Amendamentet e reja të Ligjit për vlerësimin e aftësisë së kufizuar e forcojnë zbatimin e të drejtave të fëmijëve

02 Shkurt 2026
Adolescent boy with visual impairment using headphones and computer
UNICEF North Macedonia / Klincharov / 2024

Shkup, 2 shkurt 2026: UNICEF-i e mirëpret miratimin e fundit të ndryshimeve të Ligjit për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, gjë që paraqet një hap të rëndësishëm drejt sigurimit, që secili fëmijë me aftësi të kufizuara të ketë qasje në mbështetjen e nevojshme dhe mundësitë për ta përmbushur potencialin e tij të plotë.

Sistem funksional dhe efektiv i vlerësimit të aftësisë së kufizuar është porta përmes së cilës fëmijët dhe të rinjtë i gëzojnë shërbimet arsimore, shëndetësore dhe shërbimet e mbrojtjes sociale, të përshtatura sipas nevojave të tyre zhvillimore, si dhe përfitimet në të holla, të cilat ndërlidhen me aftësinë e kufizuar. Këto ndryshime, të zhvilluara nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë me mbështetjen teknike të UNICEF-it, sigurojnë që sistemi i ardhshëm universal i vlerësimit funksional t’i pasqyrojë plotësisht nevojat specifike dhe karakteristikat zhvillimore të fëmijëve dhe të rinjve.

Amendamentet në fjalë mbështeten në rezultatet e fuqishme, të arritura nëpërmjet angazhimit dhe investimeve shumëvjeçare të Qeverisë. Ligji i ri siguron që këto kapacitete të vlefshme, të vazhdojnë në të ardhmen t’i përmbushin nevojat e fëmijëve në mënyrë efektive, njëkohësisht duke ruajtur strukturat institucionale dhe ekspertizën profesionale për vlerësimin e fëmijëve. 

Përparimet kryesore në forcimin e të drejtave të fëmijëve përfshijnë:

  • Përputhjen e plotë me standardet globale: Vlerësimi i aftësisë së kufizuar për fëmijët dhe të rinjtë do të jetë në përputhje me Klasifikimin ndërkombëtar të funksionimit të aftësisë së kufizuar dhe shëndetit (KNF) dhe Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (KDPAK). Metodologjia e re do ta miratojë një qasje shumëdisiplinore, e cila përfshin sektorët e arsimit, atë të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe do ta mbështesë pjesëmarrjen holistike të fëmijëve në shoqëri.
  • Ekspertizën e fokusuar te fëmijët dhe qasja falas për familjet. Ligji i rishikuar parasheh struktura të specializuara dhe ekipe profesionale vlerësimi për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe garanton që vlerësimet e aftësisë së kufizuar për fëmijët dhe të rinjtë të mbeten falas për familjet e tyre, ndërsa shpenzimet i mbulon Fondi i Sigurimit Shëndetësor.
  • Vazhdimësinë përmes sistemeve të përforcuara të të dhënave: Duke ruajtur regjistrin nacional elektronik për fëmijët dhe të rinjtë e vlerësuar, sistemi mbështet monitorimin e ofrimit të shërbimeve dhe gjurmimin e rezultateve të fëmijëve, si dhe ofron të dhëna solide për ta disenjuar planifikimin dhe buxhetimin e shërbimeve, të bazuara në prova.
  • Përfshirjen kuptimplote të prindërve: Ligji i rishikuar siguron që prindërit të vazhdojnë të luajnë rol aktiv në procesin e vlerësimit, duke vënë në pah njohuritë e tyre unike mbi funksionimin dhe nevojat e fëmijës dhe duke i mundësuar ata ta mbështesin më mirë zhvillimin e fëmijës së tyre.
  • Qasja e garantuar dhe mosdiskriminimi: Ndryshimet e reja vënë në zbatim përshtatje të arsyeshme, si interpretimi në gjuhën e shenjave dhe materiale të qasshme, pa kosto shtesë, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare mbi qasjen dhe mosdiskriminimin.

UNICEF-i përgëzon vendin për riafirmimin e angazhimit të tij ndaj të drejtave dhe përfshirjes së fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. UNICEF-i është i gatshëm të vazhdojë ta mbështesë sistemin nacional dhe përshtatjen e metodologjisë me nevojat specifike të fëmijëve, në mënyrë që secili fëmijë të ketë qasje në mbështetjen dhe shërbimet, që i nevojiten dhe të ketë mundësi për ta përmbushur potencialin e tij. 

Kontakte me mediat

Simona Ristoska
Tel: (02) 3231-200
Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244

Për UNICEF-in

UNICEF-, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, punon në mbrojtjen e të drejtave të të gjithë fëmijëve gjithandej, veçanërisht të fëmijëve më të pafavorizuar dhe në vendet më të vështira për t’u arritur. Ne në më shumë se 190 vende dhe territore, bëjmë gjithçka që duhet për t’i ndihmuar fëmijët të mbijetojnë, të zhvillohen dhe ta përmbushin potencialin e tyre.