Gjithçka nis në familje
Si e formësojnë prindërit të ardhmen e Shqipërisë
- English
- Shqip
Çdo 20 nëntor, teksa bota feston Ditën Botërore të Fëmijëve, na rikujtohet premtimi që mishëron Konventa për të Drejtat e Fëmijës. Ajo riafirmon se çdo person nën moshën 18 vjeç është fëmijë dhe se çdo fëmijë ka të drejta, pa diskriminim dhe pa përjashtim. Është një premtim i bërë nga shtetet, por që merr jetë fillimisht në familje. Përpara se të takojë një mësues, punonjës social apo mjek, fëmija takon fillimisht prindin: shkollën e parë, mbrojtjen e parë dhe themelin e parë të kapitalit njerëzor.
Prindërimi është një akt personal me ndikim në shoqëri. Edhe pse prindërimi mund të jetë çështje private, ndikimi i tij shtrihet shumë përtej familjes. Mënyra se si një fëmijë dëgjohet, përqafohet dhe udhëhiqet ndikon në shëndetin, të nxënit, vetëbesimin dhe aftësinë e tij për të kontribuar në shoqëri. Edhe momentet e thjeshta kanë rëndësi: një bisedë gjatë mëngjesit, një përrallë para gjumit, një fjalë e ngrohtë pas një dështimi dhe një prind që lë mënjanë telefonin për të dëgjuar fëmijën. Prindërimi ndërtohet përmes veprimeve të përsëritura, me dashuri, qëllim dhe qëndrueshmëri. Ajo që përsërisim sot bëhet pjesë e asaj që fëmija do të mbajë me vete gjatë gjithë jetës.
Sa herë që një prind ngushëllon, mëson apo vendos kufij me mirësi, ai ndihmon në ndërtimin e vetëbesimit dhe qëndrueshmërisë emocionale të fëmijës. Prindërimi na ndryshon dhe njëkohësisht na mëson. Megjithatë, shumë nëna dhe baballarë ndihen të papërgatitur për këtë përgjegjësi. Ne studiojmë shumë lëndë, si historinë, shkencën dhe inxhinierinë, por rrallëherë mësojmë se si të jemi prindër me besim te vetja.
Por prindërit nuk kanë nevojë të jenë të përsosur; kanë nevojë për mbështetje. Ata kanë nevojë për udhëzime praktike se si të flasin, të dëgjojnë, të lexojnë dhe të luajnë me fëmijët e tyre; si të krijojnë rutina, të tregojnë dashuri dhe të vendosin kufij; si të orientojnë sjelljen përmes disiplinës pozitive; dhe si të kërkojnë ndihmë kur është e nevojshme. Mbështetja duhet t'i përshtatet çdo situate, duke marrë parasysh moshën, aftësinë e kufizuar, të ardhurat, statusin e migracionit dhe rrethana të tjera.
Por sot, prindërimi shtrihet edhe në botën online. Fëmijët kanë nevojë për të rritur që tregojnë interes për botën e tyre dixhitale, i ndihmojnë të dallojnë rreziqe si bullizmi kibernetik apo manipulimi dhe vendosin kufij të arsyeshëm pa cënuar besimin. Siguria dixhitale nënkupton pajisjen e fëmijëve me aftësitë për të përdorur teknologjinë me besim, dhe jo thjesht kufizimin e aksesit në të.
Prindërimi nuk është kurrë një rrugëtim që bëhet i vetëm. Baballarët kanë rëndësi. Punëdhënësit kanë rëndësi. Komunitetet, shkollat dhe bashkitë kanë rëndësi. Mbështetja e prindërve është një përgjegjësi e përbashkët shoqërore.
Kur themi se prindërit ndërtojnë të ardhmen e vendit tonë, duhet ta mbështesim këtë angazhim me sisteme që u qëndrojnë pranë. Familjet kanë nevojë për shërbime shëndetësore të aksesueshme, kujdes për fëmijët, arsim të hershëm, vende pune që marrin parasysh nevojat e familjes, leje prindërore fleksibël, shkolla që u përgjigjen nevojave të fëmijëve dhe shërbime sociale që ndërhyjnë përpara se të lindë një krizë.
Pikërisht këtë po ndërtojnë partnerët dhe UNICEF-i në të gjithë Shqipërinë. Ne po i afrojmë shërbimet pranë familjeve përmes qendrave komunitare, ekipeve të lëvizshme, kurseve për prindër dhe mbështetjes psikosociale. Mësimi është i qartë: familjet lulëzojnë kur shërbimet vendore, financimi nga bashkitë, punonjësit socialë të trajnuar dhe politikat kombëtare funksionojnë së bashku. Një seancë e vetme për prindërimin mund të ndihmojë një familje, por një sistem i mirëkoordinuar mund të ndryshojë të ardhmen e një brezi.
Këto histori mbështetjeje na kujtojnë fuqinë transformuese të përkujdesjes për familjen. Në Durrës, motrat Alesia dhe Ana u rritën nën kujdesin e një gjysheje të përkushtuar. Dashuria e saj ishte e madhe, por familja kishte nevojë edhe për këshillim dhe mbështetje psikologjike për të përballuar sfidat me të cilat përballej. Falë përpjekjeve të përbashkëta të familjes së gjerë dhe shërbimeve profesionale, vajzat ruajtën lidhjen me rrënjët e tyre familjare dhe u rritën në një mjedis më të sigurt dhe më mbështetës. Familjet janë shpesh vija e parë e mbrojtjes për fëmijët, por nuk duhet të përballen kurrë të vetme me sfidat. Në Korçë, një foshnjë e porsalindur, e lënë dikur pa përkujdesje, gjeti një familje të re falë përpjekjeve të përbashkëta të shërbimeve sociale, gjykatave dhe ekipeve të bashkisë. Ajo që nisi si një histori braktisjeje u kthye në një histori përkatësie.
Kështu duket një sistem i fortë i mbrojtjes së fëmijëve, i ndërtuar mbi ndërhyrjen e hershme dhe përgjegjësinë e përbashkët.
Ndërsa Shqipëria ecën përpara drejt Bashkimit Evropian, Garancia Evropiane për Fëmijët dhe Garancia Rinore ofrojnë një rrugëtim të ndërlidhur nga fëmijëria drejt moshës madhore. Garancia për Fëmijët synon të sigurojë që fëmijët dhe familjet që përballen me pengesat më të mëdha, përfshirë varfërinë, aftësinë e kufizuar dhe vështirësitë që lidhen me jetesën në zonat rurale, të kenë akses në arsim cilësor, kujdes shëndetësor, ushqyerje, strehim dhe mbështetje për familjen. Garancia Rinore më pas mbron këtë investim, duke i lidhur të rinjtë, veçanërisht ata që nuk janë në arsim apo punësim, me mundësi arsimimi, zhvillimi të aftësive dhe punësimi cilësor. Prindërit ndezin ëndrrat e fëmijëve; mësuesit dhe punonjësit socialë i ndihmojnë ato të marrin formë.
Së bashku, këto dy garanci krijojnë një vazhdimësi të zhvillimit të kapitalit njerëzor, nga rritja e fëmijës deri te punësimi i tij i parë. Institucionet duhet të punojnë për të mbyllur boshllëqet, ndërsa familjet nuk duhet të mbajnë të vetme gjithë barrën. Fëmijët duhet të jenë prioritet si në politika, ashtu edhe në buxhete, të udhëhequra nga këto garanci dhe nga procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Shqipëria ka themele të forta: një kuadër ligjor të konsoliduar, institucione me kapacitete, profesionistë të përkushtuar, shoqëri civile aktive dhe partneritete të forta evropiane. Por përparimi matet në fund të fundit jo me numrin e takimeve të zhvilluara apo raporteve të përgatitura, por me ndryshimet në jetën e njerëzve: një prind që merr mbështetjen në kohën e duhur, një fëmijë që është i sigurt dhe zhvillohet në një familje, dhe një i ri që lidhet me një mundësi që i jep kuptim të ardhmes së tij.
Muajt mes Ditës Botërore të Fëmijëve dhe Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve ofrojnë një mundësi për të përshpejtuar zbatimin e Garancisë për Fëmijët, për ta ndërlidhur atë me Garancinë Rinore, për të forcuar shërbimet e mbështetjes për prindërit, për të investuar te punonjësit e shërbimeve sociale, për të zgjeruar qendrat komunitare dhe për të dëgjuar prindërit dhe fëmijët për atë që funksionon. Ashtu si prindërit i formësojnë fëmijët përmes veprimeve të përsëritura, edhe institucionet e ndërtojnë besimin në të njëjtën mënyrë. Një prind që dëgjon, një mësues që inkurajon, një punonjës social që ndjek rastin dhe një vendim buxhetor që investon te familjet, asnjëra prej tyre e vetme nuk mund ta transformojë një vend, por së bashku, përmes përpjekjeve të vazhdueshme, mund ta bëjnë këtë.
Teksa shënojmë 80-vjetorin e UNICEF-it dhe Ditën Botërore të Fëmijëve, na kujtohet të vlerësojmë prindërit për gjithçka bëjnë çdo ditë: janë pranë fëmijëve, i dëgjojnë, i udhëheqin, i mbrojnë dhe besojnë tek ata. Kur prindërit ndihen të mbështetur, fëmijët ndihen të sigurt brenda një familjeje të mbushur me dashuri.