Forcë në çdo hap

Një rrugëtim i ri falë mbështetjes së Bashkimit Evropian

EU4SocialCare
-
UNICEF Albania
05 Janar 2026

Suksesi i një shoqërie matet padyshim nga mënyra sesi iu qaset personave në nevojë dhe në vështirësi. Politikat sociale, të zbatuara në bashkëpunim me strukturat lokale, qendrore apo/dhe jofitimprurëse duhet të jenë të mirëhartuara që t`iu përgjigjen sfidave dhe nevojave të grupeve vulnerabël, me qëllim ofrimin e shërbimeve cilësore, për të gjithë qytetarët. Nisma Zinxhira Social Rise, është një model pozitiv sesi sjellja e shërbimit të fizioterapisë në Gjirokastër do të ndryshonte përditshmërinë jo pak personave.

Kjo histori ka në qendër Altinin*, që përballet prej një kohë të gjatë me një dëmtim ortopedik dhe një sëmundje kronike, gjendje që e kufizonte në çdo hap të përditshëm. Pavarësisht dëshirës për të kryer ecje të gjata, këto i shkaktonin lodhje e secila ditë ishte një sfidë. Ndjenja e pakënaqësisë me gjendjen fizike e mbante shpesh të izoluar dhe të demoralizuar, larg bashkëmoshatarëve të tij. Altini jeton në një zonë periferike të bashkisë Gjirokastër, duke ia bërë të vështirë qasjen në shërbime, për shkak të largësisë gjeografike dhe gjendjes së tij fizike. Për t`iu përgjigjur kësaj nevoje, nën sloganin “Shërbimet tek përfituesit”,  përmes njësisë lëvizëse, Altini u përfshi në programin e fizioterapisë. Ndërhyrja e personalizuar nga stafi i Qendrës Komunitare Zinxhira, e mbështetur nga programi “BE për Kujdesin Social”, i dha mundësinë të forconte muskujt, të përmirësonte përthyerjen e koordinimin, si dhe të mësonte të ruante drejtpeshimin gjatë ecjes. Çdo seancë ishte një hap i vogël drejt autonomisë, dhe udhëzimet për ushtrime të thjeshta në shtëpi i dhanë mundësinë të ndjente fuqinë e vetë-zotërimit fizik.

Me kalimin e kohës, ndryshimet u bënë të dukshme dhe frymëzuese. Ecja e gjatë nuk ishte më sfidë; lodhja u reduktua dhe qëndrimi trupor u stabilizua. Por përtej përfitimeve fizike, Altini fitoi diçka tjetër me po kaq vlerë: besimin. Besim se mund të vazhdojë përpjekjet e tij, se mund të jetë aktiv dhe i pavarur, dhe se shërbimet falas në derë të shtëpisë janë një mundësi e vërtetë për të ndryshuar jetën. Çdo hap i bërë me lehtësi ishte një fitore për të dhe një rikthim i ndjesisë së kontrollit mbi trupin e tij.

Rezultatet e arritura janë të qarta: përmirësim i lëvizshmërisë dhe qëndrueshmërisë, rritje e fleksibilitetit dhe energjisë për të kryer aktivitetet e përditshme me lehtësi. Por më e rëndësishmja, ai ka fituar vetëbesim dhe motivim për t’u kujdesur për trupin e tij dhe për të jetuar më aktivisht.

Historia e E.X. tregon se shërbimet e fizioterapisë në Gjirokastër tejkalojnë mbështetjen fizike – ato janë mundësi për përmirësimin e cilësisë së jetës, rifitimit të autonomisë dhe rritjes së angazhimit në komunitet.

Ky rast është dëshmi se mbështetja e vazhdueshme, shërbimet falas dhe krijimi i planeve të personalizuara, mund të ndryshojnë jetën e individëve dhe të frymëzojnë  personat e tjerë që ecin në të njëjtat rrugë të sfidave dhe shpresës!

Kjo histori sukesi u realizua si pjesë e projektit “Fuqizimi i Kapaciteteve të Qendrës Sociale Komunitare Zinxhira për të Ofruar Shërbime të Specializuara dhe Gjithëpërfshirëse për Komunitetet në Nevojë në Gjirokastër”, i zbatuar nga Bashkia Gjirokastër në partneritet me IRCA, si pjesë e programit “BE për Kujdesin Social”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNICEF Shqipëri dhe World Vision Albania, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

*Emri i personit është ndryshuar për të mbrojtur privatësinë e tyre.