Mbrojtja e fëmijëve, prioritet i Kuvendit
Konstituohet grupi vullnetar parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”
Tiranë, Shqipëri - 10 Dhjetor 2025 - Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja për konstituimin e Grupit Parlamentar Vullnetar “Miqtë e Fëmijëve”, një nga mekanizmat më aktivë të angazhuar në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe forcimin e rolit mbikëqyrës të parlamentit në këtë fushë.
Në takim morën pjesë deputetë nga të gjitha grupet parlamentare, përfaqësues të UNICEF-it, të kryesuar nga z. Murat Sahin, si dhe të rinj nga Bordi Këshillimor i Adoleshentëve të UNICEF Albania.
Kryetari i Kuvendit, në cilësinë e drejtuesit të këtij grupi, theksoi se konstituimi i Grupit “Miqtë e Fëmijëve” nuk është thjesht një procedurë formale, por një angazhim institucional i fortë për ta vendosur mirëqenien e fëmijëve në qendër të ligjbërjes dhe politikëbërjes.
Ai nënvizoi se çdo vendim që merren në Kuvend ka ndikim të drejtpërdrejtë mbi fëmijët dhe se Kuvendi ka përgjegjësinë të miratojë ligje, të ushtrojë kontroll parlamentar efektiv dhe të sigurojë prioritete buxhetore që mbështesin realisht të drejtat e tyre.
Kryetari Peleshi u ndal edhe te sfidat e reja me të cilat përballen fëmijët sot, duke përmendur teknologjinë, kanalet e reja të komunikimit dhe rreziqet prej zhvillimeve të shpejta digjitale. Ai theksoi se përballimi i këtyre sfidave kërkon dialog, konsensus dhe standarde të matshme, veçanërisht në fusha si parandalimi i dhunës, aksesi i barabartë në arsim e shërbime si dhe mbrojtje në mjedisin digjital.
Z. Sahin u shpreh: "Roli juaj udhëheqës mbart një ndikim të madh. Nëse i ngrini çështjet problematike të fëmijëve në debatet parlamentare, në proceset e shqyrtimit të Ligjeve si dhe në dialogun me zonat tuaja zgjedhore, ju bëni të mundur që nevojat dhe interesat e fëmijëve, sidomos të atyre që priren të anashkalohen, të pasqyrohen nëpër Ligje, buxhete dhe fushat prioritare të zhvillimit local. Roli juaj advokues përbën urën ndërlidhëse mes angazhimeve kombëtare dhe realitetit të përditshëm me të cilin ndeshen fëmijët dhe familjet në komunitetet tuaja."
Në mbledhje u prezantuan edhe tre nënkryetaret e reja të Grupit, znj. Bora Muzhaqi, znj. Ina Zhupa dhe znj. Erisa Xhixho, të cilat do të bashkëdrejtojnë veprimtarinë dhe nismat e Grupit.
Pjesëmarrësit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë me UNICEF-in dhe rolin e tij si partner kyç në mbështetjen e nismave parlamentare për fëmijët.
Kuvendi riafirmoi angazhimin për ta bërë Grupin “Miqtë e Fëmijëve” një instrument të qëndrueshëm, aktiv dhe funksional në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri, duke u bërë një “sy i kujdesshëm” dhe një zë i vazhdueshëm për brezin e ardhshëm.
Kontakte me mediat
About UNICEF
UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.
For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.