Imunizimi është një nga investimet e shëndetit publik më të suksesshme dhe me kosto efektive që ne mund të bëjmë për brezat e ardhshëm

25 Prill 2016

Tiranë, 25 prill 2016 – Java Botërore e Imunizimit organizohet çdo vit në fund të muajit prill për të promovuar përdorimin e vaksinave që shpëtojnë jetë për të gjithë fëmijët – veçanërisht për ata që janë vazhdimisht të përjashtuar. Ky aktivitet organizohet nga UNICEF, partnerët për imunizimin, qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile kudo në botë.

Për botimin e këtij viti të Javës Botërore të Imunizimit, UNICEF do të përqendrohet te fëmijët e imunizuar në situata apo zona të konfliktit. Të gjithë fëmijët, pavarësisht vendit ku ata jetojnë apo rrethanave ku ata ndodhen, kanë të drejtën të mbijetojnë dhe të zhvillohen. Fëmijët e prekur nga konfliktet janë ndër grupet që kanë më shumë gjasa që kjo e drejtë t’u mohohet. Pothuajse dy të tretat e fëmijëve të pavaksinuar jetojnë në shtetet e prekura nga konfliktet.

Në Shqipëri, programi i imunizimit është ndër ndërhyrjet më të konsoliduara të shëndetit publik falë angazhimit të madh të qeverisë. Megjithatë, arritjet e programit të imunizimit nuk duhet të merren për të mirëqena. Përpjekjet e qëndrueshme nevojiten për të trajtuar pabarazitë në mbulimin e imunizimit, për t’iu dhënë prioritet grupeve të popullatave që janë të vështira për t’u arritur, përfshirë fëmijët Romë, dhe për të përforcuar besimin publik te imunizimi.

Fëmijët e pavaksinuar janë të privuar në nivele të shumta, përfshirë aksesin në arsim, ushqyerjen e përshtatshme dhe shërbime të tjera shëndetësore jetike. Në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre më të pasur, fëmijët nga familjet e varfra në shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë dy herë më shumë gjasa që të vdesin para moshës pesë vjeçare.

Në Shqipëri, mbulimi me vaksinim i fëmijëve të moshës 0-14 vjeç, mbetet jashtëzakonisht i lartë në nivelin 97 për qind; megjithatë, përqindjet e imunizimit ndërmjet fëmijëve Romë janë ende të ulëta.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri financon 100 për qind të programit për prokurimin e vaksinave dhe zgjerimin e programit të imunizimit me vaksina të reja në mënyrë të vazhdueshme. UNICEF-i në Shqipëri ka qenë një partner i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, duke mbështetur përpjekjet e Qeverisë Shqiptare në forcimin e shërbimeve kombëtare të imunizimit, zhdukjen e poliomielitit (Shqipëria është shpallur vend pa prani të poliomielitit që prej vitit 2002), aktivitetet për eliminimin e fruthit, komunikimin për imunizimin, dhe forcimin e sistemit vendor për zinxhirin e medikamenteve me temperaturë të kontrolluar.     

Ka rëndësi të veçantë që të përmendim se UNICEF-i është blerësi më i madh i vaksinave duke mbuluar 40 për qind të fëmijëve në botë. Përgjatë viteve, UNICEF-i ka mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë me shërbime të prokurimit të vaksinave. 

Kontaktet e medias

Anila Miria
Përgjegjëse për Marrëdhëniet me Publikun
UNICEF
Tel: +35569 20 29 021
Tel: +35569 20 24 185

Rreth UNICEF-it

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmijë gjatë të gjitha veprimtarive të tij. Së bashku me partnerët tanë, ne punojmë në 190 vende dhe territore për ta përkthyer këtë angazhim në veprime konkrete, duke bërë përpjekje të veçanta për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, në mënyrë që të gjithë fëmijët kudo që janë të mund të përfitojnë.

Për më tepër informacion rreth UNICEF-it në Shqipëri dhe punës së tij, vizitoni: www.unicef.org.

Niqeni UNICEF Shqipëri në mediat sociale si:  YouTube, Instagram dhe Facebook