Dinjiteti i njeriut është e drejtë themelore.

17 Shkurt 2024
Lezha cover
UNICEF/ALBANIA/2024

Tiranë, 17 shkurt 2024- Në kuadër të Strategjisë së sapomiratuar për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit, Qeveria e Shqipërisë angazhohet për herë të parë për të organizuar javën e ndërgjegjësimit kushtuar mbrojtjes së viktimave të krimit (15-22 shkurt).

Me mbështetjen e UNICEF-it, Ministri i Drejtësisë e solli fushatën në Lezhë. Financuar nga qeveria amerikane përmes Fondeve të Byrosë për Popullsinë, Refugjatët dhe Migracionin (BPRM), UNICEF-i dhe partneri i saj zbatues "Sot për të Ardhmen" po ndihmojnë autoritetet e drejtësisë dhe ato të përkujdesjes në Lezhë dhe Shkodër, për të krijuar një sistem drejtësie miqësor me fëmijët, në trajtimin e rasteve të fëmijëve viktima dhe dëshmitarë të krimit, ose atyre në konflikt me ligjin.

Vendosja e theksit te mbrojtja e viktimave të krimit ofron mundësinë për ndërgjegjësimin e publikut lidhur me mbështetjen që u nevojitet veçanërisht fëmijëve dhe grave për të kapërcyer paragjykimet, për të përfituar nga sistemi i drejtësisë dhe shërbimet, si dhe për t’u integruar ose riintegruar me sukses dhe në mënyrë të sigurt në shoqëri.

Java e ndërgjegjësimit organizohet në përpjekje për të tërhequr vëmendjen dhe për të theksuar rëndësinë e përdorimit të një qasjeje bashkëpunuese ndërinstitucionale, që vendos në qendër viktimat dhe nevojat e tyre të shumanshme, nga të gjitha autoritetet publike, duke filluar nga organet ligjzbatuese dhe ato të drejtësisë, e deri te sektorët e kujdesit dhe mirëqenies të përfshirë në trajtimin e këtyre rasteve. Kjo nismë synon, gjithashtu, të informojë qytetarët për Strategjinë e parë për Mbrojtjen e Viktimave të Krimit 2024-2030.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, rikonfirmoi se prioriteti i drejtësisë miqësore me fëmijët, si dhe i nje drejtësie që e vendos viktimën në qendër, është një objektiv madhor për vendin. Ai u kërkoi autoriteteve publike të vendit, shoqërisë civile dhe shoqërise të bashkohen në përpjekjet kombëtare drejt një shoqërie më të sigurt, më gjithëpërfshirëse dhe paqësore.

Në fjalën e tij, Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, i shprehu mirënjohjen Ministrisë së Drejtësisë për kryesimin e nismës dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërdisiplinor, veçanërisht në lidhje me viktimat e krimit, posaçërisht fëmijët.

Për të nxitur përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve gjatë kësaj jave sensibilizuese, një grup artistësh të rinj të specializuar në teatrin social dhanë një shfaqje teatrale, ndërsa anëtarë të ndryshëm të komunitetit kontribuuan në pikturën murale që iu kushtua mbrojtjes së viktimave të krimit.

UNICEF dhe Qendra Komunitare “Sot për të Ardhmen” do të vazhdojnë të mbështesin Ministrinë e Drejtësisë dhe autoritetet publike në Lezhë dhe Shkodër, për të çuar përpara qasjen e barabartë në drejtësi për çdo fëmijë në vend, veçanërisht fëmijët viktima të trafikimit, dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook