojnë të ushqehen me gji. Nëse nuk e lidhni fëmijën menjëherë pas lindjes, bëjeni sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse keni nevojë për ndihmë për ta vendosur fëmijën tuaj në gji, kërkoni mbështetje nga një profesionisti të kualifikuar. Kontakti i shpeshtë lëkurë me lëkurë dhe vënia e foshnjës në gji do të ndihmojë për të vazhduar ushqyerjen me gji.
A e dinit? Ushqyerja me gji mbron nënën nga diabeti, kanceri i gjirit dhe vezoreve, sëmundjet e zemrës dhe depresioni pas lindjes.
8. Mit? Nuk mund të përdorni asnjëherë formulë nëse dëshironi ta ushqeni foshnjën me gji.
Nënat mund të vendosin nese duhet të përdorin formulë në disa raste, ndërkohë që vazhdojnë të ushqejnë me gji. Është e rëndësishme të kërkoni informacion të paanshëm për formulën dhe produktet e tjera që zëvendësojnë qumështin e gjirit. Për të vazhduar prodhimin e qumështit të gjirit, vazhdoni t'ia ofroni gjirin foshnjës sa më shpesh të jetë e mundur. Mund të jetë e dobishme për nënat që të konsultohen me një profesionist të kualifikuar i cili do t’iu ndihmojë me një plan që funksionon më së miri për to për të vazhduar ushqyerjen me gji.
9. Mit? Shumë nëna nuk mund të prodhojnë qumësht të mjaftueshëm.
Pothuajse të gjitha nënat prodhojnë sasinë e duhur të qumështit për foshnjat e tyre. Prodhimi i qumështit të gjirit përcaktohet nga sa mirë është lidhur foshnja në gji, shpeshtësia e dhënies së gjirit dhe sa mirë foshnja e heq qumështin me çdo ushqyerje. Ushqyerja me gji nuk është punë e 'një gruaje' dhe nënat kanë nevojë për mbështetje. Fjala është për mbështetje siç janë udhëzimet e vazhdueshme për ushqyerjen me gji nga ofruesit e kujdesit shëndetësor, ndihma në shtëpi dhe të qenit të shëndetshëm duke ngrënë dhe pirë ushqime të shëndetshme.
10. Mit? Ju nuk duhet të ushqeni me gji nëse jeni e sëmurë.
Në varësi të llojit të sëmundjes, nënat zakonisht mund të vazhdojnë të ushqejnë foshnjen me gji kur janë të sëmura. Duhet të siguroheni që të merrni trajtimin e duhur dhe të pushoni, hani dhe pini mirë. Në shumë raste, antitrupat që zhvillon trupi juaj për ta luftuar sëmundjen do t’i kalojnë fëmijës tuaj, duke ndërtuar mbrojtjen e tij ose të saj.
11. Mit? Ju nuk mund të merrni asnjë ilaç nëse jeni duke ushqyer me gji.
Është e rëndësishme të informoni mjekun tuaj se po ushqeni me gji dhe të lexoni udhëzimet për çdo medikament që blini pa recetë. Mund të jetë e nevojshme të merren medikamente në një kohë të caktuar ose në një dozë specifike, ose të merret një formulim alternativ. Ju gjithashtu duhet t'i tregoni mjekut të foshnjës për çdo medikament që merrni.
A e dinit? "Qumështi i parë" - ose kolostrumi - është i pasur me antitrupa dhe u jep të porsalindurve forcim të imunitetit ndërsa sistemi i tyre imunitar është ende në zhvillim.
12. Mit? Foshnjat që janë ushqyer me gji janë tepër të varur nga nëna.
Të gjitha foshnjat janë të ndryshme. Disa janë të varur nga nëna, ndërsa disa të tjerë nuk janë, pavarësisht se si ushqehen. Ushqyerja me gji ofron jo vetëm ushqimin më të mirë për foshnjat, por gjithashtu është e rëndësishme për zhvillimin e trurit të tyre. Foshnjat që ushqehen me gji mbahen më shumë dhe për këtë arsye, ushqyerja me gji është vërtetuar se e përmirëson lidhjen me nënën e tyre.
13. Mit? Është e vështirë ta hiqni fëmijën nga gjiri nëse e ushqeni me gji për më shumë se një vit.
Nuk ka asnjë dëshmi që është më e vështirë të ndërpritet ushqyerja me gji pas një viti, por ka dëshmi se ushqyerja me gji deri në dy vjet është e dobishme si për nënat ashtu edhe për fëmijët. Të gjitha nënat dhe foshnjat janë të ndryshme dhe duhet të përcaktojnë së bashku se sa kohë duan ta ushqejnë foshnjën me gji.
14. Mit? Nëse ktheheni në punë, do t'ju duhet ta hiqni nga gjiri fëmijën tuaj.
Shumë nëna vazhdojnë të ushqejnë me gji pasi të kthehen në punë. Së pari, kontrolloni politikat në vendin tuaj dhe në vendin tuaj të punës. Nëse e keni të drejtën për kohë dhe vend për gjidhënie gjatë orarit të punës, mund të jeni në gjendje të shkoni në shtëpi dhe ta ushqeni foshnjën me gji, t'i kërkoni një anëtari të familjes ose shoqes t’ua sjellë fëmijën tuaj ose ta nxirrni qumështin tuaj dhe ta dërgoni në shtëpi. Nëse nuk keni mundësi të ushqeni me gji gjatë orarit të punës, gjeni kohën e duhur gjatë ditës për të nxjerrë qumështin tuaj dhe më pas ta ushqeni fëmijën tuaj drejt nga gjiri pasi të ktheheni në shtëpi. Nëse vendosni t’i jepni fëmijës suaj një zëvendësues të qumështit të gjirit për disa vakte, prapëseprapë është shumë mirë të vazhdoni ta ushqeni me gji sa herë që jeni me fëmijën tuaj.
Ky artikull u zhvillua në bashkëpunim me Dr. Michele Griswold PhD, MPH, RN, IBCLC. Dr Griswold është konsulent laktacioni, infermiere e regjistruar, studiuese e gjidhënies dhe mbështetëse e kauzës së nënavë gjidhënëse. Ajo përfaqëson Shoqatën Ndërkombëtare të Konsulentëve të Laktacionit në Kolektivin Global të Ushqyerjes me Gji të OBSH/UNICEF, i cili u bën thirrje qeverive dhe shoqërisë në tërësi t'u ofrojnë nënave mbështetjen që u nevojitet për gjidhënie.