Udhëzues për Prindërit me Fëmijë të Vegjël

Si të angazhoheni dhe të mbështesni fëmijët tuaj gjatë periudhës së pandemisë

23 Mars 2020
parenting
UNICEF/ALBANIA/2019

Ngjarjet e fundit si pasojë e epidemisë së koronavirusit 2019 (COVID-19), kanë ndryshuar realitetin e jetës së përditshme të shumë fëmijëve dhe prindërve. Rritja e numrit të familjeve që përballen me distancimin social, vetëkarantinimin, si dhe mbylljen e shkollave dhe të vendeve të punës, ka gjasë të shoqërohet me një ndjesi stresi. Niveli i stresit sa vjen dhe rritet jo vetëm për shkak të shqetësimeve për probleme shëndetësore, por edhe si pasojë e pranimit të realitetit të ri e të papritur të të qëndruarit në shtëpi për disa ditë radhazi me fëmijët, rutina e përditshme e të cilëve është ndikuar në mënyrë të konsiderueshme. Fëmijët mund ta kenë të vështirë të ndryshojnë ndjeshëm rutinën e tyre (p.sh.: mbyllja e shkollave dhe strukturave të kujdesit për fëmijët, distancimi social, izolimi në shtëpi), të cilat mund të cenojnë ndjesinë e tyre të strukturimit, parashikueshmërisë dhe sigurisë. Izolimi në shtëpi, mungesa e kontaktit dhe e argëtimit me bashkëmoshatarët e tyre, nxit ankthin te fëmijët. Ata mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shikojnë në internet ose në televizor, apo atë që dëgjojnë nga persona të tjerë. Për këtë arsye, ata mund të jenë veçanërisht të cenueshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe trishtimit. Pamundësia për lojëra dhe aktivitete në ambiente të jashtme, mund t’i bëjë ata të ndihen më nervozë dhe të irrituar, duke rritur kështu stresin e prindërve të tyre. 

Ky udhëzues mund t’ju ndihmojë të planifikoni dhe të krijoni disa ide mbi mënyrën se si të organizoni kohën, të bisedoni me fëmijët tuaj, si dhe t’i ndihmoni të zhvillohen edhe në këto rrethana.

Krijoni dhe ndiqni rutinat e përditshme

  • Krijoni një program ditor me fëmijën tuaj. Hartoni së bashku pjesët e programit dhe përcaktoni orarin gjatë të cilit do të zhvillohet çdo aktivitet
  • Programi duhet të jetë në përputhje me rutinën e përditshme të fëmijës në sistemin parashkollor përpara situatës aktuale (vaktet, koha e pushimit, e ngrënies dhe e fjetjes, kombinimi i ekuilibruar i aktiviteteve fizike dhe intelektuale, si dhe procesi i të nxënit)
  • Përfshini fëmijët në punë dhe aktivitete të përditshme shtëpiake duke përcaktuar detyrën ose rolin e tyre specifik (shtrimi i tavolinës, ujitja e luleve, palosja e rrobave të lara etj.)
  • Në program, përfshini aktivitete të rregullta ‘me të gjithë familjen’, si p.sh. të shijoni vakte të përbashkëta ose lojëra dhe aktivitete rekreative. Përpiquni të ndiqni program te rregullt pasi i ndihmon të vegjlit të ndihen të sigurtë dhe të mbrojtur.

Praktikoni vetëkujdesin

  • Lidhuni  me një mik apo mikeshe me ane te telefonatave ose përdorni kohën e qetë për t’u relaksuar dhe për të pushuar sado pak
  • Edhe prindërit janë qenie njerëzore; vetëkujdesi rrit aftësinë tuaj për të përballuar stresin, si dhe për t’u ofruar fëmijëve tuaj mbështetjen e duhur
  • Kushtojini kohë partnerit/partneres dhe mbështeteni njëri-tjetrin

Gjeni ide për lojëra dhe aktiviteteve të të nxënit

  • Bëni një listë me aktivitete në ambiente të brendshme që mund të praktikohen në përshtatje me rrethanat
  • Përfshijuni në aktivitete në ambiente të brendshme si p.sh. vallëzim, joga, ndërtimi i fortesave me jastëkë dhe kuti) me aktivitete që nuk kërkojnë lëvizje (vizatimi dhe ngjyrosja, tregimi i përrallave)

  • Lejojuni fëmijëve tuaj të zgjedhin aktivitetet që dëshirojnë të zhvillojnë dhe mos harroni se kohëzgjatja e përqendrimit të tyre është e shkurtër dhe mund ta humbasin shpejt interesin

  • Për fëmijët e moshës parashkollore nuk është më e rëndësishme zhvillimi i aftësive akademike, por ruajtja e një ambienti pozitiv dhe argëtues për të nxënit. Përvojat e këndshme, të tilla si të lexuarit së bashku, tregimi i përrallave dhe lojërat, janë mënyra argëtuese për të siguruar vazhdimësinë e të nxënit pa i stresuar fëmijët së tepërmi.  

 Koha dhe përmbajtja e duhur e mjeteve të komunikimit

  • Mbrojini fëmijët nga programe televizive/përmbajtje media të papërshtatshme, të cilat mund t’i sjellin shqetësim ose ankth. Kufizoni numrin e lajmeve rreth COVID-19 që shikoni bashkë në familje, në veçanti përpara fëmijëve të vegjël. Mos supozoni se ata nuk janë duke dëgjuar edhe nëse nuk po i ndjekin në mënyrë aktive
  • Përcaktoni kohën që fëmija juaj mund të shpenzojë përpara ekranit, parashikojeni në programin ditor dhe sigurohuni që përmbajtja të jetë e përshtatshme. Lënia e fëmijëve të vegjël vetëm përpara televizorit ose ekraneve digjitale për një periudhë të konsiderueshme kohore, mund të pengojë zhvillimin e tyre konjitiv dhe social dhe atë emocional
  • Fëmijët mund të mësojnë më mirë përmes ndërveprimit me njerëzit; shikoni emisione së bashku dhe diskutoni rreth përmbajtjes
  • Përdorni teknologjinë për të kompensuar distancimin social (Skype, Zoom, Whatsapp) dhe kontaktoni me miqtë dhe familjen

Praktikoni qasje pozitive të prindërimit

  • Izolimi i zgjatur në shtëpi ju jep mundësinë të forconi lidhjet me fëmijën tuaj përmes aktiviteteve dhe kohës së kaluar së bashku
  • Kini parasysh se kjo situatë është njëlloj e vështirë për fëmijët dhe se ata reagojnë sipas moshës dhe nivelit të tyre të zhvillimit. Përpiquni të keni pritshmëri reale nga fëmijët tuaj, të cilat do t’ju ndihmojnë të trajtoni në mënyrë konstruktive sjelljet e padëshiruara (qarjet e zgjatura, dhimbje barku, shpërthime inati, si dhe probleme me gjumin dhe me ushqimin etj.)
  • Kushtojini kohë partnerit/partneres, mbështeteni njëri-tjetrin dhe bëhuni modeli i sjelljes për fëmijët tuaj
  • Në rast të sjelljeve të padëshiruara, zbatoni metodat jo të dhunshme të disiplinës(tërheqja e vëmendjes, përqendrimi te gjërat pozitive, ristrukturimi i ambientit, ndërprerja e aktivitetit të dëshiruar, shpërblimi i sjelljes pozitive etj.)

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook