Shërbimet për fëmijët me vonesa në zhvillim duhet të jenë të orientuara drejt familjes

Dokumenti i ri i politikave ofron vizion për mbështetjen ndërsektoriale për familjet me fëmijë në rrezik të vonesave në zhvillim

25 Dhjetor 2023
UNICEF Representative and ministers verified the policy recommendations at a forum
UNICEF/North Macedonia/2023

Shkup, 21 dhjetor 2023 – Qeveria dhe partnerët e shoqërisë civile së bashku me UNICEF-in i verifikuan rekomandimet e politikave që e përcaktojnë drejtimin strategjik mbi zhvillimin e një sistemi të qasshëm dhe të përballueshëm të intervenimit në fëmijërinë e hershme në Maqedoninë e Veriut.

Misioni i ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme është të sigurojë, që familjet me fëmijët e moshës 0-6 vjeçare në rrezik të vonesave zhvillimore, të marrin burime dhe mbështetje, që i ndihmojnë ata në maksimizimin e zhvillimit fizik, kognitiv, social dhe emocional të fëmijës së tyre.

“Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën e fuqizimit të komunikimit ndërsektorial mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Punës dhe Politikës Sociale në fushën e zbulimit në kohë të vonesave në zhvillim të fëmijëve që në moshë të hershme. Prandaj jemi të fokusuar në këtë  çështje. Në fakt, secili institucion e ka rolin e vet në procesin e identifikimit dhe ofrimit të mbështetjes jo vetëm për fëmijët me vonesë në zhvillim, por edhe për familjet e tyre, si dhe për institucionet arsimore në vend”, tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

“Fëmijët, të cilët marrin kujdes cilësor dhe u ofrohen mundësi zhvillimi në vitet e para të jetës, kanë më shumë gjasa ta përmbushin potencialin e tyre të plotë dhe të shijojnë jetë produktive. Sa më herët fëmijët në rrezik të vonesave zhvillimore dhe fëmijët me aftësi të kufizuara të marrin ndihmë, aq më shumë ka gjasa që ata të përfitojnë nga ndërhyrjet duke përfshirë rritjen e mësimit dhe suksesit në shkollë, mjedis më shumë mbështetës në shtëpi dhe më shumë shanse për t'u rritur në individë të pavarur,” tha Patricia Di Xhovani, përfaqësuese i UNICEF-it.

Zbulimi i hershëm dhe ndërhyrja ndaj vonesave zhvillimore janë me rëndësi kritike për të siguruar që fëmijët të marrin mbështetje në kohë. Megjithatë, ekzaminimet aktuale të zhvillimit të fëmijërisë së hershme në nivel shtetëror dhe shërbimet e ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme ose janë të rralla ose fare nuk ekzistojnë, me çka i vënë në rrezik shumë fëmijë, duke i lënë ata të paregjistruar për shërbime.

Vetëm 44 për qind e fëmijëve përfshihen në kontrollimin e zhvillimit të tyre para moshës tre vjeçare, andaj ka pabarazi të mëdha në ofrimin e shërbimeve, me familjet në zonat rurale, komunitetet më të vogla etnike si dhe ato me të ardhura të ulëta që mbeten dukshëm pa qasje të duhur në shërbime.

Bazuar në këto vlerësime, më shumë se 17 000 fëmijë[1] nga lindja deri në moshën gjashtë vjeçare në vend mund të kenë nevojë për shërbime të ndërhyrjes së hershme në fëmijëri.

Rekomandimet e politikave të verifikuara sot në këtë forum, ku janë mbledhur përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe anëtarë të organizatave të shoqërisë civile, prezantojnë dhe rregullojnë në nivel sistematik projektimin dhe ofrimin e shërbimeve të Ndërhyrjeve në fëmijërinë e hershme, duke përdorur një qasje ndërsektoriale.

Rekomandimet e vënë theksin në natyrën multidisiplinare të shërbimeve të identifikimit të hershëm dhe ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme, të cilat kërkojnë koordinim të ngushtë midis sektorëve të arsimit, shëndetësisë, sigurimit të ushqimit të shëndetshëm dhe mbrojtjes së fëmijëve.

Aspekt kyç i dokumentit të ri të politikave është përfshirja e modelit të ndërhyrjes së hershme të orientuar drejt familjes, duke e vendosur familjen dhe mjediset natyrore të fëmijës në qendër të intervenimeve. Për ta realizuar këtë, shërbimet duhet të orientohen drejt mbështetjes në familje apo në mjediset natyrore të fëmijës, si: kopshti, këndet e lojërave dhe vende të tjera ku fëmijët e kalojnë kohën dhe i kryejnë rutinat e përditshme. Për ta vënë familjen dhe mjediset natyrore të fëmijës në qendër të ndërhyrjeve, prindërit duhet gjithashtu të marrin njohuri për përdorimin e rutinave të përditshme për ta stimuluar zhvillimin e aftësive funksionale tek fëmija i tyre.

Rekomandimet e politikave u zhvilluan përmes procesit pjesëmarrës të bazuar në faktet e gjeneruara nga hulumtimi në zyrë i kornizës legjislative dhe Analiza e gjendjes për zhvillimin e në fëmijëri të hershme në Maqedoninë e Veriut.

Ato e përfshijnë strukturën për zhvillimin e standardeve dhe procedurave për shërbimet e ndërhyrjeve në fëmijërinë e hershme dhe i përcaktojnë rolet, autoritetet dhe detyrat e secilës ministri brenda sistemit që ofron mbështetje për ndërhyrjet e hershme në fëmijëri për fëmijët dhe familjet.

Kjo iniciativë është pjesë e kuadrit të projektit të përbashkët të OKB-së “Nga Njohuria dhe Angazhimi - te Fuqizimi dhe Pjesëmarrja (KEEP)” financuar nga UNPRPD. Duke punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, UNICEF-i e mbështet prezantimin e një modeli transdisiplinor të shërbimeve të ndërhyrjeve në fëmijërinë e hershme të orientuar drejt familjes në Maqedoninë e Veriut.  

Sot punëtoria e verifikimit u organizua në partneritet me Shoqatën e Specialistëve dhe Rehabilituesve.  

 

[1] Sipas regjistrimit të vitit 2021, në Maqedoninë e Veriut ka 140.436 fëmijë nën moshën gjashtë vjeç. Duke përdorur shkallën e mundshme nga 12,5% (statistikat botërore tregojnë se 10-15% e fëmijëve nga lindja deri në moshën gjashtë vjeçare kanë vonesa në zhvillim), deri në 17.554 fëmijë mund të kenë nevojë për shërbime të ndërhyrjes në fëmijërinë e hershme

Kontakte me mediat

Suzie Pappas Capovska
Tel: (02) 3231-244
Irina Ivanovska
Tel: (02) 3231-172

Për UNICEF-in

UNICEF-i i promovon të drejtat dhe mirëqenien e të gjithë fëmijëve, në çdo sferë të veprimtarisë që e ushtron. Së bashku me partnerët tanë punojmë në 190 shtete dhe territore, me qëllim që ta implementojmë këtë përkushtim në veprim praktik për të mirën e të gjithë fëmijëve gjithandej, por në veçanti të fokusuar te fëmijët më vulnerabil dhe më të margjinalizuar.

Për më shumë informacione për UNICEF-in dhe punën tonë për fëmijët, vizitojeni ueb faqen www.unicef.mk.

Ndiqeni UNICEF-in në TwitterFacebookInstagram dhe YouTube.