Tavolina e bilardos në Institucionin e Kavajës

Si duket rehabilitimi nga afër

UNICEF Albania
billiard table built with different materials at minors' institution in Kavaja
UNICEF Albania/2026/Broshka
04 Shtator 2026

Një delegacion i UNICEF-it vizitoi së fundmi Institucionin e të Miturve në Kavajë, ku aktualisht qëndrojnë njëzet fëmijë në konflikt me ligjin.

Fëmijët dëshironin t’u tregonin vizitorëve se si e kalojnë ditën – të njiheshin jo për gabimin që kanë bërë, por për atë që po ndërtojnë për të ardhmen e tyre. Ndër gjërat për të cilat ishin më krenarë të tregonin ishin aftësitë e tyre në zdrukthtari, saldim dhe bujqësi; produktet që kishin krijuar përmes programit UPSHIFT të UNICEF, për forcimin e aftësive të tyre sipërmarrëse; njohuritë e mira të gjuhës angleze, të zhvilluara përmes mësimeve dhe programit të gjuhëve Akelius të UNICEF; çmimi i vendit të dytë që kishin fituar në panairin kombëtar të shkencës; si dhe përmirësimi i rezultateve të tyre në shkollë dhe aspiratat për të vazhduar studimet universitare.

a book and two hands holding it

Teksa përshkonim mjediset e institucionit, tingulli që tërhiqte më shumë vëmendjen nuk ishte heshtja tipike e një vendi të krijuar për të kufizuar lirinë. Ishte tingulli i goditjes së topit të bilardos. Për habinë tonë, aty gjetëm një tavolinë bilardoje të ndërtuar tërësisht nga vetë fëmijët, duke përdorur materiale që institucioni ose bizneset përreth, në kushte të tjera, do t’i kishin hedhur. Këmbët e karrigeve ishin ripërdorur si këmbë tavoline; bishtat e vjetër të leckave ishin kthyer në steka bilardoje; kutitë e sheshuara të picave ishin shndërruar në një tunel funksional për topat; ndërsa topat e vjetër të pingpongut ishin mbushur me sheqer dhe ngrirë derisa të bëheshin mjaftueshëm të fortë për t’u përdorur siç duhet.

Krijimtaria dhe zgjuarsia që shfaqej aty ishte mbresëlënëse. Këta fëmijë kishin shndërruar atë që të tjerët e shihnin si mbetje në diçka me qëllim dhe që u sillte kënaqësi – një kujtesë se vlera dhe potenciali shpesh gjenden aty ku njerëzit nuk i presin. Ashtu si materialet e hedhura që ata ripërdorën, fëmijët në konflikt me ligjin shumë shpesh përcaktohen nga ajo që shoqëria i sheh si mangësi të tyre, në vend që të vlerësohen për talentet, qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tyre për të kontribuar kur u jepet mundësia.

Askush nuk e ndërtoi këtë tavolinë për ta. Asgjë nuk iu dha e gatshme. Ajo ishte rezultat i duarve, krijimtarisë dhe zgjuarsisë së tyre.

Zëvendësdrejtorja e Përgjithshme, Lindjana Laçi, dhe Drejtorja e Institutit të të Miturve në Kavajë, Marinela Alia, të cilat shoqëruan delegacionin gjatë gjithë vizitës, shpjeguan modelin e përdorur në Kavajë.

electrical circuit creation

“Ne nuk e drejtojmë këtë qendër si një vend ndëshkimi, por si një vend rehabilitimi. Çdo fëmijë këtu punon çdo ditë me një psikolog, një punonjës social dhe një edukator. Qëllimi ynë nuk është t’i mbajmë këtu deri në përfundimin e dënimit. Qëllimi ynë është të sigurojmë që ata të lirohen sa më herët që të jetë e mundur dhe që, kur të largohen, të jenë të gatshëm të bëhen anëtarë konstruktivë dhe produktivë të komuniteteve të tyre. Tavolina e bilardos dhe shumë prej sendeve që gjenden këtu janë krijuar nga vetë fëmijët. Ajo që bëmë ne ishte t’u jepnim hapësirë, besim dhe inkurajim. Kjo është filozofia e këtij vendi"

Marinela Alia - Director of the Kavaja Institute for Juveniles
a small red cupboard with working helmets and working tools

Grace Agcaoili, Specialiste e UNICEF-it për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë Qendrës së Ekselencës në Aman, e cila ishte e pranishme gjatë vizitës, reflektoi mbi rëndësinë e saj në kontekstin më të gjerë të agjendës së reformës së drejtësisë në Shqipëri.

“Jam e lehtësuar që Instituti i të Miturve në Kavajë ka arritur, gjatë viteve të fundit, të ulë ndjeshëm numrin e fëmijëve të privuar nga liria. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës dhe procesi i anëtarësimit në BE e bëjnë të qartë se privimi i lirisë është i dëmshëm për fëmijët. Kur ai ende zbatohet në kuadër të legjislacionit aktual, duhet të ketë karakter rehabilitues dhe restaurues, jo ndëshkues. Ajo që ky institucion dhe stafi i tij i përkushtuar kanë arritur të ndërtojnë, edhe përballë rasteve të vështira, tregon se çfarë është e mundur kur ekipeve multidisiplinare u jepet mandati për të punuar ndryshe. Ideali do të ishte që fëmijët ta merrnin këtë mbështetje ndërkohë që janë ende në komunitetin e tyre dhe që shmangia nga procedimi penal dhe masat alternative ndaj privimit të lirisë të ishin zgjedhja e parë”

Grace Agcaoili - UNICEF Child Protection Specialist - Center of Excellence in Amman
Hands planting a plant

Mes fëmijëve që shoqëruan delegacionin e UNICEF-it gjatë vizitës në institucion ishte edhe një djalë 16-vjeçar, të cilin do ta quajmë *Keli. Ai mezi priste të na ndihmonte si përkthyes dhe fliste anglisht në mënyrë të shkëlqyer.

“Dua që njerëzit ta dinë se ne nuk rrimë thjesht këtu duke pritur që koha të kalojë. Ne e ndërtuam vetë atë tavolinë bilardoje dhe shumicën e gjërave që ndodhen këtu; askush nuk na i dha të gatshme. Kur të dal nga këtu, dua të studioj inxhinieri dhe të vazhdoj biznesin e ndërtimit të babait tim. Nuk po i kërkojmë askujt të harrojë atë që ka ndodhur. Po kërkojmë një mundësi të dytë për t’u bërë dikush.”

*Keli
a painting on the wall of two hands opening the wall
UNICEF Albania/2026/Broshka

Tavolina e bilardos është një objekt i vogël, i ndërtuar nga materiale të riciklueshme. Megjithatë, ajo është dëshmi e diçkaje shumë më të madhe: edhe në rastet më të vështira, kur tundimi për të anashkaluar një fëmijë që ka kryer një vepër penale është më i madh, një qasje multidisiplinare dhe restauruese ndaj drejtësisë mund të nxisë krijimtarinë, përgjegjësinë dhe shpresën për një të ardhme ndryshe.

UNICEF po mbështet Qeverinë e Shqipërisë në hartimin e Strategjisë së re për Drejtësinë për Fëmijët 2027–2030. Duke u mbështetur në arritjet dhe sfidat e strategjive të mëparshme, UNICEF është i gatshëm të vijojë mbështetjen për përpjekjet e Shqipërisë për të promovuar shmangien e fëmijëve në konflikt me ligjin nga procedimet penale dhe përdorimin e masave alternative ndaj privimit të lirisë, si dhe për mbrojtjen e fëmijëve viktima dhe dëshmitarë të veprave penale, në përputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, standardet e BE-së dhe Agjendën e UNICEF-it “Reimagine Justice for Children”.

*emri është ndërruar për të ruajtur konfidencialitetin e përfituesit të shërbimeve