Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqëritë e Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) publikuan sot udhëzimin e ri që i vjen në ndihmë mbrojtjes së fëmijëve dhe shkollave nga transmetimi i virusit COVID-19.

11 Mars 2020
poster
UNICEF/ALBANIA

GJENEVË/NJU JORK, 10 mars 2020 – Federata Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq dhe Shoqëritë e Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC), UNICEF dhe Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) publikuan sot udhëzimin e ri që i vjen në ndihmë mbrojtjes së fëmijëve dhe shkollave nga transmetimi i virusit COVID-19. Udhëzimi përmban parashtrime kritike dhe lista kontrolli praktike për ruajtjen e sigurisë në shkolla. Ai i jep këshilla autoriteteve kombëtare dhe vendore rreth mënyrës se si t’i përshtatin dhe zbatojnë planet e emergjencës për strukturat arsimore.

Në rast të mbylljes së shkollave, udhëzimi jep disa rekomandime për zbutjen e ndikimeve negative të mundshme te të nxënit dhe mirëqenia e fëmijëve. Kjo do të thotë se duhet të kemi plane të konsoliduara për të siguruar vijimësinë e të nxënit, duke përfshirë edhe mundësitë e të nxënit në distancë si p.sh strategjitë e arsimimit përmes internetit dhe transmetimeve radiofonike të përmbajtjes akademike, apo aksesin në shërbime jetike për të gjithë fëmijët.  Këto plane duhet të përfshijnë edhe hapat e nevojshëm për rihapjen e sigurt të shkollave.

Në rast se shkollat qëndrojnë të hapura, për të siguruar mbrojtjen dhe informimin e fëmijëve dhe familjeve të tyre, udhëzimi bën thirrje që:

  • fëmijët të informohen se si të mbrojnë veten;
  • të promovohet praktika e larjes së duarve dhe mbajtjes së higjienës, si dhe ofrimi i artikujve higjienikë.
  • të pastrohen dhe dezinfektohen shkollat, veçanërisht objektet e ujësjellës-kanalizimeve; dhe
  • të promovohet ajrosja dhe ventilimi i ambienteve.

Udhëzimi, ndonëse specifik për vendet që e kanë konfirmuar tashmë përhapjen e virusit COVID-19, gjen zbatim edhe për vende të tjera. Arsimi mund t’i inkurajojë nxënësit që të advokojnë për parandalimin e sëmundjes dhe kontrollin e saj në shtëpi, shkollë dhe komunitet, duke diskutuar me të tjerët rreth mënyrës së parandalimit të përhapjes së viruseve. Operimi i sigurt i shkollave dhe rihapja e tyre kërkon kujdes të veçantë, po nëse realizohen siç duhet, mund të promovojnë shëndetin publik.

Për shembull, udhëzimet për shkollat e sigurta që u zbatuan në Guine, Liberi dhe Sierra Leone gjatë shpërthimit të sëmundjes së Ebolës për periudhën 2014-2016 ndihmuan në parandalimin e transmetimit me bazë shkollën të këtij virusi.

UNICEF i nxit shkollat, qofshin të hapura apo funksionale përmes të nxënit në distancë, që t’i ofrojë nxënësve mbështetje të gjithanshme. Shkollat duhet t’iu ofrojnë fëmijëve informacion jetik për larjen e duarve dhe masa të tjera për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe familjet; për të lehtësuar mbështetjen e ofruar për shëndetin mendor; si dhe për të parandaluar stigmatizimin dhe diskriminimin, duke i inkurajuar nxënësit që të tregohen të dashur ndaj njëri-tjetrit dhe të shmangin stereotipat në diskutimet e tyre rreth virusit.

Udhëzimi i ri përmban këshilla dhe lista kontrolli të dobishme për prindërit dhe kujdestarët, si dhe vetë fëmijët dhe nxënësit. Veprimet e rekomanduara përfshijnë:

  • Mbikëqyrjen e shëndetit të fëmijës dhe qëndrimin e tyre në shtëpi duke mos i dërguar në shkollë nëse janë sëmurë;
  • Inkurajimin e fëmijëve për të bërë pyetje dhe shprehur shqetësimet e tyre; dhe

Kollitjen apo teshtitjen në shami letre apo në cepin e bërrylit, si dhe shmangien e prekjes së fytyrës, syve, gojës dhe hundës.
 

Shkarkoni udhëzuesin: https://uni.cf/33hxaSd

 


 

Kontakte me mediat

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org/albania.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook