Partnerët globalë njoftojnë për një përpjekje të re – “The Big Catch-up” – për të vaksinuar miliona fëmijë dhe për të rikthyer përparimin e imunizimit të humbur gjatë pandemisë

Vaksinat funksionojne

26 Prill 2023

Gjenevë/Nju Jork/Seattle, 24 Prill 2023 – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh), UNICEF-i, GAVI, Aleanca e Vaksinave, dhe Fondacioni Bill & Melinda Gates, së bashku me Agjendën e Imunizimit 2030 dhe shumë partnerë globalë dhe kombëtarë në fushën e  shëndetësisë, po bashkojnë sot forcat që të bëjnë thirrje për "Big Catch-up"-in, një përpjekje globale që synon të nxisë vaksinimin te fëmijët pas pakësimit të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

 Kjo nismë synon të përmbysë pakësimin e vaksinimit në fëmijëri që shënohet në mbi 100 vende që nga rënia e pandemisë, për shkak të ngarkesës së shërbimeve shëndetësore, klinikave të mbyllura dhe importeve dhe eksporteve të ndërprera të flakoneve të vaksinave, shiringave dhe pajisjeve të tjera mjekësore.

Ndërkohë, komunitetet dhe familjet përjetuan mbyllje, kufizime udhëtimi dhe akses të kufizuar në shërbime. Edhe burimet njerëzore dhe financiare u kufizuan bashkë me aksesin te shërbimet mjekësore, për shkak të reagimit ndaj emergjencës. Edhe vështirësitë e vazhdueshme si konfliktet, krizat klimatike dhe dyshimi te vaksinat kontribuuan për uljen e normave të mbulimit.

 Duke qenë se vetëm në vitin 2021, mbi 25 milionë fëmijë lanë pa bërë të paktën një vaksinë, po bëhen përherë e më të shtuara e të ashpra përhapjet e sëmundjeve të parandalueshme, si fruthi, difteria, poliomeliti dhe verdhëza. Big Catch-up-i synon të mbrojë popullatat nga sëmundjet e parandalueshme prej vaksinave, të shpëtojë jetët e fëmijëve dhe të forcojë sistemet shëndetësore kombëtare.

Big Catch-up-i, jo vetëm që u bën thirrje njerëzve dhe qeverive të çdo vendi që të japin kontribut për të ndihmuar me arritjen e mbulimit me vaksina të fëmijëve që nuk i kanë bërë ato, por do të përqendrohet në veçanti në 20 shtete ku jetojnë tri të katërtat e fëmijëve që nuk janë vaksinuar gjatë 2021-shit*.

 

Edhe pse nivelet e mbulimit global kanë rënë, ka pasur gjithsesi pika të veçanta që janë dalluar për qëndrueshmëri. Për shembull, raportet e hershme tregojnë se India ka pasur rimëkëmbje të fortë të imunizimit bazë në 2022, ndërsa Uganda i ruajti nivelet e larta të mbulimit edhe gjatë pandemisë. Disa shtete kanë pasur sukses edhe për arritjen e grupeve në situata të cenueshme. Në Kenia, për shembull, bashkëpunimi me punonjësit e shëndetësisë në komunitet dhe me udhëheqësit lokalë i ka përmirësuar nivelet e imunizimit mes popullatave nomade në veri të vendit.

Për të siguruar progresin e imunizimit në fëmijëri, partnerët po punojnë me shtetet e ndryshme për ta forcuar fuqinë punëtore në sektorin e kujdesit shëndetësor, për të përmirësuar ofrimin e shërbimit shëndetësor, për të shtuar besimin dhe kërkesën e komuniteteve për vaksina dhe për të trajtuar zbrazëtitë dhe pengesat për rimëkëmbjen e imunizimit. Përveç trajtimit të prapambetjes së mbulimit me imunizim në fëmijëri, nevojiten përpjekje shumë të shtuara për t’u prezantuar adoleshentëve vaksinën e papillomavirusit njerëzor (HPV), për parandalimin e kancerit të mitrës, sidomos në vende me të ardhura të mesme e të ulëta ku vështirësia është më e lartë.

 Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha: „Milionë fëmijë dhe adoleshentë, sidomos në vende me të ardhura të pakta, kanë lënë pa bërë vaksina jetë-shpëtuese, ndërkohë që është rritur përhapja e këtyre sëmundjeve vdekjeprurëse. OBSh-ja po mbështet dhjetëra shtete për të rikthyer imunizimin dhe shërbimet thelbësore shëndetësore. Trajtimi i prapambetjes është prioriteti më i lartë. Asnjë fëmijë nuk duhet të vdesë nga sëmundjet e parandalueshme prej vaksinave.“

 “Vaksinat rutinë janë zakonisht takimi i parë i fëmijës me sistemin shëndetësor të vendit të tyre dhe kësisoj, fëmijët që i lënë pa bërë vaksinat e tyre të hershme ndodhen në risk të shtuar për të mbetur jashtë kujdesit shëndetësor në terma afatgjatë,“ tha Drejtori Ekzekutiv i UNICEF-it, Catherine Russell. „Sa më shumë që vonohemi për t’i arritur dhe vaksinuar këta fëmijë, aq më të cenueshëm bëhen ata dhe aq më i madh bëhet risku i përhapjes së sëmundjeve vdekjeprurëse. Shtetet, partnerët globalë dhe komunitetet lokale duhet të bashkohen për t’i forcuar shërbimet, për të rikthyer besimin dhe për të shpëtuar jetë.“

“Nuk duhet të lejojmë që trashëgimia e pandemisë të zhbëjë shumë vite pune që mbrojtën fëmijë të panumërt nga sëmundje të parandalueshme vdekjeprurëse,“ tha Dr. Seth Berkley, CEO i GAVI-t, Aleanca për Vaksinën. „Partnerët globalë të shëndetit, duke bashkëpunuar me qeveritë dhe komunitetet, duhet të bëjnë gjithçka munden për të mbrojtur jetën e çdo fëmije.“

“Vaksinat janë një triumf shëndetësor publik,“ tha Dr. Chris Elias, president i Zhvillimit Global në Fondacionin Bill dhe Melinda Gates. “Progresi i jashtëzakonshëm që është bërë kundër poliomelitit dhe uljes së incidencës së sëmundjeve infektive është rezultat direkt i mijëra partnerëve globalë dhe punonjësve lokalë të shëndetësisë, që kanë punuar me përkushtim për të imunizuar miliona fëmijë. Duhet të dyfishojmë përpjekjet për t’i arritur të gjithë fëmijët me vaksinat që u nevojiten për të jetuar jetë të shëndetshme dhe për të garantuar që brezat e ardhshëm do të jetojnë të lirë nga sëmundjet e parandalueshme si poliomeliti.”

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

About UNICEF

UNICEF promotes the rights and wellbeing of every child, in everything we do. Together with our partners, we work in 190 countries and territories to translate that commitment into practical action, focusing special effort on reaching the most vulnerable and excluded children, to the benefit of all children, everywhere.

For more information about UNICEF and its work for children, visit www.unicef.org/albania.

Follow UNICEF Albania on YouTube, Instagram and Facebook